De Biazi: “Unë, fajtori i dështimit në Botëror”

504
Sigal

Trajneri italian firmos zyrtarisht kontratën e dytë si “kuqezi”: “Ju çoj në Europianin e Francës”

Trajneri italian, Xhani De Biazi, firmosi dje zyrtarisht kontratën e tij të dytë me Federatën Shqiptare të Futbollit, në praninë e Presidentit, Armando Duka. De Biazi do ta drejtojë Kombëtaren në fushatën kualifikuese të Europianit “Francë 2016”, ashtu edhe siç bëri në eliminatoret e Botërorit “Brazil 2014”. Ai është trajneri i dytë që rinovon një kontratë me FSHF-në, pasi gjermanit Hans-Peter Brigel që e drejtoi Shqipërinë në eliminatoret e Euro 2014 dhe ato të Botërorit 2006. “Dua të falënderoj presidentin Duka dhe FSHF-në për besimin që tregoi, duke më rikonfirmuar në krye të kombëtares shqiptare edhe për dy vite të tjera, por edhe për mbështetjen në dy vitet e shkuara, gjatë fushatës eliminatore të Botërorit 2014” – tha De Biazi, i cili bëri edhe një analizë të shkurtër të eliminatoreve të Botërorit, pas së cilave Shqipëria u rendit e parafundit në grupin e saj.

 – Zoti De Biazi, rinovoni sërish me Kombëtaren edhe për dy vjet të tjera, pavarësisht se Shqipëria zuri vendin e parafundit. Cili është komenti juaj?

– Ne e filluam këtë edicion me një fitore ndaj Qipros, por me pak besim, pasi vinim pas një momenti të vështirë, që kishte të bënte me ndërrimin e brezave në përfaqësuese. Pas gjysmës së këtyre eliminatoreve të gjithë nisëm të flisnim dhe besonim te një kualifikim i mundshëm, të cilin nuk arritëm ta realizonim. Nuk ishte i lehtë misioni: edhe të rinovonim kombëtaren, edhe të merrnim rezultatet pozitive. Përsa i përkes rinovimit të ekipit, kemi bërë shumë. Kemi tashmë në përbërje lojtarë të konfirmuar dhe që do të na ndihmojnë shumë në të ardhmen.

Vitin e ardhshëm nisin eliminatoret e Euro 2016. Cila është strategjia juaj për ta çuar Shqipërinë në finalet e “Francë 2016”?

– Nëse do të shkojmë në Francë në vitin 2016, them se kjo është dëshira e të gjithëve. Objektivi ynë madhor ky është, por sigurisht na duhet një ambient i qetë, që të mos ketë shumë pengesa, për të bërë më të mirën dhe për të ecur përpara.

– A kemi një De Biazi që e njeh tashmë skuadrën më mirë dhe mund të mos kemi shumë eksperimente në formacion dhe mënyrë loje?

– Sigurisht, fakti që kombëtaren e njoh mirë tashmë, është një avantazh për mua. Gjithsesi, nuk është një rastësi që Bosnja shkon në Botëror, sepse nuk është e thënë që të kesh disa yje në ekip, por një grup të mirë, si në numër dhe në cilësi. Duhet parë se sa do të progresojë grupi aktual që kemi në kombëtare. Ne e nisëm shumë mirë edicionin e shkuar kualifikues, por më pas humbën shumë nga vetja gjatë rrugës. Duhet parë se si do të rritet ky grup në vazhdimësi.

– Shqipëria niset sërish nga vendi i pestë me objektivin për të shkuar në finalet e Europianit. A ka Biazi në mendje emra të tjerë lojtarësh që mund t’i bëjë pjesë të projektit të tij, në funksion të shkuarjes në finalet e Europianit të Francës?

– Ne do ta nisim nga zero, si të gjithë rivalët e tjerë, fushatën kualifikuese të ardhshme për Europinin 2016. Pra, është e parakohshme për të dalë në përfundime që tani. Grupi i lojtarëve do të jetë aktuali, nuk do të ketë prurje të mëdha në ekip, përvec lëvizjeve që mund të bëjmë në rast dëmtimesh apo skualifikimesh gjatë edicionit.

– Keni grumbulluar më shumë lojtarë se asnjë tjetër dhe keni krijuar një atmosferë pozitive në kombëtare. Kur do të kemi një kombëtare të konsoliduar në formacion, sepse në çdo ndeshje keni ndryshuar jo pak?

