Bujar QESJA/ Lamtumira e fundit e futbollistit të viteve 30-të Muharrem Rrugia

690
Sigal

Fundi i vitit 2014, shënon një humbje të ndjeshme për futbollin durrsak dhe atë shqiptar. Pushoi së rrahuri zemra e të vetmit përfaqësues të futbollit të viteve 30-të, të Teutës së njohur të asaj kohe, të futbollistëve të mëdhenj dhe historikë. E kisha takuar disa herë këtë njeri dhe më vjen keq që planet që kisha për t’iu kushtuar jetës së tij nuk i realizova që kur ishte gjallë. Jetoi 95 vjeç sipas dokumenteve personale, por të afërm të tij pohojnë se ai donte edhe dy vite të mbushte plot 100 vite jetë. Edhe në këtë aspekt, që u largua nga jeta një 98 vjeçar është një dukuri e pritshme, që janë të rrallë ato që ngjiten në këtë lartësi moshe. Muharrem Rrugia ishte një luftëtar i përpjekjeve për liri të popullit tonë me armë në dorë, i dalluar në rezistencën e luftës antifashiste të popullit tonë. Lindi në Shkodër, i përqendruar në Durrës duke punuar që i vogël në fabrikën e njohur të duhan cigareve, e më pas veprimtaria si një luftëtar i luftës për liri e vendosi në zonën Lushnje dhe Berat. 98-të vjeçari ynë kreu disa detyra me rëndësi pas çlirimit, ku më kryesorja është ajo e prokurorit të qarkut të Durrësit. Sensi masiv, serioziteti në kryerjen e detyrave, përkushtimi ndaj cilitdo që kërkonte interesimin e tij, janë disa nga dukuritë thelbësore të karakterit dhe formatit të tij intelektual. Jo vetëm në Durrës, por edhe në mjaft qytete të tjera, Muharrem Rrugia kishte shumë miq dhe shokë të cilët ruajtën një respekt dhe simpati të veçantë për të.
Më parë futbolli dhe …
Nuk arrita ta “shtrydh”një ditë tërë vëmendjen e tij, pasi ekrani i kujtesës i ishte krisur disi. Por kujtonte me shumë mall Eqerem Arapin, Naxhi Stringën, Milorad Jeremiqin, Anastas Moisiun, Fiqiri Tartarin, Kol Tiranën, vëllezërit Margariti (Orestin dhe Ritin), armenët e famshëm të Durrësit Ballxhan dhe Bodikian që janë në foton që botojmë. Pas vitit nga viti 1935 e më këtej, Rrugia ishte futbollist i formacionit bazë të Teutës dhe luante në pozicionin e sulmuesit. Në foton e vitit 1936 Muharrem Rrugia është i pesti, duke nisur nga krahu i djathtë, ku dallon qartë i paharruari portieri Milorad Jeremiqi. Ndërsa i parafundit është intelektuali i njohur durrsak dhe një nga figurat qendrore të luftës për çlirim Nako Spiro. Kujton me shumë nostalgji kohën kur luajti, duke qenë të spikatur dukshëm jo vetëm për frymën dhe shpirtin e garës, por edhe të nivelit dhe teknikën tërheqëse për kohën. Por një foto shumë interesante, që pasuron arkivin e gazetës “Telegraf”, është ndeshja miqësore e zhvilluar në korrik të vitit 1935 me ekipin e Podgoricës (Mali i Zi), ku Teuta fitoi me meritë 3-2. U dalluan lojtarët e të gjithë ekipit, të cilët janë emra shumë të njohur dhe me karrierë intelektuale të pasur në Durrës në vitet e pas çlirimit. Do të veçonim juristin Muharrem Rrugia, arsimtarin nga më të njohur në Durrës Mit’hat Hoxhën, arkitektin e pazëvendësueshëm Vlash Goga, farmacistin e shkëlqyer që kishte mbaruar studimet në Itali Mikel Nushi, Nani Sallata, drejtuesi i organeve sportive në Durrës dhe trajner i Lokomotivës së mëvonshme Tom Gjiri, vazhduesi i Niko Dovanës së famshëm në portë Milorad Jeremiqi, që mbaroi studimet në universitetin e sportit në Bullgari etj. Vlerë tjetër e këtij protagonisti dhe e shokëve të tij, ishte edhe që sportin e shikonin si formim të
edukimit fizik dhe edukativ, por pa lënë pas dore edhe formimin e tyre kulturor e intelektual. Muharrem Rrugia mbahej si ujët e pakët, pikërisht për këtë që ishte i vetmi i gjallë i futbollit të viteve 30-të. E ku mund të ketë 98-të vjeçar të dytë, ma do mëndja jo vetëm në Durrës por as edhe në Shqipëri. Sikur edhe për këtë fakt të vetëm, largimi nga jeta i Muharrem Rrugisë është një humbje e madhe. Është në vlerë të Federatës Shqiptare të Futbollit, që me rastin e 80 vjetorit të krijimit të kësaj federate në vitin 2010, ti akordonte futbollistit të Teutës të mesit të viteve 30-të medaljen “Mirënjohje e futbollit”.
… më pas shoqata sportive e gjuetarëve
Derisa doli në pension, Muharrem Rrugia u caktua me detyrën e Kryetarit të Shoqatës Sportive të Gjuetarëve të Durrësit, apo siç njihet ndryshe klubi i gjuetarëve. Pa diskutim shoqata më autoritare në vend. Klubi i gjuetare në Durrës, ishte njëlloj i famshëm sikur ti referohej organeve shtetërore. Dhe kjo është tjetër vlerë dhe meritë e 98-të vjeçarit të ndarë tashmë nga jeta Muharrem Shabani. Miku ynë Gazmend Delvina na ofroi një foto tejet të rrallë, që daton me vitin 1945 ku paraqiten katër intelektualë, njëri prej të cilëve italian. Është intelektuali Hajdar Delvina dhe më pas vjen Muharrem Shabani dhe i mirënjohuri tjetër Dud Aleksi. Është një çast gjuetia nga ana e tyre. Edhe sot e kësaj dite, Shoqata e Gjuetarëve të Durrësit mbetet pikante për aktivitetin e saj, si një refleks i traditave të hershme, ku ndihmesa e Muharrem Rrugisë është e një rëndësie të veçantë. Shfrytëzimi në maksimum i ajrit të pastër teksa gjuante vazhdimisht, veçanërisht me tonja, lëvizjet e pandërprera me këmbë edhe në moshën e tanishme, ruajtja e humorit dhe e kënaqësisë kur takonte me miqtë dhe shokët, bisedat e këndshme që zhvillonte, respekti i madh që tregonte edhe ndaj fëmijëve e bënë Muharrem Rruginë një figurë shumë të dashur dhe popullore në Durrës. Por futbollin kurrë nuk e harroi. Për të dhe shokët e fëmijërisë kur luajti, mbeten nga detajet më të vyera të tij. Vdekja para disa muajve e të birit Mentorit, këtij piloti dhe ushtaraku të shkëlqyer ndikoi në moralin e tij, aq sa nuk mungonte ta shprehte. Donte ti tregoje se si shkon futbolli durrsak, ashtu si deri pak ditë para se të mbyllte sytë, ndiqte me vëmendje klubin që donte aq shumë- Mançester Junajtid. Bënte përshtypje shëndeti i tij i fortë. Thonë për të se nuk ka pirë qoftë edhe një aspirinë të vetme. Moto e
jetës së tij ishte vetëm lëvizja dhe natyra. Ndoshta janë këto dy faktorë që ndikuan në jetëgjatësinë e tij.

