De Biazi dhe kuqezinjtë: “Gëzuar festën Shqipëri!”

568
Sigal

Sindromës së 100-vjetorit të Pavarësisë nuk i kanë shpëtuar as njerëzit e sportit, madje dhe një italian si trajneri Xhani De Biazi, e ka gjetur mënyrën e tij, ku krahas urimit në italisht nuk mungon dhe një formulim në gjuhën shqipe. Thuajse të gjithë lojtarët e Kombëtares shqiptare, e sidomos legjionarët që luajnë në Europë, apo dhe deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Hamdi Salihi kanë shfrytëzuar rrjetin më të famshëm social në botë, “Facebook”, për të uruar të gjithë miqtë e tyre. Madje, duke shpërndarë dhe logon e dedikuar Shqipërisë nga motori më i madh i kërkimit në botë, “Google”. Një eufori e të gjithë lojtarëv, që shfrytëzuan si të mundnin komunikimin virtual për të ndarë emocionet me të gjithë shqiptarët në këtë ditë jubilare të krijimit të shtetit tonë. Një urim i thjeshtë dhe mjaft i sinqertë vjen nga trajneri De Biazi për ditëlindjen e 100-të të shtetit të shqiptar. S’mund të mungonte në këtë ditë historike për kombin shqiptar një koment i kapitenit Lorik Cana, që si gjithmonë krejt origjinal, shfaqet me nota nacionaliste: “Ka 100 vjet që ka ardhë Liria, ku ka ma mirë se Shqiptaria”. Dashurinë për Shqipërinë, në një moment shumë të veçantë për të gjithë bashkëkombasit e tij, e shpreh edhe Hamdi Salihi, i cili ndodhet në kontinentin amerikan tek skuadra e DC Junited.  Mërgim Mavraj, mbrojtësi i Grojther Furth në Bundesligë, shpreson që në shekullit e dytë të jetës së shtetit shqiptar të vijë edhe bashkimi i madh i kombit, duke përqafuar divizën e tifozëve kuqezi, “Një komb një kombëtare”. 100-vjetorin e Pavarësisë të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Diasporë ua uron edhe Debatik Curri si dhe të tjerë pjesëtarë të kombëtares kuqezi, të cilët kanë zgjedhur pikërisht rrjetet sociale për të ndarë emocionet e kësaj ditë të shënuar me të gjithë tifozët e Shqipërisë. 100-vjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar, ka krijuar një atmosferë festive në të gjitha trojet tona. Festa ndihet në çdo qytet, në çdo rrugë, në çdo shtëpi me të përbashkëtën e dominimit të ngjyrave kuqezi. Pjesë e kësaj atmosfera u bë edhe sporti, që zhvilloi një numër të madh aktivitetesh, me kryetemë në çdo disiplinë “Kupën Pavarësia”.