Biletat kundër Norvegjisë, FSHF-ja frikë nga falsifikimet dhe “tregu i zi”

464
Sigal

Faqe 21

Federata u bën thirrje qytetarëve: “Denonconi pranë organeve kompetente cilindo që abuzon me çmimet”

 Federata Shqiptare e Futbollit i trembet shumë faktit se, biletat e ndeshjes Shqipëri-Norvegji mund të përfundojnë në “tregun e zi” me një çmim të kripur, shumë më të shtrenjtë se ai zyrtar, kjo dhe për fakti e interesimi të jashtëzakonshëm për sfidën e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014. Në një njoftim zyrtare, FSHF-ja njofton të gjithë tifozët dhe të interesuarit se për ndeshjen Shqipëri–Norvegji, e cila do të zhvillohet më 7 qershor 2013 (ora 20.30) në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, shitja e biletave fillon më datë 4 qershor në pikat e shitjes në Tiranë, më saktësisht në stadiumin “Qemal stafa” dhe tek rruga e “Barrikadave”. Data e vonuar e daljes në treg te biletave lidhet vetëm me mbrojtjen që FSHF-ja do t’i bëjë publikut dhe tifozëve të shumtë nga “tregu i zi”, pra nga ata abuzues që i blejnë biletat me qëllimin e vetëm për t’i rishitur ato me çmime më të shtrenjta. Çdo biletë ka të shtypur mbi të çmimin dhe çdo vlerë tjetër e ndryshme nga ajo mbi bilete është një abuzim që duhet denoncuar pranë organeve kompetente. Gjithashtu, sugjerojmë të gjithë tifozët që të jenë shumë të kujdesshëm edhe ndaj fenomenit te falsifikimit të biletave. Biletat e prodhuara nga FSHF do të kenë elemente sigurie të dukshëm dhe padukshëm me sy të lirë. E vetmja mënyrë për t’u siguruar nëse biletat janë të rregullta, është kontrolli me pajisje të veçanta në hyrjet e stadiumit. Nisur nga kjo, këshillojmë të gjithë të interesuarit të blejnë bileta vetëm në pikat zyrtare të shitjeve. Fakti qw, shumw shpesh janw falsifikuar biletat e ekipit kombwtar dhe janw ndaluar disa persona, i ka bwrw mw vigjilente organet e specializuara tw krimit ekonomik, tw cilwt duhet thwnw se e kanw fituar betejwn me shitwsit e “tregut tw zi”. Ndeshja Shqipëri-Norvegji do të gjykohet nga skocezi Uilli Kollum. 34-vjeçari konsiderohet si një nga gjyqtarët që mund të mbajë nën kontroll të ashtuquajturat ndeshje të rrezikshme dhe që kanë shumë tension brenda saj. Gjyqtari skocez ka një eksperiencë të gjatë 20-vjeçare dhe nga viti 2006 ai është gjyqtar i FIFA-s. Së fundi ai gjykoi finalen e Kupës së Skocisë, midis Hibernian dhe Sëlltikut, si dhe miqësoren midis Anglisë dhe Irlandës. Ai vlerësohet si një nga 24 gjyqtarët më të mirë në botë, një listë kjo e hartuar nga FIFA me arbitra të elitës. Aktualisht, Shqipëria ndodhet në vendin e 43-të në FIFA (rekord historik), ndërkohë që Norvegjia renditet e 31-ta.

Çmimet e biletave janë:

 Tribuna Qendrore A+B 8000 lekë (kat.1)

Tribuna Qendrore A+B 5000 lekë (kat.2)

Tribuna D2           3000 lekë

Tribunat D1 & D3     2.000 lekë

Tribunat C dhe E     500 lekë

Shqipëria e vogël nis përgatitjet kundër Hungarisë

  Kombëtarja U-21 ka nisur prej disa ditësh përgatitjet për sfidën së 7 qershorit ndaj Hungarisë në Tiranë, një takim ky i vlefshëm për eliminatoret e Kampionatit Europian 2015. Shqipëria ndodhet në një grup edhe me Spanjëm, Austrinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Trajneri Skënder Gega shpalli dje listën e 23 lojtarëve ku janë edhe disa emra të rinj, si dhe shumë futbollistë që luajnë jashtë vendit. Ndeshja kundër Hungarisë do të luhet në “Niko Dovana” e Durrësit, pasi në “Qemal Stafa”, në të njëjtën ditë do të luhet Shqipëri-Norvegji. Skuadra është duke zhvilluar dy seanca stërvitore, ku spikasin ushtrime të një karakteri më fizik, veprime taktike dhe lojë me top.

