“Bukuroshet” shqiptare thyejnë Greqinë

544
Sigal

 Kombëtarja e Femrave fiton 1-0 me helenet. Fitorja e parë pas tri humbjeve në eliminatoret e Botërorit

Shqipëria e Femrave bëri një paraqitje të shkëlqyer, duke triumfuar 1-0 ndaj Greqisë, falë një goli të Furtuna Velajt, duke regjistruar fitoren e parë në katër ndeshjet e saj në eliminatoret e Kampionatit Botëror për Femra. Takimi i djeshëm në “Niko Dovana” krijoi shumë emocione, pavarësisht numrit të pakët të sportdashësve. Supergoli i Furtuna Velajt (luan në Finlandë) ishte “qershiza mbi tortë” në lojën dinamike dhe rezultative të Kombëtares së drejtuar nga Altin Rraklli. Fitorja me Greqinë vjen pas tri humbjeve rresht me Belgjikën (2-0, në transfertë); Holandën (4-0, në “Qemal Stafa”) dhe Norvegjinë (7-0, në transfertë). Të gjitha vajzat u përpoqën shumë për të marrë fitoren e parë në këto eliminatore, pasi në grup kanë skuadra me emër si Norvegjia (ish-kampione e botës dhe aktualisht nënkampione e Europës), Holanda (me 35 vjet eksperiencë në futboll), Belgjika (që po investon shumë), Portugalia dhe Greqia (që kanë më shumë vite futbollistike në nivel kombëtaresh). Thuajse e përkryer Velaj në sulm; e shkëlqyer Gjyli në portë; të sigurta në mbrojtje Govori, Lulaj, Rrahmani e Proto; shumë mirë edhe Gjini, Robeli, Seranaj, Luta, Berisha; të shkathëta dhe të zhdërvjellëta Morina e Baro. Të lumtë Shqipëri! Një “bravo” edhe dyshen e drejtimit Rraklli-Sopi! Derbi ballkanik mes dy fqinjëve, Shqipëri-Greqi pati një lojë përgjithësisht emocionuese, me sulme e kundërsulme, edhe pse rrjedhshmëria e qartësia taktike i ka penguar vajzat e të dyja skuadrave të kompletojnë një performancë vërtet pozitive. Loja është e përqendruar më së shumti në mesfushë, me një rast të pastër të Berishës në minutën e 38-të. Futbollistja jonë, e vetme me portën helene godet në mënyrë të gabuar, mbi tra. Greket krijojnë më shumë volum loje, janë më të qarta taktikisht, ndërsa fitojnë disa goditje dënimi dhe nga këndi, por pa rrezik për kuadratin kuqezi. Pjesa e parë mbyllet me tre kartonë të verdhë dhe me rrjeta të paprekura, ku rastin më të mirë për shënim e pati Shqipëria me Berishën. Pjesa e dytë ka nisur me një zëvendësim te Kombëtarja jonë: Baro futet në vend të Robelit. Ndeshja vijon të zhvillohet një ballafaqim konfuz në veprime, me paqartësi në organizimin e aksioneve sulmuese dhe mungesë shënjestre në finalizim. Sidoqoftë, minuta e 50-të sjell zhbllokimin e rezultatit në minutën e 51-të. Furtuna Velaj përparon nga e majta e sulmit kuqezi dhe në pozicion të prirët me portën greke lëshon një goditje potente, duke e pushuar topin në këndin e majtë të kuadratit kundërshtar. Një super gol! Me finesë te madhe realizimi! Kundërpërgjigjen helenet me goditje nga distanca, por portierja Gjyli nuk vihet në vështirësi. Trajneri Rraklli e tërheq disi skuadrën në prapavijë, ndërsa kjo shoqërohet me rritjen e presionit nga helenët, që kërkojnë medoemos golin e barazimit. Rastet në portën tonë nuk mungojnë, por fatmirësisht gjuajtjet më së shumti janë jashtë kuadratit. Rraklli aktivizon edhe Jasharin, duke përforcuar mesfushën, aty ku mundohet të ngrejë “postbllokun” e parë të grekeve, të cilat mundohen me të gjitha forcat të barazojnë, por e kanë të pamundur. Kësisoj, triumfon Shqipëria në këtë derbi fqinjësh, që u vendos nga ai gol i bukur i Velajt. Ndeshja e ardhshme e Kombëtares sonë është ajo me Portugalinë në transfertë (më 12 shkurt 2014); për të vazhduar me Belgjikën (5 prill 2014, në vendin tonë); Holandë-Shqipëri (10 prill 2014); Shqipëri-Portugali (14 qershor 2014), Shqipëri-Norvegji (13 shtator 2014) dhe për ta mbyllur me Greqi-Shqipëri, më 17 shtator 2014.

