Bejkush Birçe: “Sporti gjeti Rilindjen”

844
Sigal

Ish-trajneri i Partizanit dhe i Dinamos: “Jam i bindur se Qeveria e re do t’u rikthejë dinjitetin dy legjendave”

Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Bejkush Birçe, mbetet një nga zërat më realistë dhe i drejtpërdrejtë në problematikën e shumanshme që e ka shoqëruar sportin tonë gjatë 23 viteve të Demokracisë. Ish-trajneri i Partizanit (kampion në sezonet 1978-1979 dhe 1980-1981) dhe i Dinamos (kampion 1989-1990), gjatë intervistës për gazetën “Telegraf”, është i bindur se, Qeveria e koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” do të tregojë vëmendjen e duhur dhe të merituar ndaj sportit, pavarësisht gamës së madhe të problemeve me të cilat ajo do të përballet gjatë mandatit të saj, veçanërisht në vitin e parë. Gjatë karrierës së gjatë të tij si trajner (1971-1996), Birçe ka drejtuar edhe Flamurtarin, Teutën dhe Naftëtarin. Birçe e ka fituar katër herë Kupën e Shqipërisë. Bejkush Birçe e drejtoi ekipin Kombëtar në periudhën 1990-1994, duke e marrë postin nga Shyqyri Rreli, për t’u pasuar nga Neptun Bajko. Birçe e nisi me Islandën (më 30 maj 1990) dhe e mbylli me më Spanjën (22 shtator 1993). Birçe e drejtoi përfaqësuesen në 19 ndeshje. Aktualisht, Bejkush Birçe është Presidenti i Shoqatës së Trajnerëve Shqiptarë dhe sekretar i Komisionit të Etikës pranë FSHF-së.

 – Zoti Birçe, sporti ishte lënë pas dore nga qeveria në ikje, sidomos në vitet e fundit, ku thuajse nuk u investua fare në infrastrukturë. Cili është komenti juaj?

– Është për të ardhur keq, por e vërteta është se gjatë gjithë këtyre viteve nuk është bërë thuajse asgjë për sportin. Nuk ka qenë kurrë një shqetësim i qeverive që ka drejtuar, çka ka rezultuar me një shkatërrim të pamëshirshëm të gjithçkaje që ishte ndërtuar me mund dhe sakrificë dhe për këtë jemi dëshmitarë të gjithë. Këtë të vërtetë të hidhur duhet ta pranojmë.

– Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, ka një të kaluar të qartë sportive, pasi ka qenë basketbollist cilësor i Dinamos, por dhe i ekipit Kombëtar. Sa besoni se do të ndikojë pozitivisht ky fakt?

– Kryetari i Partisë Socialiste dhe kreu i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, i zgjedhur dhe Kryeministri i ri i vendit, Edi Rama, e ka mjaft të qartë se çfarë roli luan sporti. Ai për fat të mirë është dhe sportist, por dhe artist, pasi është diplomuar për pikturë. Unë jam i bindur se, e kaluara e tij sportive do të influencojë tek ai, për t’i kushtuar një kujdes të posaçëm dhe të drejtpërdrejtë ndaj sportit dhe se Qeveria e tij do të bëjë atë që nuk e kanë bërë të tjerat në këto 23 vjet.

– Pse jeni i bindur në realizimin e premtimeve?

– Për një gjë jam i bindur, Rama ato që ka thënë do t’i bëjë. Ai ka një të mirë të madhe shumë: nuk di të gënjejë. Tek ai institucioni i gënjeshtrës nuk e ekziston. Ai është njëri i fjalës dhe i veprave. Do t’i bëjë me ne të gjithë. Gjithsecili nga ne duhet të kontribuojë, për ta shndërruar në realitet atë që ne njerëzit e sportit kërkojmë.

– Qeveria në ikje nuk e shtriu dorën e bashkëpunimit me specialistët e mirëfilltë. A besoni se Qeveria e zotit Rama do të ketë një qasje ndryshe me ekspertët?