LISTA

Portierë

Orestis Menka   Levadiakos

Tomas Strakosha Lacio

Mbrojtës

Valentin Gjokaj Derbi Kountri

Harrallamb Qaqi Vareze

Elvis Prençi    Partizani

Shpend Matoshi  Kiaso

Amir Rrahmani   Drenica

Bruno Dita      Besa

Jurgen Vogli    Shkumbini

Eni Imami       Dinamo

Mesfushorë

Imran Bunjaku   Grashopers

Alfred Deliallisi Teuta

Klodian Gjino   Olimpiakos

Idriz Batha     Besa

Gjelbërim Taipi Shkëndia Tetovë

Dorian Kërçiku  Skënderbeu

Herolind Shala  Odd Grendland

Gersi Delia     Basekourt

Emiliano Musta  Shkumbini

Sulmues

Fabio Hoxha     Novazano

Haxhi Neziraj   Lucern

Vasil Shkurtaj  Tondela

Trajner: Skënder Gega

Bulku: “Duhet ta fitojmë ndeshjen!”

 Mesfushori me përvojë Ervin Bulku e konsideron të rëndësishme ndeshje kundër Norvegjisë. Gjatë konferencës në rezidencës së Kombëtares në Durrës, ai tha se skuadra ndihet tepër e motivuar.

 – Bulku, si është atmosfera në ekipin Kombëtar, gjatë këtyre ditëve?

– Nuk ka vend për entuziazëm. Ky grumbullim ka filluar si gjithë herët e tjera, për t’u përgatitur për këtë ndeshje që është shumë e rëndësishme dhe shumë e vështirë. Ne duhet të bëjmë më të mirën, pasi një rezultat pozitiv na shkurton disa kilometra për të shkuar në Brazil.

– Në mungesë të Canës, mund ta merrni ju shiritin e kapitenit…

– Nuk është fare e rëndësishme se kush do të jetë kapiten. E rëndësishme është që të jemi të gjithë bashkë në këtë mision që kemi përpara dhe të bëjmë më të mirën për ekipin kombëtar.

– Norvegjia është një ndeshje ku varet edhe ecuria në këto eliminatore. Sa të përgatitur jeni?

– Të gjithë e dimë që duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Por kjo nuk është diçka që pritet me thikë që ne duhet ta fitojmë dhe do ta fitojmë. Ky është futboll prandaj është dhe një nga sportet më të bukura se nuk dihet asnjëherë se çfarë ndodh. E thashë dhe më parë që të gjithë bashkë do të bëjmë më të mirën tonë, të japim 100% tonë, sepse po nuk dhamë të gjithë maksimumin nuk mund të arrijmë aty ku shpresojmë të gjithë së bashku.

– Kujt lojtari i druheni më shumë?

– Nuk i druhemi ndonjë lojtari të veçantë, por ne duhet të bëjmë diçka më shumë se sa bëmë në Norvegji, pasi ata tani i dinë vlerat e ekipit kombëtar shqiptar, sepse atje ndoshta ata mund të kenë pasur ndonjë shenjë nënvlerësimi. Tani ata e dinë forcën tonë dhe do të vijnë këtu me tjetër vlerësim, ku edhe me një barazim do të ishin të kënaqur siç ka qenë dhe deklarata e bërë nga ana e trajnerit norvegjez.

Agolli: “E dimë forcën tonë”

 Ansi Agolli është një nga lojtarët më stabël në ekipin Kombëtar. Mesfushori polivalent, i cili luan në Azerbajaxhan, konsiderohet tepër i vlefshëm për trajnerin Xhani De Biazi.

 -Agolli, si i vlerësoni kundërshtarin?

-Tani dihet forca e norvegjezëve, dihet dhe forca jonë. Kjo ndeshje do të jetë shumë e fortë për ne, ashtu siç ishte në Norvegji, kështu që do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.

– Do të mungojë Lorik Cana, sa e ndjeni mungesën e tij?

– Cana është një lojtar i rëndësishëm, sidomos në repartin e mbrojtjes, pasi ka një kohë të gjatë që luan me kombëtaren dhe ekipi është mësuar me të. Por mendoj se trajneri do të bëjë zgjedhjen e duhur për ta zëvendësuar dhe ai që do ta zëvendësojë do të japë më të mirën në shërbim të ekipit.

– Shumë prurje të reja në skuadër. Cili është mendimi juaj?

-Mendoj se lojtarët që kanë ardhur e kanë ndihmuar ekipin kombëtar, sidomos në cilësi. Për këtë flasin vetë rezultatet.

– Sa e rëndësishme është kjo ndeshje?

Kjo është një ndeshje mjaft e rëndësishme për ne, pavarësisht se kemi dhe ndeshje të tjera për të luajtur, ku tre prej tyre do t’i luajmë në transfertë. Luajmë në fushën tonë dhe është tejet e rëndësishme që të mos humbim, pastaj 90 minutat do ta tregojnë se si do të dalim.

– Çfarë duhet të ndryshojë ekipi për të përsëritur suksesin e Oslos?

– Ekipi nuk ka çfarë të ndryshojë, por do të gjejmë një Norvegji tjetër. Nuk do të kemi përballë atë Norvegji që pamë në Oslo, por një tjetër, më të motivuar që do të vijë këtu për të marrë një rezultat pozitiv.