Bujar QESJA/ Po të pres Mustafa Saraçi!

922
Sigal

-Nga protagonistët më në zë të futbollit kavajas dhe durrsak në vitet 60-të

19 dhjetori 2014, ishte si të gjitha ditët e tjera. Janë ditët e fundit të vitit dhe secili përpiqet të mbyllë epilogun e tij sa më mirë. E ndërsa në rastin tonë, 19 dhjetori ka veçantinë e tij. Na lidh me një datë të dhimbshme, të një shoku e miku të mirë, të një prindi të përkushtuar, të një gjyshi të spikatur, por edhe të një njeriu që me atë të cilën dha në jetë është i destinuar jo vetëm të mos harrohet, por të kujtohet, kështu, edhe në formën e këtij profili të kushtuar enkas për të. Ky njeri brilant, me një zemër të madhe, me një fisnikëri të lindur, me një buzëqeshje që ia zbukuronte pamjen, krejt rastësisht me 19 dhjetor të vitit 2012 mbylli sytë, duke mbajtur gjithnjë të hapur kujtesën dhe vëmendjen tonë për të. Me 14 dhjetor 2012, së bashku me Feti Golashin (edhe ky nga titullarët e njohur të kësaj Teuta ku luante edhe Saraçi), erdhën dhe më takuan në aktivitetin që ushtroj, jashtë profesionit tim. Me thënë të drejtën, një gotë raki na e ndezi bisedën, e cila na dukej si një meze e zgjedhur, e bërë apostafat për atë ditë. Sa i gëzueshëm që ishte dhe jo vetëm mua, por edhe Fetiut i bëri përshtypje kënaqësia me të cilën ai e përcolli atë ditë bisedën me ne. –“Hë qerrata -më tha, paske raki të mirë. Do të vij përsëri pas disa ditësh, të ulemi më me terezi. Viti i ri po ofron dhe kënaqësia në këto ditë është shumë e madhe. Do të kujtojmë edhe Xhafën, babanë tënd të paharruar që e kam pasur mik të shkëlqyer dhe nuk harroj ndihmesën që ka dhënë ai për futbollin. Por le ta lëmë këtë e ti kthehemi kujtimeve, në një ditë të veçantë të jetës time. Me 5 mars 2013 mbush 75 vjetorin e lindjes dhe kam ndërmend të bëj një tryezë për miqtë, shokët dhe të afërmit. Jam i sigurt se do të kënaqemi. Kemi kaluar një jetë të tërë. Jo pak nuk i kemi më në mesin tonë dhe jam i sigurt se me 5 mars do ti përmendim. Hajde Bujar, miku im i mirë, po largohemi dhe takohemi pas pak ditësh”. E kujtoj si tani. E ku ta dija se ajo ditë do të shënonte ndarjen e fundit me një futbollist nga më të njohurit në vitet 60-të dhe nuk do të shiheshim më, duke vazhduar të më lejë edhe më tutje një brengë, që s’më le të qetë. 17 dhjetor 2012. Kam parë Feti Golashin, të vijë drejt meje me një pamje të pazakontë. Diçka duhet të ketë ndodhur mendova me vete, thjesht në formë telepatie siç i formulon populli këto raste.

-“Bujar po ngutem, -më tha Golashi, gjithnjë i urtë dhe i matur.- Fajës i ka rënë hemorragji cerebrale dhe e kanë dërguar urgjentisht në spital. Është shumë rëndë. Jam nisur për në spital”.
19 dhjetor 2012. Lajm i hidhur për ne miqtë e tij. Mustafa Saraçi mbylli sytë, pas dy ditësh agoni, me dëshirën e madhe për ti mbledhur shokët dhe miqtë në 75 vjetorin e lindjes. U trondita, por jeta edhe këto befasi aspak të dëshirueshme, i ka pjesë të saj. Një shok më pak, një mik më pak, por një kujtim dhe mall më shumë.