– Po, jam plotësisht i bindur, pasi ai është një dashamirës i madh i sportit. Do të punojë shumë për ta ndihmuar sportin, për ta larguar rininë nga rruga, kazinotë, kafetë pa fund dhe t’i drejtohen sportit si kudo në vendet e zhvilluara. Sigurisht, që Rama nuk do ta bëjë këtë i vetëm, pasi ka nevojë për njerëz të përkushtuar dhe ne të gjithë jemi gati të kontribuojmë.

– Si një njohës shumë i mirë i problematikës sportive, sipas jush nga duhet ta fillojë punën Qeveria e re në drejtim të sportit?

– E para, dhe më e rëndësishmja është të ngrihen institucionet sportive dhe të nisë ndërtimi i infrastrukturës sportive.

– Ju keni qenë trajner i Partizanit dhe Dinamos, dy klube me të cilin keni fituar dhe tituj kampion, por që tani ndodhen jo në një situatë të pazakonshme…

gjithë e dinë se çfarë kanë pësuar dy nga klubet më të mëdha të vendit tonë, dy legjenda të futbollit tonë. Ato janë dy nga akademitë e futbollit tonë, por komplekset janë prishur, madje ato të klubit Partizani janë shndërruar në terrene për të ndërtuar pallate. Edhe situata te klubi i Dinamos është po aq alarmante. Aty janë edukuar dhe stërvitur me mijëra sportistë. Ato i prishi injoranca antisportive. Të prishësh një klub shumëkompleks si Dinamo dhe ta bësh restorant për qoftë, apo terrenet e Partizanit për pallate, është krim. Ata që e kanë bërë këtë duhet të mbajnë përgjegjësi. Ne që merremi me sport i vuajmë shumë këto. Më vjen keq ta them, por s’kaloj dot nga klubi i Partizanit, ku kam kaluar një pjesë të mirë të jetës sime, pasi nuk e shoh dot atë kompleks në atë gjendje, të shoh pallate në vend të fushave.

– Katër ekipet shqiptare që do të marrin pjesë në Europë, Skënderbeu në Ligën e Kampioneve, si dhe Laçi, Kukësi dhe Teuta ën Ligën e Europës, tashmë u njohën me kundërshtarët e tyre nga Azerbajxhani, Luksemburgu, Estonia dhe Moldavia. Cili është mendimi juaj?

– Mendoj se, ishte një short i pëlqyeshëm, si për Teutën që do te përballet me Daçian nga Moldavia; Kukësin me Flora Talinin nga Estonia dhe Laçin me Diferdanzhin nga Luksemburgu. Më të vështirë do ta ketë Skënderbeu me Inter Bakun nga Azerbajxhani në Ligën e Kampioneve. Gjithsesi, këto ndeshje nuk duhen të shihen nga ekipet tona si një shans për tregti, dhe nuk janë të paktat raste kur skuadrat tona kamuflojnë. Nuk e përjashtoj që, kemi mundësi t’i kalojmë këto skuadra që na kanë rënë si kundërshtarë, por më vjen keq që të them se në vendin tonë nuk ka institucione sportive.

– Përse e theksoni këtë?

– Në vendin tonë nuk ekzistojnë institucionet sportive. Secili bën sipas dëshirës dhe bindjeve të tij. Askush nuk ka qenë i interesuar për ta zgjidhur këtë ngërç. E kam të qartë se, dhe me Qeverinë e zotit Rama kjo nuk mund të bëhet menjëherë siç e ka gjithë bota, pasi është sport dhe ka ligjësitë dhe kohën e vet. Gjithsesi, me programin që ka hartuar Partia Socialiste për rilindjen e sportit dhe me atë që kanë deklaruar lidershipi i saj, kam bindjen se në një të ardhme shumë të afërt do të ndryshojë për mirë, pavarësisht se sot për sot është paksa e vështirë, pasi janë një sërë problemesh shumë të mprehta që kjo qeveri do të trashëgojë nga ajo që po lë pushtetin.