Dafina Memedov, rrugëtimi i saj, nga fushat e deri te zyrat…!

960
Shqiptaro-suedezja, e cila për 14 vjet luan futboll në vendin nordik, dhe lojtare e ekipit kombëtar të femrave

Ekonomiste në profesion, me prindërit dhe tre vëllezërit, simpatikja e fushës gjithmonë e ka pasur familjen e saj një armë të fuqishme mbështetëse për pasionin, futbollin, por edhe për çdo nismë tjetër që ka ndërrmarrë. 

Futboll luajnë dhe femrat, madje me të njëjtin angazhim dhe impenjim. Sikundër edhe meshkujt, pasi edhe ato e kanë një karrierë. Natyrisht një rrugëtim ky që nis me shumë sakrifica por më së shumti pas shumë vitesh kurorëzohet në një objektiv të arritur. Kështu mund të thuash për shqiptaro-suedezen e ekipit kombëtar të futbollit, Dafina Memedov, e cila nisi te tenisi, vijoi me futbollin dhe tash e 14 vjet është pjesë e skuadrave të ndryshme të Suedisë, por prej 5 vitesh njëherësh edhe anëtare e ekipit kombëtar të futbollit. 14 vjet në fusha të ndryshme të futbollit suedez, me skuadra të ndryshme të Ligave aty, por edhe me dëshirën për të hedhur një hap më shumë se sa galopant. Edhe pse, paralel I është dashur që pasioni në fushë të jetë paralel me investimin e saj universitar, atë të studimeve për Menaxhim dhe Ekonomik. Edhe ato të laureuara më së miri. Që e vogël kishte pasion futbollin, pasi edhe babai i saj Amiri, trajner futbolli në profilin e tij kontribuonte jo pak, por ishte një shtysë e madhe morale për Dafinën që ta çonte në një skuadër futbolli. Sikundër bëjnë sot shumë prindër anembanë Europës, madje edhe përtej atlantikut në SHBA.

Fillimet me futbollin dhe familja
Dafina Memedov është 27 vjeç dhe ka plot 14 vite karrierë në këmbët e saj në këtë sport. Ka nisur që 13 vjeç të jetë pjesë e fushave të futbollit, të dashurohet me këtë sport, por mbi të gjitha edhe me këtë vend, me Shqipërinë. Madje, madje, mund ta niste shumë më herët futbollin, por në ato vite në Suedi në qytetin ku dhe jetonte nuk kishte ende një skuadër futbolli të ngritur. E kështu, mbështetja e pakursyer e babait të saj, por edhe e nënës nuk ia frenuan kurrsesi një lidhje të sajën me futbollin. Menjëherë spostohet pak kilometra në një qytet ku ishte një skuadër futbolli dhe aty nis të “prodhohet” futbollistja e shkëlqyer, por edhe një menaxhere e aftë e së ardhmes në vendin nordik. Kaq vite karrierë dhe një rrugëtim me shumë skuadra suedeze bëri që ajo të mbijetonte në ligat e ndryshme të futbollit. Kjo, falë vetëm angazhimit dhe pasionit të saj, ndihmës së babait Amir, nënës Makfire, por edhe vëllait të madh Dardan, si edhe dy vëllëzërve më të vegjël, Liridon e Vatan. Një familje ekselente, e cila në asnjë moment nuk u mendua të frenonte dëshirën e ekonomistes së sotme dhe vajzës së vogël në ato vite për të nisur një karrierë në futboll. Ata i qëndruan pranë në momentet kur ajo kërkonte mbështetjen e tyre dhe fjalët e mira që nuk I munguan. Sikundër edhe vazhdojnë ti rrijnë.