– Përsa i përket formacionit titullar, mbrojtja ka qenë pak a shumë fikse. Që nga portieri Berisha, që zëvendësoi Ujkanin pas ndeshjes me Islandën, për të vijuar me katërshen Lila, Mavraj, Cana dhe Agolli. Përsa i takon mesfushës patëm prurjet e Kaces dhe Abrashit gjatë gjysmës së dytë të edicionit, të cilët janë lojtarë cilësorë dhe duheshin ingranuar në ekip. Basha pati disa probleme fizike në atë moment dhe pas një gjysme të parë shumë të mirë të eliminatoreve filloi të luante edhe më pak. Sa i takon Ramës, ai i bë disponibël në fillim të edicionit të shkuar kualifikues dhe duke qenë se është një element shumë cilësor, ai e meritoi vendin në kombëtare, duke luajtur rregullisht.

– Tani që, e nënshkruat kontratën dhe jeni më i qetë nga kjo anë, a mund të na thoni sesa për qind përgjegjësi keni ju për dështimin në eliminatoret e Botërorit?

– Po, si trajneri kam 100 për qind të përgjegjësive.

Fotot

Kontrata e parë, dhjetor 2011

Kontrata e dytë, tetor 2013

Miqësore me Bjellorusinë

 Shqipëria mund të luajë dy ndeshje miqësore ndërkombëtare, më

11 dhe 15 nëntor, dy data të lira nga FIFA, e që përkojnë me ndeshjet e “play-off”-it. “Nuk kemi përcaktuar akoma një kundërshtar për miqësoren e nëntorit, sepse koha ka qenë e shkurtër. Jemi në bisedime intensive për të gjetur një kundërshtar dhe për të luajtur në nëntor. Kemi disa alternativa, sepse njëri prej tyre do të jetë. Mund të jetë Bjellorusia në shtëpi, San Marino në fushën e vet, apo edhe ndonjë ekip tjetër jashtë Europës”, – tha Duka.

 18 ndeshjet e italianit

 Në total, përfshi edhe takimet miqësore, italiani i ka udhëhequr kuqezinjtë në 18 ndeshje, duke regjistruar 7 fitore, 4 barazime dhe 7 humbje, me një golaverazh 20-17. Në dhjetët ndeshjet zyrtare, Shqipëria koleksionoi 3 fitore, 2 barazime e 5 humbje, duke grumbulluar 11 pikë nga 30 të mundshmet, ose e shprehur në përqindje, vetëm 36.6 për qind të pikëve. Në tetë ndeshjet miqësore, ai duke pasur këtë bilanc: 4 fitore (me Katarin, Iranin, Lituaninë dhe Armeninë), dy barazime (me Moldavinë dhe Kamerunin) si dhe dy humbje me (të dyja me Gjeorgjinë).

 Presidenti i FSHF-së, Duka: “Nuk ka rritje financiar, për trajnerin, por për stafin”

 Pse u vonua firmosja e kontratës

  Nga propozimi i Presidentit Armand Duka, për nënshkrimin e një kontrate të re me De Biazin, e deri të firma e tij dje në selinë e FSHF-së, kaluan tre muaj: gusht-tetor. Këtë gjë e pohoi bosi i “topkëmbës” shqiptare: “Në fakt, – tha Duka, – ne si FSHF ia kemi propozuar De Biazit që në gusht rinovimin e kontratës. Qëllimi ynë ishte që puna e nisur rreth 2 vjet më parë prej tij të vazhdonte. Mendojmë se De Biazi mund ta ndihmojë përfaqësuesen tonë për të shkuar drejt realizimit të objektivit të saj, përmbushjen e ëndrrave të gjithë shqiptarëve për një kualifikim të mundshëm në finalet e Europianit 2016”.

“LOJA” ME AFATIN

Rinovimi i kontratës së De Biazit me Shqipërinë u zgjat para ndeshjeve decizive të shtatorit dhe tetorit, kur edhe pësuam atë rënie të lirë. Por, a ndikoi kjo hallakatje në këtë drejtim? De Biazi tha: “Para së gjithash desha të lodhja presidentin, por duke qenë se është një ‘maratonomak’, ai nuk u lodhet nga distancat e gjata. Së dyti, lojtarët e dinin që unë do të rinovoja, ua kisha thënë këtë gjë, ndaj kam qenë shumë i qartë me ekipin. Pra, nuk mendoj se zgjatja e tratativave të rinovimit pati ndikim negativ te lojtarët në ndeshjet kualifikuese të dy muajve të fundit”.

SANKSIONET FINANCIARE

De Biazi dështoi për ta çuar ekipin në finalet e Botërorit të Brazilit. Për të nuk pati asnjë masë ndëshkimi financiar, me reduktimin e pagesës. Por, a ka ndonjë penalizmim në aspektin financiar të trajnerit në rast mosrealizimi të objektivit, shkuarjen në finalet e Europianit 2016? Duka: “Kontratat në përgjithësi kanë një bazë, janë klasike. Kanë një shpërblim minimal të pacenueshëm. Për rezultatet e mira, ku futet edhe objektivi madhor, ka shpërblime. Edhe kjo kontratë është kështu. Pa përmbushur objektivat, bonuset nuk i merr trajneri dhe stafi i tij. Bonuse ka ndeshje pas ndeshjeje për kombëtaren dhe stafin”.

