Berisha, dy herë huq me futbollin

498
Sigal

LIGA MBARËKOMBËTARE/ Premtimi për krijimin e saj, lojë pa top në skrivanitë e topkëmbës

Një herë në dy vjet, nga Kryeministri ynë duket se do të kemi nga një lajm interesant që lidhet me futbollin shqiptar. Por, më shumë se lajme që i përkasin fushatave elektorale, deklaratat e tij për futbollin, më së shumti  dalin edhe si një lojë pa top që hidhet në tavolinat e institucioneve që kanë në dorë ta zhvillojnë futbollin sipas rregullave ligjeve përkatëse, si ato vendore, evropiane e botërore. Dhe kryeministri ynë me karizmën e tij për t’u pasur zili në fushën e lojës, e nisi këtë garë lajmesh interesante tri vite më parë (tetor 2010) në festën e 85-vjetorit të krijimit të FSHF-së, teksa në prezencën edhe të Presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, deklaroi se në festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë (nëntor 2012), Shqipëria do të kishte stadiumin e ri të saj. Ky lajm, natyrisht që bëri xhiron nëpër Shqipëri dhe më gjerë, por që shumë shpejt doli si një flluskë elektorale, pa një bazë ligjore në thënien e tij. Vetë FSHF-ja, si institucion që kishte marrë edhe disa miliona nga eprorët e saj në Europë, u tregua e gatshme për ta bërë realitet një stadium modern, por gjatë rrugës na doli se kryeministri nuk kishte marrë parasysh asgjë nga realiteti dhe basueshmëria ligjore që duhej për ta ndërtuar këtë stadium. Madje edhe sot, pasi kemi kaluar dy muaj nga festimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit tonë, stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” ende nuk i janë luajtur themelet e shkallëve të tij. Ky ishte premtimi i parë që e nxori huq Kryeministrin me komunitetin e futbollit, ndërkohë që disa ditë më parë, pasi luajti “tallava” me idenë e bashkimit të Shqipërisë së madhe (dhe mirë bëri), e “kruajti” përsëri gojën me futbollin, teksa në ajër hodhi një kapsollë nga ato të vitit të ri (që nuk plasin), për krijimin e Ligës Mbarëkombëtare të futbollit. Që një kryeministër të flasë edhe për futbollin e vendit të tij, kjo nuk ka asnjë gjë të keqe, madje është një nder që ai i bën këtij sporti kaq popullor në Shqipëri kur interesohet për mbarëvajtjen e tij. Por në rastin konkret, kur për krijimin e një Lige Mbarëkombëtare të futbollit flitet përçart, pa ju referuar ligjeve e realitetit të ngritjes së saj, kjo ide nuk është aspak në shërbim të topkëmbës. Në rastin konkret, nga ana e Kryeministrit tonë, lajmi për krijimin e Ligës Mbarëkombëtare duhej të bëhej publik, pasi të ishte shoshitur nga këshilltarët e tij juridikë e sportive e nga MTKRS-ja si institucion shtetëror që mbulon sportin në vendin tonë, e më pas, të ishte bërë një punë e përbashkët propagandistike me vendet e zonat e banuara nga shqiptarë në rajonin tone që do të ishin anëtarë të kësaj lige. Dhe pasi të ishte konsumuar si ide edhe me FSHF-në, e cila nga ana e saj ta kishte “pjekur” me FIFA-n dhe UEFA-n, atëherë do ta quanim një lajm serioz dhe të besueshëm që do t’i shërbente futbollit e më gjerë në rajonin tonë me popullsi shqiptare. Por, kryeministri ynë duhet të kishte parasysh edhe faktin se futbolli shqiptar është në “listën e zezë” të trukimeve, element ky që do ta frenonte Evropën që ta lejonte ligën, e nga ana tjetër, do të frenonte edhe Kosovën e më gjerë që të bashkëpunojnë me një futboll të trukuar. Duhej kështu, pasi në këtë kohë krize që po kalon Evropa, e brenda saj edhe Shqipëria me shtetet fqinjë, krijimi i një lige të tillë ka një kosto të lartë financiare. Sepse, duke ju referuar vetëm Kategorisë Superiore shqiptare, ku dhe mund të jetë baza e krijimit të Ligës Mbarëkombëtare, aty ka skuadra pa financa që mëshirohen nga bashkitë respestive vetëm për interesa elektorale, ka skuadra të cilat nuk kanë fusha të përshtatshme, apo edhe stadiume që duhet të kushtëzojnë ngritjen e kësaj lige. Më tej, duke kaluar në infrastrukturën e Kosovës, që është edhe më e afërta me këtë ligë, është shumë larg të thuhet se futbolli këtu është në rrugën e Evropës. Aq më keq që Kosova si shtet i ri nuk është pranuar në FIFA dhe UEFA, në dy organizmat e futbollit që japin “OK”-in e ligës. Do të ndodhte kështu me ne, ndoshta si skuadra uellsiane e Suonsit që merr pjesë në Premier Ligën angleze të futbollit. Kështu kanë vepruar shtetet më standarde të larta në futboll, dhe kështu do të duhet të veprojmë edhe ne për këtë Ligë Mbarëkombëtare, e cila do kohë që të krijohet. Deri atëherë, sa të krijohen kushtet e plota juridike për krijimin e saj, përgjegjësinë e një lajmi të tillë të pa “gatuar” mirë, le ta mbajnë drejtuesit e MTKRS-së dhe këshilltarët e Kryeministrit, të cilët lejuan që ky të jetë një lajm i keq i radhës për topkëmbën shqiptare dhe atë mbarëkombëtare.