Prologu
Si çdo fëmijë, edhe Fajës i pëlqente të vraponte pas topit të futbollit, të thurte fantazitë e para të një lojtari të dëgjuar. Dhe vërtetë fati ishte me këtë vogëlush, i cili do të bënte një karrierë të pasur me ekipin e Besës dhe të Lokomotivës. Por xha Kadriu kërkonte ti shkollonte pesë fëmijët e tij, Ismeten, Mustafain, Skënderin, Naimin dhe Suzanën. Në Elbasan ishte pedagogjikja e njohur për kohën dhe Mustafa Saraçi iu nënshtrua studimeve në formë kursi. Ishin fillimet e viteve 50-të dhe kërkohej që të luftohej analfabetizmi. Pas shkollimit, caktohet të punojë në shkollën “Rreth Greth” të Kavajës dhe më pas edhe në shkollën “29 nëntori” në Durrës. Viti 1957 është i artë për futbollin e moshave në Durrës. Për herë të parë Lokomotiva del kampione me të rinjtë, me trajner Faik Dervishin dhe në formacion ishte edhe Mustafa Saraçi. Emri i Saraçit tonë filloi të bëhej i njohur, aq sa detyrimin ushtarak në vitet 58-59 e bëri pranë ekipit cilësor të Partizanit. Edhe në foton që bëjmë të njohur, Saraçi është përkrah legjendës Panajot Pano, Sul Maliqatit, Robert Jasharit, Luigj Bytyçit dhe Niko Bespallës. Pas Partizanit, Kavaja është destinacioni i ri i Fajës, ku tashmë emri i tij ishte bërë shumë i njohur. Për këtë moment Naim Saraçi shton:
-“Për Fajën krahas Kavajës interesohej edhe Durrësi. Njeriu i nderuar Ilias Reka, i dhënë shumë pas futbollit, kërkon që Faja të vijë në Durrës, po ashtu edhe unë që kisha nisur të luaja. Si shpërblim ofroi një hyrje me 2 dhoma e një kuzhinë. Kavaja ishte në rrethin e Durrësit dhe nuk mund të pengonte kërkesat që vinin nga kryeqendra e rrethit”. Kështu në vitin 1961, Saraçi u bë pjesë e Lokomotivës dhe qytetar aktiv i Durrësit. Teksa stërvitej në fushën e vjetër, u njoh me Lilianën nga fisi i njohur dhe punëtor i Muratëve. E bija e Shefqet Muratit, lidhi kurorë me djalin nga Kavaja, Mustafa Saraçi, dhe nga kjo martesë dolën ne jetë tri fëmijë si drita: Merita, Etleva dhe Fabiani. Etleva përfundoi studimet në degën e italishtes, ndërsa Fabiani inxhinierinë mekanike dhe tani drejton shkollën e mesme profesionale “Beqir Çela” në Shkozet. Faja ushqente një dashuri të pakufishme për familjen, për bashkëshorten e tij Lilianën dhe 3 fëmijët, madje deri tek nipërit dhe mbesat. I vuajti shumë shqetësimet shëndetësore të së shoqes dhe sa herë takonim më thoshte: “Kam Lilianën pa qejf, po do ti kalojë”. Dhe kujtoj ditët që e takonim në plazhin e Durrësit, ku Faja së bashku më Lilianën bënin ritualin e përditshëm duke ecur kilometra të tëra nga shtëpia në Durrës deri në Iliria dhe ktheheshin. Ngjallnin zili kur i shikoje dhe me humor i thosha sa herë: “Nuk ke për të vdekur kurrë Mustafa Saraçi, me këtë regjim që ndjek”. Dhe gjithnjë ta kthente me atë buzëqeshjen e tij tejet të veçantë, ku lexohej sinqeriteti, dashuria për shokët dhe miqtë. Gjatë ditës jepej edhe pas dy djemve të Fabianit, Kristelit dhe Kledit tashmë 10 dhe 12 vjeçarë. Njërin e priste sa të mbaronte mësimet në shkollën “Bedrie Bebeziqi” dhe tjetrin në shkollën “Jusuf Puka”. Dhe me këta dy yje i drejtohej shtëpisë, për të kryer detyra të tjera familjare. Por edhe nga shokët nuk ndahej. Është leksion më vete për brezin e futbollistëve të rinj, kultura, edukata, dashuria dhe respekti i pakufi që tregonin njerëz si Mustafa Saraçi dhe versnikët e tij ndaj njëri-tjetrit. Kam qenë prezent në disa takime ndër ta, ku kujtimet njerëzore, malli për shokët që si kanë më ndër vete, por edhe ato që s’kanë rast ti takojnë më, ishin emocionuese.