RINOVIM AUTOMATIK

Në kontratën e De Biazit ka disa klauzola specifike. Njëra prej ture ka të bëjë me rinovimin automatik të kontratës së tij, nëse Kombëtarja shkon në finalet e Europianit “Francë 2016”, ku në ndryshim nga Euro 2012, nuk marrin më pjesë 16 skuadra, por 24 të tilla nga 54 skuadra që aderojnë aktualisht në UEFA. “Ne do të firmosim kontratën, e cila është dy vjeçare, me klauzolën e rinovimit automatik në rast të kualifikimit në Europianin e Francës, edhe për dy vite të tjera”, – tha presidenti Duka.

TERMAT FINANCIARË

Njëshi i futbollit tonë zbuloi edhe detajet financiare të kontratës së re: “Pak a shumë është me të njëjtat terma financiarë, me një rritje buxheti simbolike. Kjo rritje është bërë për të vlerësuar punën e bërë prej De Biazit dhe stafit të tij. Një detaj që dua të zbuloj ka të bëjë me faktin se rritja e buxhetit ka shkuar për ndihmësit e De Biazit, jo për vetë trajnerin.”

MISIONI “JANUZAJ”

Xhani De Biazi e ripërsëriti se, do të punojë personalisht për të ofruar në skuadër yllin shqiptar të Mançester Junaitid, Adnan Januzajn. “Do të punojmë në bashkëpunim me federatën. Do tentojmë ta takojmë për t’i bërë zyrtarisht ofertën, duke i dhënë edhe shpjegimet e duhura, në mënyrë që ta afrojmë në Kombëtaren tonë”, – tha tekniku italian i Përfaqësueses. Presidenti Duka tha” “Januzaj dihet se është një talent, i cili diskutohet nga i gjithë opinioni futbollistik dhe nuk ka si të jetë jashtë vëmendjes së FSHF-së. Kemi ndërmarrë hapa të reja për të shkuar te përfaqësuesit e Januzajt, ndoshta me një përfaqësues ligjor”.

NDËRTIMI I STADIUMIT

Presidenti i FSHF-së, Armando Duka, hodhi dritë në lidhje me ndërtimin e stadiumit të ri Kombëtare. “Është e vërtete që rrezikojmë të mos i luajmë në stadiumin tonë kualifikueset e “Euro 2016”, por projekti i stadiumit është gati dhe mund të shkojë gjithçka në drejtimin e duhur nëse nuk do të ketë pengesa rrugës. Aktualisht, zyrtarisht nuk është se ka ndonjë pengesë. Në nëntor, në fund të procesit që kemi nisur për të siguruar një menaxhues ndërkombëtar të ndërtimit të projektit, do të vendosen gjithçka. Më 22 nëntor përfundon afti dhe do të kemi një fitues. Pastaj janë procedurat e lejes së ndërtimit dhe financimit sipas përqindjeve të qeverisë shqiptare dhe të FSHF-së”.

Prapaskenat e shkarkimit të Dedes

  Tirana shkarkoi Nevil Dede, pas humbjes “qesharake” nga rezervat e Albpetrolit në ndeshjen e turit të parë të Kupës së Shqipërisë.

Presidencës bardheblu i mjaftuan vetëm disa orë, për të vendosur teknikun e ri: ai është Alpin Gallo, një ish-lojtar i Tiranës (kampion 1994-1995, 1995-1996, 1996-1997, 1998-1999, 1999-2000). Alpin Gallo punonte si trajneri i Tiranës U-17. Humbja në derbin me Partizanin (1-0), i rëndoi shumë pozitat e Nevil Dedes, pavarësisht konfirmimit të presidentit të Tiranës, Ndriçim Babasi. Në fakt, burime pranë skuadrës kryeqytetase sigurojnë se largimi i Nevil Dedes ka qenë kushti i vënë nga dy donatorët, Refik Halili dhe Lul Morina, për vijimin e sponsorizimit të bardhebluve. Duke mos pasur rrugëzgjidhje dhe për të mos e rënduar më tej situatën financiare ku ndodhet klubi, është vendosur shkarkimi i trajnerit. Dede bëhet kështu trajneri i dytë në Kategorinë Superiore i larguar në këtë edicion, pas Armando Cungut, me këtë të fundit që dha dorëheqjen nga Kukësi pas humbjes 1-0 me Partizanin në Krujë (në javën e 6-të). Pas tetë ndeshjesh të luajtura, rekordmenët e Shqipërisë ndodhen në vendin e 7-të me 10 pikë, gjashtë më pak se dy kryesuesit, Skënderbeu dhe Teuta, të dyja nga 16 pikë.