Cana komenton për herë të parë festimin e Xhakës dhe Shaqirit me “shqiponjë”

522
Sigal

Edhe pse kanë kaluar pak ditë që nga ndeshja Serbi-Zvicër, diskutimi rreth mënyrës se si Xhaka dhe Shaqiri festuan golat e tyre vazhdon të jetë “i nxehtë”. Kësaj here gjestin e dy futbollistëve shqiptarë që përfaqësojnë kombëtaren zvicerane e ka analizuar edhe ish-kapiteni i kuqezinjve Lorik Cana. I ftuar në një emision francez për radion Tv Spirite, Cana ka prekur edhe simbolin e shqiponjës që ngriti peshë shqiptarët dhe zgjoi zemërimin e palës tjetër.Ish-kapiteni i kombëtares shprehet se ata thjesht donin të tregonin për prejardhjen e tyre dhe që shumë shqiptarë anembanë botës e kishin festuar këtë gjë.

“Kjo ndodh për dy arsye. 1. Që shqiptarët nuk marrin pjesë këtë Botëror, por golat u shënuan nga dy shqiptarë. 2. Familja e Xhakës ka vuajtur shumë nga regjimi i Beogradit gjatë luftës dhe një festim i tillë është emocion nga ana e tyre”.

Sa i përket dënimit nga FIFA-s, Cana e gjen të pavend, sepse sipas tij të tregosh prejardhjen nuk është fyerje për palën tjetër, ka pasur edhe gjeste të rënda nëpër fusha dhe nuk janë dënuar.

“Shqiptarët gjithnjë kanë bërë tifozllëk për të tjerët, hera e parë që kanë bërë tifo për vete ishte Europiani 2016. Dhe kësaj radhe që shënuan dy shqiptarët tanë, kjo u mor si fitore për ne”, u shpreh Cana.