  GOLI

Minuta e 51-të. Fortuna Velaj zotëron një top brenda zonës së rreptësisë së Greqisë, bën një lëvizje me trup, duke u rrotulluar midis dy kundërshtareve greke, e më pas duke lëshuar një diagonale të bukur që përfundon në trekëndëshin e portës së mbrojtur nga Apostotolaki.

ELIMINATORET E BOTËRORIT

GRUPI 5

Shqipëri-Greqi 1-0

Velaj 51’

E mërkurë, 30 tetor 2013,

Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës

SHQIPËRIA: Gjyli, Proto, Rrahmani, Govori, Gjini, Serenaj, Morina, Luta (Preçi 90+4’), Velaj, Robeli, Berisha (Jashari 77’). Trajner: Altin Rraklli

GREQIA: Apostolaki, Kakambouki, Adamaki (Kollia 88’), Sidira, Chatzigiannidou, A.Papadopoulou (Lymperakaki 79’), Michalakidi (Vlasiadou 59’), V.Kydonaki, Mitkou, Kongouli, Panteliadou.

Trajner: Vangelis Koutsakis

RENDITJA

Norvgjia        2    6

Holanda         2    6

Belgjika        3    6

Portugalia      2    3

Shqipëria       4    3

Greqia          3    0

Ndeshjet e Shqipërisë

EL. BOTËRORI 2015

NDESHJET NË GRUP

21 shtator 2013

Belgjikë-Shqipëri 2-0

26 shtator 2013

Shqipëri-Holandë 0-4

26 tetor 2013

Norvegji-Shqipëri 7-0

30 tetor 2013

Shqipëri-Greqi 1-0

12 shkurt 2014

Portugali-Shqipëri

5 prill 2014

Shqipëri-Belgjikë

10 prill 2014

Holandë-Shqipëri

14 qershor 2014

Shqipëri-Portugali

13 shtator 2014

Shqipëri-Norvegji

17 shtator 2014

Greqi-Shqipëri

Skënder Gega: “Urime Rraklli!”

Trajneri i Kombëtares U-21 të meshkujve, Skënder Gega, i dërgoi urimet e tij homologut të tij, Altin Rraklli dhe “vajzave” kuqezi. “Urime ekipit Kombëtar të Femrave, për fitoren kundër Greqisë!”, – ishte mesazhi i Gegës në rrjetin social “Facebook”.

  Flamuri i UÇK-së në stadium, policia shoqëron një tifoz

  Policia e Durrësit shoqëroi një tifoz, të grupimit “Tifozat Kuq e Zi”, në fillim të ndeshjes Shqipëri-Greqi (1-0), për shkak se ai mbante një flamur të “UÇK-së”, në shenjë proteste për veprimet e ekipit të PAOK në Greqi ndaj futbollistit të kombëtares së meshkujve, Ergys Kace pas fotos me flamurin e UÇK vendosën që të shpalosin një flamur të madh pikërisht të UÇK. Forcat e policisë i kanë paraprirë veprimit të tifozit kuqezi duke e shoqëruar për disa minuta dhe më pas e ka lënë të lirë. Në faqen e tyre në ‘Facebook’ grupimi i njohur që mbështet kombëtaren shqiptare përmes një deklarate shprehet se “Tifozat Kuq e Zi largohen nga stadiumi ‘Niko Dovana’ ku po zhvillohet ndeshja midis Greqisë dhe Shqipërisë, për shkak të shoqërimit të një nga anëtarëve tonë padrejtësisht pasi po mbante hapur flamurin e UÇK-se. Para shumë kohësh u përjashtua Ergys Kace nga ekipi për mbajtjen e këtij flamuri në shtetin grek, sot (dje) nga Policia e shtetit Shqiptare shoqërohen në polici qytetarët e saj po nga i njëjti veprim” përfundon grupimi deklarata e grupimit më të dha të tifozëve shqiptarë.

 Shqipëria, miqësore me Bjellorusinë

 Shqipëria do të luajë një miqësore me Bjellorusinë. Konfirmimi ka ardhur nga Federata Bjelloruse e Futbollit para asaj shqiptare, të paktën zyrtarisht, por një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe FSHF-ja të mërkurën në mbrëmje. Në sajtin zyrtar të federatës bjelloruse konfirmohet lajmi se kombëtarja e këtij vendi do të zhvillojë më 15 dhe 19 nëntor dy ndeshje miqësore. Të dyja në tokën turke. Më 15 nëntor, kundërshtari i Bjellorusisë do të jetë Shqipëria e drejtuar nga trajneri De Biazi, ndërsa katër ditë më pas, më 19 nëntor, kombëtarja e Turqisë.

