Bedri ALIMEHMETI/ Futbollisti Skënder Hyka, eleganca e dëshpërimit mes mbrojtësve kundërshtarë

1095
Sigal

Karriera brilante dhe historia e goleadorit të Tiranës së “artë” të viteve ‘60-të. Pengu i ndërrimit të fanelës me Bekenbaurin

Ende i vogël në moshë, Skënder Hyka do të spikaste me atë çka ai dinte të bënte me topin së pari mes bashkëmoshatarëve, shumë nga të cilët djem nga familjet Emiri, Oseku, Koçi, Nurishmi, Theodhosi etj., i kishte fqinj. Ndodhte kështu sa herë rendnin pas topit nëpër kalldrëmin e rrugës së “Mukasive” (sot “Sulejman Pasha”) apo nëpër sheshet e kopshtet për rreth. I aftë në zotërimin e përdorimin e topit ai qe gjithnjë problematik për shokët ngaqë nuk mund t’ia merrnin. Pastaj në ndeshjet mes mëhallave në oborrin e shkollës “10 Korriku” (sot gjimnazi “Sinan Tafaj”) apo në rrugën “Fortuzi” tek kopshti i Rukes, ku edhe pse më i vogël ai ndeshej si i barabartë me Skënder Halilin, Panajot Panon, Eqerem Casllin, Robert Jasharin etj., që nuk do të vononin të bënin epokë nëpër fushat e stadiumeve tona në radhët e skuadrave më të njohura të vendit. Pikërisht nëpër këto ambiente u mbrujt e u përsos së pari talenti i padiskutueshëm i Skënder Hykës, bir i një familje të nderuar e të hershme qytetare tiranase.

KARRIERA

Më pas në kampionatet midis shkollave 7-vjeçare, që në ato vite zhvilloheshin rregullisht në kryeqytet dhe në spartakiadat e përvitshme të pionierëve, Skënder Hyka u evidentua gjithnjë e më shumë si futbollist me të ardhme. Kështu vitet e para të gjimnazit e gjetën atë në radhët e të rinjve të 17 Nëntorit në “fidanishten” e Xhavit Demnerit. Dhe kur ende nuk kishte përfunduar vitin e tretë në gjimnazin “Qemal Stafa” në vitin 1962,i riu Hyka thirret në ekipin e të rriturve bardhë e blu. Në atë kohë me gjithçka demonstrohej në fushën e gjelbër dukej që një erë e re pritej të frynte në futbollin shqiptar. Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Për këtë gjë kishte vite që punonte seleksionuesi Xhavit Demneri dhe strategjinë për krijimin e kushteve sa më optimale asaj kishte menduar me kohë profesor Myslym Alla. Kështu në kushtet e kësaj atmosfere u gjend i riu Hyka në ambientin e skuadrës bardheblu, ku ndjeu menjëherë ngrohtësinë e dashamirësinë e futbollistëve: Met Metani, Enver Rada, Pavllo Bukoviku, Luigj Bytyçi, Aurel Verria, Gëzim Kasmi, Bahri Ishka, Gëzim Saraçi, Niko Xhaçka etj., e në mënyrë të veçantë nga Skënder Halili, që në atë periudhë çuditërisht ishte ende i pezulluar nga FSHF, ngaqë pas përfundimit të kohës së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, nuk kishte pranuar të qëndronte tek Dinamo.

