Bejkush Birçe: “Duhen investime thelbësore, infrastruktura është thelbi i suksesit”

658
Sigal

Ish-trajneri i Kombëtares analizon për “Telegraf” situatën ku ndodhet sporti: “Ne nuk duhet të fshihemi, por të themi realitetin e sportit tonë”

Bejkush Birçe, ish-trajneri i Partizanit (kampion në sezonet 1978-1979 dhe 1980-1981) dhe i Dinamos (kampion 1989-1990), Bejkush Birçe, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar Partizanin, Dinamon, Flamurtarin, Teutën dhe Naftëtarin dhe është një njohës i mirë i sportit. “Në situatën ku ndodhet sporti unë “nuk duhet të fshihemi, por të themi realitetin, vetëm kështu e ndihmojmë atë”, – tha tekniku i njohur për gazetën “Telegraf”. Në analizën e tij për këto nëntë javët e para të Kategorisë Superiore, tha se “konstatimi im i përgjithshëm është se, kampionati është i varfër, duke përjashtuar ndonjë ndeshje”. “Në opinionin tim, e vetmja skuadër që ecëm me ritmin e duhur është Skënderbeu, ashtu sikundër edhe Teuta po bën një sezon shumë të mirë. Ekipet e tjera kanë shfaqur ulje-ngritje. Partizani ka probleme në përbërjen e skuadrës. Nuk garanton atë që drejtuesit presin”. Birçe, i cili e drejtoi ekipin Kombëtar në periudhën 1990-1994, foli edhe për rinovimn e kontratës së trajnerit Xhani De Biazi me Kuqezinjtë: “Ekziston një rregull: i shkruar dhe i pashkruar, puna matet me rezultatet. Unë do të shtoja dhe një faktor tjetër: shpenzimet. Pra, kemi rezultatet të dobëta me shpenzime jashtë mase të mëdha, siç është rasti i De Biazit, por dhe rezultate të dobëta me shpenzime të vogla, siç mund të jetë rasti i trajnerëve shqiptarë. Kush na garanton se, ne do të shkojmë në finalet e Kampionatit Europian “Francë 2016”. Ne nuk kemi stabilitet në skuadër, kjo u pa edhe në ndeshjet e fundit ku u bënë shumë eksperimente me formacionin titullar”, – tha ai. Birçe është Presidenti i Shoqatës së Trajnerëve Shqiptarë si dhe nënkryetar i Komisionit të Etikës pranë FSHF-së. Ai foli për gazetën edhe për idenë e klasave sportive nëpër shkolla: “Absolutisht që, është një gjë shumë e mirë hapja e tyre, por më parë duhet të investojmë në krijimin e terreneve, pasi mungojnë”.

 – Zoti Birçe, pas nëntë javëve të para të Kategorisë Superiore janë profilizuar edhe synimet e skuadrave. Duke i bërë një analizë këtyre ndeshjeve, cili është opinioni juaj?

– E kam ndjekur me vëmendje këtë fillim sezoni, duke qenë shpesh herë në stadium, kryesisht në ndeshjet e Partizanit, por edhe përmes televizorit. Konstatimi im i përgjithshëm është se, kampionati është i varfër, duke përjashtuar ndonjë ndeshje. Në opinionin tim, e vetmja skuadër që ecëm me ritmin e duhur është Skënderbeu, ashtu sikundër edhe Teuta po bën një sezon shumë të mirë. Ekipet e tjera kanë shfaqur ulje-ngritje. Një kampionat që, po ndiqet nga minimumin e minimumit të spektatorëve, por që vështirë është të parashikohet sesi do të përfundojë.

– Partizani bëri një nisje shumë të mirë, ndërkohë që dy javët e fundit ka shfaqur ajo skuadër agresive. Cilat mund të jenë arsyet?

– Mendoj se, Partizani ka probleme në përbërjen e skuadrës. Nuk garanton atë që drejtuesit presin prej saj. Për mendimin tim, ekipi duhet të garantojë qëndrimin në Superligë. Koha do të më japë të drejtë, apo jo! Duhet të rigjenerojë skuadrën, me synimin për të marrë elementë më të mirë. Pasi, ende nuk ka “shtëpi”. Këto ndikojnë jo pak. Më vjen keq që,  edhe Dinamo vazhdon të endet pa një “shtëpi” të sajën. Sesi ata do ta marrin sërish kompleksin e tyre, këtë e kam ende të paqartë.