Karriera
Diçka dija edhe vetë, por biseda me Naimin dhe të birin Fabianin, që është foto kopje e të atit, plotësuan më së mirë angazhimin sportiv të Mustafa Saraçit, por edhe raportet me punën e përditshme. “Kavaja vdiste për Fajën, -kujton Naimi, duke shtrydhur kujtesën e tij aktive. Kur luante Besa, në fushën e vjetër mblidhej gati i tërë qyteti. Dhe djali kavajas ia shpërblente këtë vëmendje dhe dëshirë të shikuesve me lojë të bukur dhe gola rezultativë. Faja luante në Kavajë, kthehej në Durrës ku doli kampion me të rinjtë në vitin 1957 dhe më pas
Kavaja e priste si djalin e saj të shtëpisë. Pas klubit të Partizanit, ku karriera e të riut Mustafa Saraçi arriti kulmin, Besa ishte sërish destinacioni i tij. Por për futbollistin 23 vjeçar filloi të interesohej seriozisht edhe Lokomotiva e Durrësit, e cila hodhi jo vetëm “grepat”, por edhe parangallët për të zënë “gjahun” e majmë Mustafa Saraçi. Dhe nga 1961-62 e deri në 1970, Lokomotiva kishte si titullarë, një sulmues race si Saraçi. Faja gjithnjë në formacion, gjithnjë problematik në krahun e djathtë të sulmit, ku numri 7 i hapte punë cilitdo ekip që luante me Lokomotivën. Mustafa Saraçi e kishte lidhur jetën e tij me futbollin, ku pasi vari këpucët në gozhdë si futbollist, mbathi ato të trajnerit. Autori i këtyre radhëve kur luante me ekipin Shpresa të Lokomotivës, drejtohej nga dyshja autoritare e futbollit Mustafa Saraçi dhe Nikolla Çeta. Më tej Saraçin e shikojmë teksa drejtonte ekipe të moshave, duke stërvitur edhe futbollistin e njohur Shyqyri Ballgjini, ekipin e të rinjve, deri në ekipin e parë të Lokomotivës së fundviteve 70-të, ku luanin të mirënjohurit Agim Bulku, Mir Hima, Alfred Filjari, Vladimir Ajazi, Agim Çela, Osman Kapidani, Niko Jani, Lut Sejdini, Agim Likmeta, Il Hajdari, Sif Ristani etj.

Vazhdimësia
Gërmonim në familjen, e zgjeruar tashmë, Saraçi se a kishte ndonjë vazhdues të sulmuesit të krahut të djathtë, me fanellën me numër 7. Dhe Fabiani ngutet të na mbrojë pyetjen që i bëmë dhe ti japë asaj një përgjigje të shpejtë: Për fat të mirë, po! U gëzuam pa masë. Dhe praktika është e gjallë jo në Shqipëri, por në Amerikën e largët, por shumë të dashur për ne shqiptarët. Studenti i vitit të parë në degën e inxhinieri ndërtimi në universitetin e Bruklinit, Grei Mujko. Djali është futbollist në rolin e sulmuesit të krahut të djathtë. Dardha bie mbi dardhë dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe. Nip me dy gjyshër futbollistë. Met Mujko, futbollist i spikatur në shoqërinë e famshme sportive BEF, Mustafa Saraçit, njërit nga futbollistët më të spikatur të Lokomotivës së viteve 60-të.

Epilogu
E në mbyllje të këtij materiali kushtuar Mustafa Saraçit, si një detyrim që në të gjallë të tij, nuk mund ti përmbajmë mesazhet që sjell 19 dhjetori 2014. Plot dy vite që jemi ndarë nga Saraçi, por ajo buzëqeshje e tij, e varur në buzë si një lule maji aromndjellëse, nuk ka për tu shqitur kurrë. Jo vetëm si një detyrim, si i biri i Xhafer Qeses, mikut të respektuar të kohës së futbollit të Fajës, por edhe si detyrë për të qëmtuar ëmbël dhe mirë në profilin e tij aktiv njerëzor dhe sportiv. Ne u ndamë përkohësisht me 14 dhjetor 2012 me Fajën e mirë dhe të buzëqeshur, për tu takuar shpejt. Dhe mua më duket sikur ai do të vij një ditë, pa ditur se çka ndodhur me të. Dhe unë po e pres! Mustafa Saraçi sigurisht do të vijë së bashku me shokët, për të vazhduar bisedat e lënë në mes, për të kujtuar vitet e arta të sportit dhe të jetës. Dhe ai do të vijë, ja kështu si tani, nëpërmjet kujtimeve më të mira që thurim për të. 19 dhjetor 2014. Dy vjetori i vdekjes së Mustafa Saraçit, por njëkohësisht edhe kremtimi i përvjetorit të pavdekësisë së tij. Dhe unë po të pres Mustafa Saraçi, me vështrimin nga kujtimet. Po të pres…!