Çiraku: E mirëpresim si aktivitet, të firmosim zyrtarisht

568
Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, me ndërmjetësinë e zëvendëspresidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Gjergji Ruli, dje ka nisur kontaktet e para me përfaqësuesit e notit të zonës së Puljas. Ardhja e tyre dhe takimi i parë i djeshëm ka pasur të bëjë me idenë e Italisë për zhvillimin e një aktiviteti të përbashkët me Shqipërinë për moshat 10-18 vjeç duke përfshirë këtu dhe Maqedoninë, Malin e Zi, pse jo dhe Kosovën. Çiraku, edhe duke u nisur nga kërkesa për rritjen e nivelit të notit shqiptar dhe shtimit të aktiviteteve, e ka mirëpritur si aktivitet, ndërsa pritet tashmë që shumë shpejt mes Federatës Shqiptare të Notit dhe Federatës italiane të Notit të firmoset marrëveshja për zhvillimin e këtij aktiviteti për të cilin axurrët kanë kërkuar që të jetë i përvitshëm. Megjithatë Çiraku garanton që aktiviteti do të mund të bëhet me lejen e Federatës Shqiptare të Notit, e cila varet dhe nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Ja dhe intervista e të parit të notit shqiptar Agim Çiraku për Gazeta “Telegraf”
– Ju keni pasur një takim dje me disa italianë të notit për çfarë bëhet fjalë?
– Ata kanë qenë të interesuar për zhvillimin e një aktiviteti të përbashkët noti për moshat 10-18 vjeç e si të thuash kjo ishte faza e parë e kryerjes së bisedimeve. Bëhet fjalë për një veprimtari mes kombëtaresh, e cila do të mund të zyrtarizohet pas firmosjes së marrëveshjes së bashkëpunimit me të dy palëve. Sigurisht që bisedat e para janë pozitive.
– Përveç Italisë e Shqipërisë kush parashikohet të marrë pjesë?
– Mundet dhe Maqedonia e Mali i Zi.
– Po Kosova?
– Sigurisht që e kemi parashikuar dhe atë, ndërsa parashikohet që të jetë një aktivitet rajonal që do të mund të sjellë forcimin e marrëdhënieve mes federatave, por dhe rritjen e cilësisë sportive. Sidomos në vendin tonë.
– Le të mbetemi pak këtu, ç’të mirë sjell një aktivitet për notin shqiptar?
– Mendoj që pikë së pari rrit numrin e aktiviteteve. Jo se nuk kemi, kur në korrik e deri më shtator jemi të angazhuar në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare, por e shton dhe një të tillë që do të jetë dobiprurës për matjen dhe më shumë të forcave më te tjerët. Duhet të kuptojmë diçka që është një aktivitet që mund të zhvillohet vetëm me lejen e Federatës Shqiptare të Notit, e cila dhe duke qenë e varur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet të njoftojë atje. Madje mund të kemi dhe një angazhim jo vetëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për këtë aktivitet, por dhe të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, sepse të gjithë bashkë mund të ndërtojmë një aktivitet të mirë.
– A do të jetë i përvitshëm si aktivitet, apo do të mbesi thjesh në zhvillimin e një të tillë?
– Italianët në fakt kanë kërkuar që të jetë i përvitshëm. Megjithatë do të shohim e do të bëjmë, sepse siç ju thash jemi vetëm në fazën e parë të bisedimeve, që do të mund të konkretizohen pas firmosjes së marrëveshjes mes të dy palëve mes të dy Federatave. 
– Së fundi, firmosja e marrëveshjes kur pritet të ndodhë?
– Sa më shpejt të jetë e mundur. Dje janë hedhur hapat e parë të bashkëpunimit mes dy federatave me ndërmjetësinë e përfaqësuesve të Puljas, ndërsa do të ketë dhe një datë të caktuar për hedhjen e firmave për zhvillimin e këtij aktiviteti. Mendoj që kështu mund të rrisim dhe më shumë marrëdhëniet mes federatave, sepse e kemi të nevojshëm një bashkëpunim të tillë.
Gjergj Ruli, në rolin e ndërmjetësit: Isha si përfaqësues i KOKSH dhe Italisë
Ideja e zhvillimit të këtij aktiviteti kishte ditë që diskutohej, ndërsa më parë presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, edhe duke qenë se është në rolin e zëvendëspresidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, kishte folur dhe me presidentin e Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku. Dhe takimi i përfaqësuesve të zonës së Puljas në not, që janë njëkohësisht dhe përfaqësues të Federatës italiane të Notit, me Çirakun është zhvilluar në ambientet e zyrës së presidentit të atletikës shqiptare. “Unë isha jo vetëm si ndërmjetës, por dhe si përfaqësues i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, apo dhe si përfaqësues i Italisë për problemet e sportit. Bëhet fjalë për një aktivitet të përbashkët mes Italisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës për moshat 10-18 vjeç. Meqë në korrik dhe në shtator noti shqiptar ka një ngarkesë në aktivitete, teksa ka për të zhvilluar kampionatin kombëtar të fëmijëve, Kupën e Shqipërisë dhe Kampionatin e të rriturve dhe të rinjve, pa harruar këtu dhe pjesëmarrjen në veprimtari ndërkombëtare, atëherë do të gjendet një kohë tjetër për zhvillimin e kësaj veprimtarie, që mendoj se do të rrisë më tepër bashkëpunimin mes palëve”, ka thënë fillimisht Ruli. Madje sipas të parit të atletikës shqiptare, italianët kanë hedhur idenë e zhvillimit dhe të triatlonit (not-çiklizëm-atletikë). “Dhe ajo që do të mund ta bëjë më të bukur këtë aktivitet do të jetë ardhja e kampiones olimpike të Italisë, Federika Pelegrini, të cilën italianët e kanë premtuar. Kjo ishte në fazën e fjalëve të para, tashmë pritet që të firmoset marrëveshja dhe të caktohet data e zhvillimit të aktivitetit, që mendoj se duhet të jetë i përvitshëm”, ka përfunduar Ruli. 