Pasioni, profesionalizmi dhe karriera
Dafina është një profesioniste në fushë, por mbi të gjitha edhe një tipike vajzë me një edukatë të jashtëzakonshme nga familja e saj. Edhe pse nuk është në fushë, edhe pse nuk luan ajo kupton që zgjedhja e trainerit duhet respektuar: “Unë sikundër çdo shoqe tjetër ka dëshirë të luajë, por do respektojmë trajnerin pasi e vendos. Dhe zgjedhja e tij është e pakundërshtueshme. Kjo është jeta e futbollit dhe jeta e një skuadre. Por, luan apo nuk luan Dafina apo ndokush tjetër nuk ka më shumë rëndësi se sa arritja e suksesit të skuadrës”,- të thotë ndër të tjera në pak momente të lira që e gjen në stadium, pak para nisjes së seancës stërvitore. Përpiqet ti japë përgjigjë secilës pyetje, por nga ana tjetër duket shumë e lidhur dhe me këtë sport, edhe pse prej vitesh pas përfundimit të studimeve të saj menaxhon një nga qëndrat më të mëdha tragtare në vendin ku dhe jeton. Një investim që ka patur po kaq rëndësi. Dhe duket që ky është një shpërblim më vete prej saj për familjen e saj, babain, nënën dhe vëllëzërit.

Zgjedhja pa hezitim për Shqipërinë
Një moment shumë interesant ka qenë edhe casti kur vetë ajo duhet të zgjidhte. Mes Suedisë dhe Shqipërisë. Dhe nuk kishte asnjë hezitim në këtë mes. Dafina nuk hezitoi as edhe një sekondë të vetme të vraponte të merrte fanellën dhe pasaportën shqiptare. Asnjë dilemë, asnjë peng i mëvonshëm për zgjedhjen që kishte bërë. Që nga ajo ditë e deri tani ajo vijon të luajë dhe të jetë pjesë e skuadrës kombëtare të futbollit, por paralel edhe një administratore në një nga qendrat komerciale në Suedi më të frekuentuarat. Madje, madje shpesh për të mos humbur asnjë grumbullim, Dafinës I duhet të koordinojë mirë punën edhe më eprorët e saj atje në mënyrë që gjithçka të mos ketë asnjë komplikacion.Tashmë ajo është në skuadër. Eshtë zëri i përvojës dhe profesionalizmit përsa kohë citon faktin që vajzat e reja kanë një perspektivë përpara dhe kanë të gjitha mundësitë për të rritur progresin në këtë ekip.

Shqipëria, një lidhje e fortë përtej futbollit
Lidhja me Shqipërinë mbetet një tjetër moment shumë fantastik për ekonomisten nga Suedia, shqiptaren e cila kurrsesi nuk flet për kombëtaren e saj vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. E konsideron gjithmonë një moment të mirë ardhjen e saj në Tiranë, në Shqipëri, teksa thekson: “Kam shumë miq e të afërm dhe mikpritja këtu është fantastike. Më pëlqen pafund ky vend dhe ditët e kaluara këtu janë vërtetë të mbushura plot. A mendoj ndonjëherë ardhjen këtu për të jetuar? Never say never…sidoqoftë për momentin po kalon një jetë profesionale në Suedi të kënaqëshme. Më lidh futbolli me Shqipërinë, por jo vetëm, edhe një miqësi e madhe”,- shton Dafina e cila do të vazhdojë të luajë dhe të jetë kuqezi, deri në një moment ku etapat e jetës do e çojnë si gjithë të tjerët drejt krijimit të familjes së saj. Aty pastaj do ti duhet të marrë një tjetër vendim, por kësaj radhe shumë të vështirë. Ekonomistja e fushës së futbollit do të mbetet sërish po ajo, vajza me tempizmin e madh për të dhënë gjithçka mundet për këtë skuadër kombëtare. Dhe në mbyllje. Ajo nesër largohet drejt Suedisë, sepse ndeshjet mbaruan, dhe sikleti i saj I vetëm mbetet kontakti me miqtë e mikeshat, teksa thekson: “Nuk di a do kem kohë me mund me I taku të gjithë…”.
Përgatiti Esmeralda Pirra
Sigal