– Disa skuadra kanë shfaqur edhe probleme në aspektin financiar…

– Po, është e vërtetë dhe kjo ka ndikimin e vet. Edhe Flamurtari, që sezonet e fundit kishte financa të siguruara dhe në shuma të mëdha, tashmë i ka reduktuar, kjo edhe në funksion të strategjisë së re të klubit. Edhe Kukësi, që sezonin e kaluar bëri një sezon shumë të mirë, tashmë duket se është në ditë jo të mira..

–  Trajneri i fundit i shkarkuar është Nevil Dede i Tiranës. Sa i drejtë ishte?

– Nuk dëshiroj të hyj në punët e brendshme të klubit të Tiranës, por me thënë të drejtën e gjykoj një vendim të shpejtuar. Ai nuk pati mundësi të ndërtonte skuadrën, nuk bëri një fazë përgatitore të plotë me lojtarët, pasi klubi nuk pati mundësitë financiare në kohën e duhur. Sigurisht që, Tirana është një klub që ka ka gjithmonë objektiva të mëdha, por duhet që t’ i krijosh edhe kushte pune. E vlerësoj Deden, si një trajner të ri dhe të pasionuar.

– Infrastruktura vazhdon të jetë problematike në vendin tonë. Ende nuk kemi parë investime serioze dhe terrene që të plotësojnë standardet e kërkuara nga UEFA. Cili është reagimi juaj?

Dëgjojmë shumë se, të gjitha skuadrat luftojnë për të kapur një vend në Europë, por nuk duhet t’i harrojmë kurrsesi vërejtjet e përhershme që vijnë nga UEFA, në lidhje me infrastrukturën e degraduar të stadiumeve tona., jo të përshtatshme për aktivitet ndërkombëtare. Ndoshta, ata kanë bërë lëshime duke na konsideruar një rast të veçantë, por kjo duhet të shndërrohet në detyrë. Në fakt, ne nuk kemi infrastrukturën e duhur për ndeshjet e Kombëtares, jo më në nivel klubesh. Infrastruktura te ne është nga më të dobëtat, madje në jo pak raste skuadrat stërviten në terrenet e stadiumeve, e cila është kategorikisht e ndaluar. Po të shohësh stadiumin “Selman Stërmasi” ai është shndërruar në një stadium tërësisht të degraduar: me karrige të thyera, ambient të pisët. Prej 20 vjetësh nuk po vihet dorë në stadiume, me përjashtim të stadiumit të Skënderbeut dhe të Teutës, që janë më komodë, kurse terrenet e tjera janë vërtet shumë problematike.

– Para pak ditësh rinovoi kontratën edhe për një edicion tjetër trajneri Xhani De Biazi. A e meritonte tekniku italian, kur i përfunduam eliminatoret e Botërorit në vendin e parafundit?

– Unë do ta shihja në një këndvështrim tjetër. Nëse një trajner shqiptar do të qëndronte në këto pozita, edhe sot që ka kaq ditë që është firmosur kontrata,  mediat apo specialistë të ndryshëm do të merreshin me trajnerin. Ekziston një rregull: i shkruar dhe i pashkruar, puna matet me rezultatet. Unë do të shtoja dhe një faktor tjetër: shpenzimet. Pra, kemi rezultatet të dobëta me shpenzime jashtë mase të mëdha, siç është rasti i De Biazit, por dhe rezultate të dobëta me shpenzime të vogla, siç mund të jetë rasti i trajnerëve shqiptarë. Kush na garanton se, ne do të shkojmë në finalet e Kampionatit Europian “Francë 2016”. Në lidhje, me pagën kjo është një çështje e Federatës. Unë do të isha i mendimit se, një trajner i Kombëtares duhet të ketë eksperiencë jo të vogël, të ketë më shumë garanci.

– De Biazi ndërtoi një listë prej më shumë se 40 lojtarësh, teksa u panë shumë fytyra të reja gjatë ecurisë së eliminatoreve. A shikoni këtë si një gjë pozitive, apo pati edhe ndikime anësore negative?