ÇFARË THA KRYEMINISTRI

 Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë të premten e shkuar riktheu në skenë idenë e krijimit të një lige mbarëkombëtare të futbollit. Kreu i ekzekutivit shqiptar i kërkoi ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, që të ulet e të punojë me homologun e tij kosovar për shkrirjen në një të ligës së futbollit për të dyja vendet. “Uluni dhe bëjeni projektin bashkë me ministrin kosovar. Nëse rregullat përkatëse e lejojnë, të përfshihen të gjitha skuadrat në një kampionat mbarëkombëtar. Kjo është rruga për të shpalosur të gjithë potencialet dhe talentet në futboll. Ta nisim me futbollin dhe të fuqizojmë tregun e futbollit, për të nxjerrë një numër sa më të madh yjesh”, – tha kryeministri.

 NENI 79

1 – Nuk mund të zhvillohen ndeshje apo të lidhen kontakte sportive mes anëtarëve ose shoqatave që nuk janë anëtare të FIFA-s, apo që nuk u përkasin konfederatave a klubeve të tyre, pa marrë aprovimin e FIFA-s.

2 – Ndalohet zhvillimi i ndeshjeve kundër skuadrave, lojtarët e të cilave nuk i përkasin një klubi apo lige që lejohet nga FIFA.

3 – Anëtarët dhe klubet e tyre nuk lejohen të zhvillojnë ndeshje në territorin e një vendi që nuk është pranuar në FIFA.

“Tifozat Kuq e Zi”: Ja si bëhet Liga Mbarëkombëtare!

 Grupimi më i madh i tifozëve të Kombëtares Shqiptare, Tifozat Kuq e Zi ka lëshuar një komunikatë për shtyp ditën e sotme, me anë të të cilës ka paraqitur edhe idenë e realizimit për Ligën Mbarëkombëtare të Futbollit. Ata kanë kërkuar që në këtë ligë të mos përfshihen vetëm ekipe nga Shqipëria dhe Kosova por edhe nga Ilirida dhe Malësia thuhet në komunikatë. Gjithashtu ata nuk kanë lënë pa kritikuar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës, që sipas tyre i ka përdorur ata si mjet presioni që Kosova të pranohet në FIBA e jo që ta bashkojnë ligen e basketbollit me Shqipërinë. Më poshtë po japim të plotë komunikatën për media: “

Tifozat Kuq e Zi prej vitesh kanë hedhur platformën për bashkimin e ligave në futboll. Me vëmendje të madhe po i ndjekim zhvillimet e fundit për krijimin e një kampionati kombëtar gjithëshqiptar.