Reagon Ndikumana: Nuk bëra asgjë, arbitri jo korrekt
Selemani Ndikumana është kryefjala e momentit në kampin e Tiranës. Sulmuesi nga Burundi u dënua me karton të kuq në ndeshjen e kthimit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë me Laçin për shkak të një konflikti me Olsi Teqjen. Dhe Ndikumana është pezulluar dy javë nga aktiviteti, ndërsa lojtari është ende i habitur për atë që ka ndodhur në fushë dhe për sjelljen e gjyqtarit Pashaji. “Pyes veten pse erdhi ai vendim nga ana e gjyqtarit, sepse në fushë ndodhi thjesht një kontakt loje dhe asgjë më tepër. Nuk arrij ta kuptoj pse u ndëshkova me të kuq sepse nuk bëra asgjë. Nuk e godita Teqjan, thjesht e shtyva, sepse ai po varej në qafën time. Arbitri ishte mes nesh dhe pa gjithçka shumë mirë”, ka thënë Ndikumana, i cili e ka përgenjështruar faktin se mund ta ketë pështyrë lojtarin e Laçit. “Nuk është aspak e vërtetë që kam pështyrë, madje një gjë të tillë e bëri numri 28 Veliaj ndaj meje. Ai erdhi dhe më pështyu. Nëse disiplina ka parë në pamjet filmike gjestin e tij, atëherë duhet të thonë se çfarë kanë parë në atë që kam bërë unë? Që në momentin që mora kartonin e kuq ndaj Flamurtarit jam përpjekur të evitoj kontaktet në çdo ndeshje dhe jam munduar të luaj në mënyrë korrekte. Prandaj pyes sërish veten se çfarë bëra në atë moment sepse unë nuk reagova ndaj provokimit të tij”, ka përfunduar Ndikumana. 
Dushku i sigurt: Titulli për Kukësin
Kualifikimi në finale të Kupës së Shqipërisë duke eliminuar Skënderbeun i ka rritur pritshmëritë në kampin kuksian edhe në prag të sfidës direkte me kampionët e Shqipërisë në “Zeqir Ymeri”. “Në Kukës janë përgatitur për festë dhe unë mendoj se është momenti që Kampionati dhe Kupa të fitohen nga Veriu. Besoj se me një fitore të mundshme ndaj Skënderbeut do të jemë shumë afër suksesit”, ka thënë Dushku, i cili më tej do të vazhdonte: “Kjo është finalja e radhës, por jo ndeshja që do të na japë titullin. Kemi edhe katër ndeshje të tjera madje edhe me rivalë si Tirana”, ka përfunduar Dushku
Duro: Mendojmë për Ligën e Europës
Rruga e Partizanit për një vend në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm kalon nga Durrësi. Në stadiumin “Niko Dovana” të kuqtë i pret një transfertë shumë e vështirë me Teutën, skuadër që kërkon me cdo kusht kërkon pikë për të mos e rrezikuar më tej mbijetesën. “Teuta është një kundërshtar i vështirë me elementë të mirë në përbërje. Nuk do të jetë e lehtë për ne, por synimi ynë është vetëm fitorja pasi dëshirojmë të luajmë në Ligën e Evropës sezonon e ardhshëm”. Vetëm një kombinim i cmendur rezultatesh mund ta mbajë në lojë Partizanit për titullin kampion, objektiv që Duro e sheh praktikisht të pamundur për t’u arritur. “E shoh të pamundur që ne të fitojmë kampionatin, prandaj duhet të mendojmë për Ligën e Evropës, që do të jetë një lloj parapërgatitjeje për sezonin e ardhshëm. Partizni e ka grupin dhe me 2-3 përforcime cilësore do të jetë pretendent për titullin”.
Java e 32-të (25-26 prill)
Flamurtari – Elbasani të shtunën ora 14:00
Teuta – Partizani të shtunën ora 17:00
Apolonia – Vllaznia të shtunën ora 17:00
Kukësi – Skënderbeu të dielën ora 16:00
Tirana – Laçi të dielën ora 19:00
Renditja
Skuadra N F B H G+/_ P
Skënderbeu 31 20 6 5 49-16 66
Kukësi 31 19 6 6 48-21 63
Tirana 31 19 6 6 42-21 63
Partizani 31 18 6 7 34-22 60
Laçi 31 16 9 6 37-16 57
Flamurtari 31 9 8 14 25-29 35
Vllaznia 31 11 4 16 26-34 34
Teuta 31 8 2 21 26-45 26
Apolonia 31 5 4 22 11-48 19
Elbasani 31 4 1 26 16-62 13
Sigal