– Ne nuk kemi stabilitet në skuadër, kjo u pa edhe në ndeshjet e fundit ku u bënë shumë eksperimente me formacionin titullar. Kishim një ekip Kombëtar, që thërriste dhe seleksionte vazhdimisht lojtarë, por nuk pamë një formacion titullar bazë, për të luajtur pesë apo gjashtë ndeshje, ku ndryshimet të ishin të vogla. Këto ndikuan edhe në rezultatin që morëm. Mos harroni se, në ishim në një grup që me të gjitha skuadrat mund të fitonim dhe me të gjitha mund të humbitnim. Unë, si trajner kam luajtur kundër Islandës, dhe pashë që ka rritje shumë të madhe, sidomos në aspektin e lojës kolektive, plus vlerës individuale që kanë lojtarët.

– Thuajse asnjë lojtar nga kampionati ynë nuk u aktivizua në ndeshjet zyrtare me Kombëtaren…

De Biazi e bëri një edicion eliminator, duke punuar sa aq sa ka pasur apo i është dhënë mundësia, por duhet theksuar se thuajse asnjë nga lojtarët e kampionatit tonë nuk u aktivizua, duke dëshmuar edhe varfërinë e kampionatit tonë. A nuk duhet t’u jepet mundësia, qoftë me Kombëtaren apo Shpresat.

– Kosova në një të ardhme do të ketë Kombëtaren e saj, pra të ketë në dispozicion të saj shumë lojtarë të piketuar për të luajtur me Shqipërinë…

– Natyrisht, një trajner kërkon rezultate dhe është e drejta e tij të grumbullojë dhe të aktivizojë lojtarë kosovarë që luajnë prej vitesh në Zvicër, apo në vende të tjera, por nuk duhet të harrojmë lojtarët nga kampionati vendas. Por, mos harrojmë se një ditë Kosova do të pranohet në FIFA dhe UEFA, kështu që ka të drejtë të thërrasë çdo lojtar me kombësi kosovare, pra dhe nga ata që luajnë aktualisht për Shqipërinë. Duhen marrë parasysh të gjitha.

– Gjithsesi, një lajm i mirë mund të konsiderohet kualifikimi në “Elite Round” i Kombëtares U-17.

– Është shumë pozitiv fakti që, një ekip Kombëtar moshash yni kualifikohet për në turin e dytë të një Kampionati Europian. Ajo që unë të theksoj, është fakti se ekipet kombëtare të U-17, U-19 apo edhe U-21, shumë pak e furnizojnë me lojtarë ekipin e para, pra atë A. Shumica e tyre e përfundojnë aktivizimin me ekipet kombëtare në ato mosha. Edhe ky është një problem. Cilët janë lojtarët që depërtojnë në ekipin Kombëtar A. Te Shpresat janë shumë lojtarë që luajnë në Europë, por rezultatet e tyre janë jo në nivelin që duam.

– Problemi i terreneve dhe i mungesës së infrastrukturës bie në sy, sidomos me ekipet e moshave, atje ku është dhe baza dhe formohen futbollistët e rinj. Prej vitesh nuk investohet për terrene të reja dhe me standardet që kanë vendet fqinje…

– Të jemi të qartë, në një gjë. Unë si trajner apo të tjerë specialistë, kemi të drejtë të shqetësohemi, të flasim dhe të ngremë probleme, por duhet edhe të dëgjohemi. Ne kemi kaluar një sërë problematikash me klubet, me ekipet kombëtare, pra flasim falë dhe një përvoje që kemi. Mund të  paraqes edhe probleme të tjera, por ajo që dua të them se kjo strategji dhe kjo mënyrë pune nuk na çon te suksesi që kërkojmë. Ne ende nuk e dimë se, ku luajnë ekipet e moshave, jo më të jemi të informuar se ku stërviten ata. Ngjitur me stadiumin “Qemal Stafa” dhe atë “Selman Stërmasi”, janë dy fusha stërvitore, por kurrë nuk është investuar për to. Përse nuk bëhen investime, ku me një program të mirëdetajuar mund të stërviteshin deri edhe në 15 ekipe çdo ditë në të dyja fushat. Në rast se Zvicra ka atë sukses, atëherë le të kthehen dhjet vjet pas dhe do të shohim se çfarë investimesh bëri ajo në infrastrukturë, duke pasur një prodhim të madh lojtarësh. Nuk mund të korrësh kurrë pa mbjellë më parë.  Kush është fajtori në vendin tonë, që Partizani është pa fushë; Dinamo duhet të paguajë që të stërvitet në fushën e saj, kur te kompleksi “Dinamo” janë ndërtuar vetëm lokale salçiçesh. Kjo është një idiotizëm i pastër. A kemi ne institucione madhore, që shqetësohen për këtë gjendje.