Tifozat Kuq e Zi poashtu janë thellësisht të zhgënjyer me disa federata( në veçanti Federatën e Basketbollit të Kosovës), e cila kishte kërkuar nga ne që të përkrahnim nismën për një ligë të përbashkët të basketbollit, derisa pak muaj më vonë pas pranimit (me kushte të skuadrës së Prishtinës në Ligën Ballkanike), u tha se nuk u intereson më bashkimi në një ligë, pasi qëllimi tashmë ishte arrirë, që të bëhej trysni tek FIBA! Kjo është dyfytyrësi dhe është “thikë pas shpine” për Tifozat Kuq e Zi, të cilët përkrahin çdo iniciativë qëllimmirë për bashkimin e sporteve andej e këndej Morinës, dhe jo vetëm. Tifozat Kuq e Zi konsiderojnë se Superliga e Futbollit e Shqipërisë, nuk mund të quhet “Kampionati Kombëtar” përderisa në gjirin e saj ka vetëm ekipe nga 29.000 km e saj. Kampionati kombëtar përveç ekipeve nga Shqipëria e Kosova duhet të përfshij edhe ekipet shqiptare në Iliridë dhe ato në Mal të Zi. Nuk është hera e parë që ju drejtohemi, politika, qeveritë dhe federatat janë informuar prej kohesh si realizohet kjo pa i marrë leje askujt! Pse nuk e realizojnë të përgjigjen ata. Duam vepra, Jo fjalë. Për të treguar që Tifozat Kuq e Zi nuk janë organizëm që japin vetëm kritika, por që ofrojnë edhe zgjidhje për kritikat që japin, po japim një zgjidhje, konkretisht: Statuti i FIFA-së: “Fifa nuk lejon vende dhe klube jo-anëtare të luajnë me vende dhe klube anëtare. Kosova nuk është anëtare”. Zgjidhja: Mjafton që klubet e Kosovës të regjistrohen në Republikën e Shqipërisë. Klubi Prishtina ka kërkuar prej kohesh tek kryeministri, ministri dhe federatat por ende nuk ka marrë përgjigje. Problemi (po i paraprijmë problemit që do ngrejë FSHF pas zgjidhjes më lart).

Klubi Prishtina duhet të regjistrohet në Kategorinë e tretë në Shqipëri? Zgjidhja: Klubi Prishtina është shumë më i mirë sesa gjysma e klubeve të Superligës në Shqipëri. Si nivel futbolli, si nivel financiar dhe si nivel tifozerik. Të pranohet Klubi Prishtina me vendim të KE të FSHF së bashku me të paktën 4 klube nga Kosova me buxhet më të larte se ato të Superligës së tanishme në Shqipëri. Jemi në pritje të çdo justifikimi tjetër nga ana juaj. Ju premtojmë që punën do ta bëjmë ne. Nga ju do të nevojitet vetëm nënshkrimi.

O sa mirë me qenë shqiptar!