Sulmuesi shqiptar i Litek Loveçit vazhdon të shkëlqejë në kampionatin bullgar

  Armando Vajushi, shkodrani i “dashuruar” me golin

  Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Armando Vajushi, po kalon një moment të artë në kampionatin bullgar. Shkodrani shënoi edhe dje në fitoren e thellë 4-0 të Liteksit të Loveçit ndaj Lokomotivës së Sofjes, duke treguar se është ndër më të mirët e skuadrës që kryeson bindshëm në Bullgari. Gil shënoi golin e parë për Liteksin në minutën 60’, ndërkohë që Armando Vajushi çeli serinë e golave në pjesën e dytë. Ish-lojtari i Vllaznisë shënoi në minutën e 52-të golin e 2-0, ndërsa Mahamat (65’) dhe Cvetanov (87’, kompletuan “pokerin portokalli” të Liteksit. Cvetanov shënoi pas asistit të Vajushit. Për Vajushin ky ishte goli i tij i pestë në këtë sezon. Armandoja i ka shënuar nga një gol Pirin Gotse Delchevit, Lyubimetsit, Slavias së Sofjes, Lokomotiv Plovdiv dhe Lokomotivës së Sofjes. Me Liteksin aktivizohet edhe mesfushor tjetër shqiptar, Jurgen Gjasula, i cili ka realizuar katër gola. Gjasula luajti deri në minutën e 66-të kundër Lokomotivës së Sofjes. Në kampionatin kinez, Jiangu Sainty i sulmuesit Hamdi Salihi humbi 1-0 me Qingdao Jonon, ndërsa në Kupën e Greqisë, PAS Janina e Andi Lilës dhe Emiljano Vilës pësoi një eliminim të turpshëm nga Aiganiakos e kategorisë së dytë greke, pasi humbi ndeshjen 1-0 (gol i Tsurlinof). Takimi i parë kishte mbaruar 0-0. Vetëm Vila luajti në këtë takim, por dhe ai u zëvëndësua në minutën e 35-të pas një dëmtimi.

 Tirana gjobitet me 50 mijë lekë

 Tirana mori një tjetër gjobë nga Komisioni i Disiplinës, dhe sërish 50 mijë lekë, pas sjelljes së gabuar të tifozëve së saj në ndeshjen me Besën. Kjo është hera e dytë për bardheblutë që gjobiten në këtë sezon. Deri tani janë dënuar me gjobë nëntë klube: pesë nga Kategoria Superiore, përkatësisht Vllaznia (50 mijë lekë), Laçi (50 mijë lekë) dhe Tirana (dy herë nga 50 mijë lekë), Skënderbeu (50 mijë lekë) dhe Teuta (50 mijë lekë). Nga Kategoria e Parë janë gjobitur tri skuadra: Luftëtari (50 mijë lekë), Burreli (50 mijë lekë) dhe Iliria (20 mijë lekë) si dhe një nga Kategoria e Dytë: Përmeti (50 mijë lekë). Kryesisht gjobat janë me nga 50 mijë dhe 20 mijë lekë të rinj. Motivet janë për mospërmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësisë për organizimin e një ndeshje futbolli, kore fyese të tifozëve ndaj gjyqtarëve, por dhe për hedhje të hedhje të sendeve të forta, duke goditur zyrtarin e ndeshjes.

  Jupi: “Azemi dhe Zelli nuk pranojnë të vishen kuqezi”

 Rinovimi i kombëtares shqiptare të futbollit këto vitet e fundit është një proces, që duhet ta ketë zanafillën te përfaqësueset e moshave. Kombëtarja U17, e cila u kualifikua sërish para pak ditësh për në “Elite Round”, është shembulli i suksesit të një pune që bëhet jo vetëm në fushën e gjelbër, por edhe jashtë saj.

“Unë me këtë jam i kënaqur, që ne shkojmë çdo vit me shpresa për kualifikim, duke rritur dalëngadalë edhe vizionin e politikat tona në raport me kundërshtarët dhe të tjerët”, tha Redi Jupi, shef i zyrës së zbulimit të talenteve në FSHF. Jupi thekson gjithashtu se dera e kombëtareve kuqezi mbetet e hapur për të gjithë ata futbollistë, të cilët mendojnë se janë lënë në harresë nga trajnerët e moshave. “Herë pas herë lojtarë dalin, siç është Januzaj, siç është Ismail Zelli me Volverhampton, i cili për momentin nuk pranon, siç është Ilir Azemi, i cili nuk pranon, Orhan Ademi etj. Është shumë kollaj për t’i evidentuar dhe për t’i thirrur këta lojtarë, këtu nuk është se ka ndonjë neglizhim nga ana jonë. Këtu ka vetëm kërkesa dhe lutje nga ana jonë”, përfundoi Jupi.