– Është diskutuar jo pak për formën që kanë klubet tona, ku disa adminstrohen dhe financohen prej bashkive, disa janë miske midis bashkive dhe individëve; disa janë shoqata…

– Duhet të jemi të qartë: ne nuk kemi klube të organizuara, në formën që janë në Europë. Një klub nuk ka vetëm ekipin e parë, dhe as një apo dy veta në zyrë. Çdo të thotë që, fëmijët të paguajnë autobusin për të bërë ndeshje,  apo prindërit e tyre të paguajnë dhe hotelin për të fjetur. Ky është futbolli që, ne po ndërtojmë. Ne nuk duhet të fshihemi, por të themi realitetin e sportit tonë. Vetëm kështu e ndihmojmë atë. Kam pretendime për trajnerët, për mënyrën sesi ata punojnë, përgatitjen e tyre, por ndonjëherë duhet të pranoj edhe realitetin në të cilën ndodhen ata.

– Të gjithë jemi në pritje të ndryshimeve pozitive me Qeverinë e Re. Çfarë duhet të bëjë ajo?

– Qeveria e re që erdhi, përpos ndonjë sinjali që ka dhënë ka shumë punë për të bërë. Ne akoma nuk kemi një pikë referimi. Duhet mbledhur një punë e madhe në sport. Sporti është në funksion të shtetit të rinisë, në funksion të rezultateve të cilat vijnë vetëm duke treguar kujdesin e duhur dhe kryer investime. Shikoni Tiranën, para 25 vjetësh ajo ishte 250 mijë banorë dhe kishte mbi 25 fusha, ndërkohë që tani është 1 milion  banorë dhe ka vetëm 2-3 të tilla. Mungojnë terrenet sportive. Fushat e kalçetos janë për dëfrime, por kurrsesi jo për të përgatitur futbollistë të së ardhmes.

– Është folur jo pak për rihapjen e klasave sportive nëpër shkolla. Sa e mundshme është kjo, sipas jush?

– Absolutisht që, është një gjë shumë e mirë hapja e tyre, por më parë duhet të investojmë në krijimin e terreneve. Ku i kanë terrenet shkollat. A kanë aq terrene për t’u stërvitur. Ndoshta, mund të bëhet sakrifica për disa vite, por më pas do të kemi infrastrukturën që nga mungon. Sporti ka një domethënie të madhe për shoqërinë. Për mua trekëndëshi është: gjuha, matematike dhe edukimi fizik.  Shikoni të rinjtë tanë, sesa të përgatitur janë nga pikëpamja fizike. I shikon vetëm kafeve, dhe pak kujdesen që të merren me sport. Po, ashtu dhe fëmijët nuk kanë terrene ku të argëtohen, apo të ushtrohen. Ne nuk bëjmë dot një aktivitet ndërkombëtar atletike, pasi nuk kemi një pistë me tetë korsi. Nuk kemi një stadium për atletikën, pasi janë prishur. Ne sot nuk zhvillojmë dot qitje,  pasi nuk kemi poligone?  Mos harrojmë se kemi një pallat sporti, që thuajse nuk frekuentohet. Kemi 23 vjet demokraci, por nuk është investuar kurrë seriozisht në stadiume. Janë të amortizuara. Pallatet e sportit janë po ato, nuk mund të shkosh dot me familjen në një aktivitet sportiv. Pra, kemi shumë probleme që duhen zgjidhur.