Tifozat Kuq e Zi

Edgar Çani, në fokusin e Regensburgut

 Edgar Çani është në listën e dëshirave të trajnerit Françiszek Smuda, për t’u huazuar nga Polonia e Varshavës te  SSV Jahn Regensburg të Bundesligës së Dytë gjermane.  Ish-tekniku i Polonisë në Euro 2012 ka vetëm pak ditë që ka marrë në dorëzim skuadrën gjermane të. Sulmuesi shqiptar i Polonia Varshavës ndodhet zyrtarisht në merkato, ndërkohë që në ndjekje të tij janë skuadra nga Polinia, Italia, Ukraina, Rusia dhe Gjermania. Smuda e njeh mirë “pykën” e Kombëtares shqiptare, madje ka folur me superlativa për të në shtypin polak dhe atë gjerman. Trajneri polak dëshiron të përforcojë sulmin dhe Çani, sipas asaj që raportojnë portali polak “niezalezna.pl” dhe ai gjerman “liga-zwei.de” është një alternativë e besueshme. Sipas tyre, Smuda i ka bërë ofertë konkrete klubit të Polonia Varshavës, dhe në listë edhe dhe mbrojtësi i majtë, 30-vjeçari Tomash Brzyski, ky i fundit ka qenë në urdhrat e Smudës me Kombëtaren polake. Çani këtë sezon ka pasur minuta të pakta në dispozicion – pesë aktivizime, në total 49 minuta, por pa mundur të shënojë gol, teksa sezonin e kaluar realizoi 11 gola në 26 ndeshje. Gjithsesi, sipas asaj që shkuan portali gjerman, “tre gola në tetë ndeshje ndërkombëtare me Shqipërinë janë një bilanc i respkektueshëm, çka lë të kuptosh qartë, se 23-vjeçari mund t’i japë më shumë fuqi sulmit të Regensburgut”. Regensburg ndodhet aktualisht në vendin e fundit të Bundesligës 2, kështu që Edgar Çani mund të shnërrohet në një hero nëse e shpëton skuadrën me golat e tij, natyrisht, nëse ish-lojtari shqiptar i Palermos do të pranojë të luajë në ekipin gjerman.

 Murinjo, trajneri më i mirë për klube

 Zhoze Murinjo ka për çfarë të krenohet në këtë moment të vështirë të karrierës së tij, edhe pse nuk e mori çmimin e trajnerit më të mirë i vitit nga UEFA-s në ceremoninë gala që u zhvillua më 7 janar në Zyrih, të cilën e braktisi me pretekstin se duhej të përgatiste ndeshjen e kthimit të Kupës së Mbretit ndaj Selta Vigos. Instituti i statistikave dhe historisë së futbollit e zgjodhi për herë të katërt trajnerin më të mirë në botë për klube, në bazë të votimit të gazetarëve dhe specialistëve të futbollit në të gjithë globin. Mourinjo, i cili la pas vetëm me 2 vota Roberto Di Mateon, ish-trajnerin e Celsit, fitoi gjatë 2012  në krye të Realit titullin kampion në Primera Divizion dhe Superkupën e Spanjës, por dështoi t’i shkonte shkonte deri në fun Champions Ligës, pasi skuadra e tij u eliminua me 11-metërsha në gjysmëfinale nga Bajerni i Mynihut. Në 10 shen më të mirë përfshihen gjithashtu Tite i Sao Paolos, Jup Hejnkens i Bajernit, Aleks Ferguson i Manchester Siti, Jurgen Klop i Borusias së Dortmundit, Marselo Bielsa i Atletik Bilbaos dhe Roberto Mancini i Manchester Sitit.  Zhoze Mournjo është trajneri i vetëm që e ka fituar 4 herë këtë cmim, duke lënë pas Marcelo Lipin, Ormar Hitcfeld, Karlos Bianki, Sër Aleks Ferguson dhe Pep Guardiolën, që kanë mundur të shpallen nga dy herë si trajneri më i mirë i vitit në rang klubesh.

 Mesi, një fanellë për Mylerin

 Lionel Mesi një kampion dhe në sjellje. Argjentinasi i nisi një fanellë të firmosur prej tij, gjermanit Gerd Myler, të cili I theu rekordin e golave të shënuar brenda një viti kalendarik. Në një letër urimi të presidentit Rozel për presidentin e Bajernit, Karl Hajnc Rumenige, Mesi bashkangjiti dhe një fanellë të tij për bomberin gjerman të viteve 70-të. Përvec autografit të tij, ylli i katalanasve shkroi gjithashtu dhe një mesazh të shkurtër: “Për Gerd Myler. Me admirim dhe respekt, Lionel Mesi”.