Kujton Vilson Bihiku:
-Shkoja vazhdimisht tek Muharremi. Kishte muhabet të ëmbël dhe ishte shumë optimist. Qëllova edhe atë ditë që ai u godit papritur nga një ishemi cerebrale. Po diskutonim për sportin. Ishte shumë në formë. Teksa po flisja sikur vërejta se nuk po më ndiqte me vëmendje. E po thashë po iki, se mos kërkon të qetësohet. Por Muharrem Rrugia nuk të linte të largoheshe pa të përcjellë. Ngrihet por nuk mundi të vazhdonte më të bënte qoftë edhe një hap të vetëm. Ofrojmë ndihmën mjekësore të specialistëve, të cilët konstatuan se Muharrem Rrugia ishte goditur nga një ishemi cerebrale. Pas kësaj sytë e tij nuk u hapën më.
Kështu u largua nga jeta, me një përshtypje jashtëzakonisht dinjitoze, futbollisti i vetëm i gjallë i viteve 20-30-të të Teutës, intelektuali i njohur, babai i dy sportistëve kampionë të mundjes durrsake Ilirit dhe Paqësorit, i Mentorit dhe Dikut dhe i vajzës së vetme Mirsijes, me një jetëgjatësi për t’ia pasur zili, për të mbetur i gjallë në memorien e qytetarëve durrsake njeriu i mirë dhe fisnik Muharrem Rrugia.