Botërori i atletikës, Gega synon sot medaljen në 3 mijë metra me pengesa

35
Sigal

Detyrën e parë e kreu me sukses përtej shqetësimit të madh.

Luiza Gega do të ketë sot finalizimin e ëndrrës së saj në Kampionatin Botëror të Atletikës.

Kampionia e Europës në fuqi do të konkurrojë në garën fundore të 3 000 metrave me pengesa në orën 21:05, me objektiv zonën e medaljeve dhe rekordin kombëtar.

Frika ishte e arsyeshme në gjysmëfinale, pasi 34-vjeçarja ishte e dëmtuar dhe me fizioterapi për dy javë me radhë, por për fat gjithçka kaloi shumë mirë.

Shumë mirë duket edhe forma në prag të garës në pistën e stadiumit të Budapestit, ndërsa trajneri I saj Taulant Stërmasi informoi për Abc-në sot paradite se gjendja e Gegës në stërvitje ishte shumë lart.

Pasi dha kohën shumë të mirë 9’17”71 në gjysmëfinale, steka do të jetë shumë më lart mbrëmjen e sotme.

Ajo do të luftojë për medalje me 15 atlete të tjera të nivelit elitar botëror, ndërsa rekordi kombëtar I Gegës në garën e saj të preferuar është 9’10”04, vendosur në Botërorin e vjetshëm në Juxhin të Oregonit në SHBA ku ajo doli e pesta.

Që shqiptarja të arrijë tek medalja, ajo duhet ta ulë ndjeshëm kohën, si dhe të ketë fat.