Cavani-Neymar sërish sherr për penalltinë

664
Neymar u argëtua gjatë fitores 8-0 ndaj Dijon, ndeshje në të cilën ai ishte në formë të shkëlqyer, sipas kapitenit të PSG-së, Thiago Silva. Lojtari më i shtrenjtë në botë shënoi katër gola, pasi udhëheqësit e Ligue 1 fituan të mërkurën, duke e zgjeruar avantazhin e tyre ndaj rivalëve më të afërt, Lyon, në 11 pikë, përpara përplasjes së të dielës, midis dy skuadrave. Neymar, gjithashtu, dha një asist në një performancë të shkëlqyeshme individuale, por ishte i përfshirë në një tjetër mosmarrëveshje me partnerin e sulmit, Edinson Cavani. Uruguajani kryesoi në golin e tretë të PSG-së, për të arritur nivelin e golave të shënuar në këtë klub nga Zlatan Ibrahimoviç, 156 gola në të gjitha garat.
Por, kur Cavani fitoi një penallti dhe rezultati ishte 7-0, Neymar tashmë e kishte përfunduar “hat-trick”-un e tij, ish-lojtari i Barcelonës i mohoi kolegut të tij mundësinë për ta kapërcyer Ibrahimovic. Tifozët në “Parc des Princes” thirrën në kor për Cavani, që ta gjuante ai penalltinë, por këtë gjë e bëri Neymar, i cili u fishkëllye. Sidoqoftë, Thiago Silva këmbënguli se braziliani ishte i paprekur nga reagimi i tifozëve ndaj vendimit të tij për të ekzekutuar 11-metërshin. “Jo, unë nuk mendoj se ai ishte i zemëruar, kur u largua, – tha Silva për “Canal +”. – Kishte disa mbështetës kundër tij, por gjëja më e rëndësishme është rezultati final dhe fitorja. Edhe për Edin, rekordi do të vijë. Ai shënon gjithë kohën, ende ka shumë ndeshje për të luajtur këtë vit. Ai do t’i mundë të gjitha rekordet”.
Nga ana tjetër, trajneri Unai Emery, nënvizoi: “Cavani është golashënuesi ynë, ai është përmirësuar shumë, statistikat e tij individuale e ndihmojnë ekipin dhe anasjelltas, ekipi e ndihmon atë për të realizuar golat. Neymar goditi penalltinë në këtë ndeshje, ndërsa Cavani do të ketë shanse të tjera për të shënuar më shumë gola”.
Sigal