Sigal

Nga Agron KAJA

Në sezonin e kaluar 2017-2018, skuadra e Bylist të Ballshit ishte njera nga skuadrat pretendente për tu ngjitur në Kategorinë Superiore, por duke qenë në grup me Tiranën, ballshiotët nuk i rezistuan deri në fund këtij synimi. Ndërsa në këtë sezon, rivalët nuk mungojnë, por në Ballsh kanë bërë revolucion të vërtetë këtë vit, për të arritur atje ku ku kanë synuar prej dy vitesh radhazi, dhe dy herë janë mposhtur nga Lushnja dhe Tirana.

Në javën e parë Bylisi humbi në transfertë ndaj Egnatias 0-1, por trajneri boshnjak, Veljko Dovedan deklaron se ky do të jetë një sezon shumë i mirë për Bylisin. “Unë mendoj se do ky të jetë një sezon shumë i mirë për Bylisin, edhe pse në javën e parë të Kampionatit humbëm minimalisht ndaj Egnatias. Momentalisht kemi lojtarët e duhur për të arritur atje ku duam, dhe vetë si trajner e kam të qartë mënyrën e lojës”, kështu theksoi dje Dovedan për gazetën “Telegraf”, i cili theksoi më pas se ky ekip do ti zbavisë edhe tifozët, madje që në ndeshjen e sotme që presin Turbinën në Ballsh.

“Në këtë sezon, do të jemi ekip sulmues dhe do të zbarisim tifozët. E dimë se çfarë do presidenti, dhe këtë do e arrijmë, që nga ndeshja e nesërme (sot) me Turbinën”, ishte kjo deklarata e teknikut të mallakastriotëve, Veljko Dovedan, i cili është afruar gjatë javëve të kaluara në Ballsh, dhe është përshtatur me ambientin në skuadër, me kërkesat e drejtuesve dhe të tifozëve ballshiotë.

Ndoshta ky mendohet se do të jetë viti i rikthimit të Bylisit në elitë, por në këtë rrugë të gjatë nuk duhen harruar edhe Apolonia, Lushnja dhe Tomori, të cilët kanë bërë ekipe cilësorë për tu ngjitur në Kategorinë Superiore. Ndërsa këtë verë, Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj ka siguruar një kompleks stërvitor, ku pritet që të shtojë palestrën dhe hotelin, edhe nga këta tregues ai e kërkon Superioren. Aktualisht Bylisi renditet në vendin e 8-të me zero pikë në 1 ndeshje, dhe sfida e sotme me Turbinën, do të jetë edhe një rikthim te fitorja.

Kategoria e Parë do ti luajë ndeshjet e javës së 2-të të shtrira në dy ditë, të shtunën dhe të dielën.