Mesi, Riber e Kristiano Ronaldo favoritët për “Topin e Artë”

 FIFA dhe revista sportive franceze “France Football” bënë publike 23 emrat që do të luftojnë për të fituar trofeun prestigjioz “Topi i Artë”. Menjëherë pas publikimit të listës finale të kandidatëve, kompanitë e basteve nxitojnë të publikojnë edhe koeficientet me të cilët vlerësohet çdo pretendent. Në krye të listës qëndrojnë Mesi, Riberi e Kristiano Ronaldo ku basti për gjithsecilin prej tyre do t’i dyfishojnë të ardhurat në xhepat e atyre që i vendosin paratë e tyre për Mesin, ndërsa koeficienti për francezin Riberi shkon në kuotën 3. Nuk mbetet shumë pas as Kristiano Ronaldo, i cili është një bast i rrezikshëm për mbështetësit e tij pasi në rast se portugezi fiton trofeun, ata që investojnë 1 euro do të përfitojnë 3.5. Gjithashtu është shpallur dhe lista e 10 trajnerëve kandidatë për të fituar çmimin e “Trajnerit të Vitit”. Edhe këtë listë pritet ta dominojë Bayern me kandidatin kryesor ish-trajnerin Jup Hejnkes që fitoi tripletën sezonin e shkuar.

 K osovari Leci akuzohet për trukime në Suedi

 Liridon Leci nuk po kalon momente të mira në Landskrona BOIS të Suedisë. Mbrojtësi i Përfaqësueses së Kosovës, po dyshohet nga Federata Suedeze e Futbollit për kurdisje ndeshjesh. Madje, për këtë arsye klubi i vet e ka suspenduar dhe në takimin  me Jonkpopingsun nuk është ftuar fare. Krahas tij, për kurdisje është duke u dyshuar edhe portieri i kësaj skuadre, Bill Hallvorsen, që po ashtu është suspenduar. Lajmi bëhet i ditur nga mediat suedeze. “Të dy këta lojtarë nuk janë ftuar për ndeshjen me Jonkopingsun, dhe asnjëri nga zyrtarët e klubit nuk duan të flasin për lojtarët apo për rastin e ashtuquajtur skandal të kurdisjeve. Ata i referohen Federatës së Futbollit të Suedisë, të cilët janë në fazën e hetimeve”, shkruan ‘hd.se’ të hënën. Në anën tjetër, Liridon Leci ka deklaruar për gazetën Arena se në ndeshjet të cilat dyshohen për kurdisje, ai nuk ka luajtur fare, për çka thotë se të gjitha dyshimet do të bien poshtë. Ai ka thënë se pret që me avokatin e tij të padisin klubin suedez, pasi siç thotë ai po hedhin baltë mbi karrierën e tij.

  Arrestohet boksieri shqiptar, pjesë e mafies napolitane

 italiane ka ndërmarrë një aksion, ku i ka vendosur gjobë disa bizneseve dhe ka arrestuar 15 persona, mes tyre edhe boksierin shqiptar Orial Kolaj. Policia bën të ditur se kampioni i boksit Orial Kolaj është i përfshirë në klanin e mafies napolitane, me klanin mafioz të Kazalezëve (Casalesi). Të akuzuar për vepra të ndryshme si mashtrim, vjedhje, gjobvënie bizneseve, konkurrencë e paligjshme me kërcënime dhe dhunë, armëmbajtje pa leje.

Kolaj dhe 14 italianët akuzohen për shumë vepra penale dhe gjatë kontrollit iu sekuestrua një pasuri me vlerën e 30 milionë eurove. Grupi mafioz kishte vendosur kontrollin në disa salla lojërash fati, videopoker dhe bastet. Nëse dikush nuk pranonte, grupi me boksierin shqiptar i kërcënonte. Orial Kolaj, boksieri kampion i Europës së Bashkuar në peshat gjysmë të rënda. Ai është 29 vjeç nga Lezha, prej vitesh jeton në Lombardi. Për t’u vënë kapakun goditjes së grupeve rivale duheshin edhe një boksier. Dhe është boksieri shqiptar Orial Kolaj, i natyralizuar si italian, i cili bashkë me shqiptarë të tjerë, të quajtur “boksierët” merrnin pjesë në dënimet e rivalëve.

 Botërori i Femrave/ Sot, Shqipëri-Greqi

 Kombëtarja Shqiptare e Femrave do të luajë sot ndeshjen e radhës kualifikuese kundër Greqisë, takimi i katërt për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Vajzat e drejtuara nga Altin Rraklli i kanë humbur të tri ndeshjet e para: 2-0 me Belgjikën (Bruksel), 4-0 më Holandën (në Tiranë) dhe 7-0 me Norvegjinë (në Oslo). Takimi me Greqinë do të luhet në orën 14:30 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.