AKTIVIZIMI TEK TIRANA

Dhe aktivizimi i Skënder Hykës tek Tirana përkoj bukur fort me fitimin e Kupës së Shqipërisë, i pari trofe i rëndësishëm i bardhebluve në vitet e pasluftës. Pas kësaj në sezonin 1964-1965 ai provon emocionet e të parit titull kampion. Më tej, pjesëmarrjen në Kupën e Kampioneve (sot Champions League) takimi me kampionen e Skocisë Kilmarnok, barazimin e bardhë në “Qemal Stafa”, udhëtimin në Skocinë e largët për ndeshjen e kthimit. Ndalesën në Londër dhe udhëtimin me tren drejt Gllasgout në vagonë luksozë….. Ndërkohë, teksa klasi i futbollit të tij si sulmues tipik përsosej gjithnjë e më shumë në të gjithë drejtimet, sigurisht kjo falë edhe intelektit e veprimeve të tij intuitive, e po kështu edhe aftësia goditëse me këmbë e me kokë i rritej gjithnjë e më shumë dhe sa vinte bëhej tejet problematik për mbrojtjet kundërshtare. Një vit më pas shijon titullin e dytë të kampionit (1965-1966). Sezonin tjetër 1966-1967, ndjen dhimbje për mohimin e padrejtë të titullit kampion (!), të cilin ai me shokët e ekipit e kishin siguruar tri javë para përfundimit. Në këtë periudhë mbaron studimet e larta në Universitetin e Sporteve, dega mësuesi dhe për të kryer zborin ushtarak gjashtë mujor dërgohet në garnizonin e Durrësit, ku gjatë kësaj periudhe aktivizohet në radhët e Lokomotivës. Por, duhet theksuar fakti se, në përballjet e radhës me bardheblutë ai nuk u aktivizua asnjëherë. Një vit më pas (1968) është protagonist në kthimin e titullit kampion ekipit, i treti trofe në arkivin e tij. Ndërkohë i katërti mbërrin sezonin tjetër (1969-1970), ku me 19 golat e shënuar Hyka shpallet bomberi i kampionatit. Gjatë kësaj periudhe zhvillon ndeshje dinjitoze ndërkombëtare në Kupën Ballkanike dhe sidomos në Kupën e Kampioneve të Europës ndaj Standardit të Liezhit dhe Ajaksit të Amsterdamit. Skënder Hyka sidomos në dy sezonet e fundit 1972-1973 dhe 1973-1974 ku skuadra “notoi” në ujëra të turbullta, me kontributin e tij iu gjend shumë bardhebluve. Pas kësaj i tha “lamtumirë” futbollit, në “qilimin e blertë” të të cilit zhvilloi rreth 400 ndeshje, shënoi një sasi të konsiderueshme golash dhe dhuroi gati pambarimisht spektakël me elegancën depërtuese mes mbrojtësve rivalë. Deri në vitin 1990 punoi mësues i edukimit fizik në shkolla të ndryshme të kryeqytetit, kurse më pas kreu detyra të rëndësishme shtetërore si funksionar i lartë i sportit.

DINASTIA HYKA

Përqendrimi i familjes Hyka në qendër të kryeqytetit, ekzaktësisht në truallin ku ngrihet sot Bar-Restorant “Piazza”, dëshmon katërcipërisht autenticitetin e kësaj familje të hershme tiranase, që i ka dhënë shumë sportit në këtë trevë dhe jo vetëm. Kështu nga ky fis i pari mbi “qilimin e blertë” zbriti Bujari, që pas Tiranës luajti me Korabin e Peshkopisë, më pas gjatë periudhës së kryerjes së shërbimit ushtarak luajti në radhët e Partizanit dhe e mbylli karrierën tek Dinamo. Në vitin 1963 ende pa i bërë 19-vjeç ishte radha e Skënderit të tregonte aftësitë e tij mbi atë “qilim”. Dhe me atë çka bëri në gjithë ato vite në futboll, performanca e tij qe vërtet e admirueshme e mbresëlënëse. Jo vetëm golat, por mbi të gjitha depërtimet e tij elegantë mes mbrojtësve rivalë, nga ata që patën fatin ta shohin në fushën e lojës ende mbahen mend. Pas Skënderit, qe i nipi Renisi, dalluar në radhët e bardhebluve në fund të viteve 80-të, ku në sezonin 1988-1989 fitoi një titull kampion. Më pas e vijoi karrierën në Maltë. I biri i Skënderit, Endi, me fanellën bardheblu në shtat eci në udhën e të atit duke fituar dy tituj kampionë më 1994-1995 dhe 1995-1996. Stafetën e fisit Hyka mbi “qilimin e blertë” vijon ta mbajë ende Jahmir Hyka, pjesëtar i ekipit kombëtar një futbollist mjaft i talentuar, që aktivizohet në kampionatin zviceran me Luzernën. Ndërkohë duhet thënë se, Ganiu i ati i Jahmirit është dalluar në pedanën e shtangës, ku ka garuar për Dinamon.

TË VEÇANTA NGA JETA

Broduej

Si gjithë të rinjtë e viteve ‘60-të Hyka preferonte shumë të bënte xhiro me shokët nëpër trotuaret e “Broduejt të Tiranës” (kështu e patën emërtuan në ato vite djemtë e kryeqytetit “Rrugën e Dibrës”). Madje, aty bënte shëtitje gjithë rinia. Pasi i hidhej një sy reklamave të kinemave tek gështenjat mbrapa Bashkisë, ndalesa e parë e tyre ishte tek dyqani i luleve (që i bie të ketë qenë afër hyrjes së “15 katëshit”), më pranë karriges së lustrës së Pacit tek rrugica pa krye, ku mblidheshin futbollistët e Tiranës (sot kafe “Migena”). Qëllonte të ndaleshin edhe tek trotuari përballë ku ishte “Farmacia Nr: 3” (sot hotel “Miniri”), ose pak më tutje te rruga “Veriut” (sot “Bardhok Biba”), që të çonte te kinema “17 Nëntori” ku shfaqeshin filma me Zhan Mare, Stiv Rivs, Xhino Lolobrixhida, Raf Valone, Antonela Lualdi, Zhan Gaben, Moris Rone, Sara Montiel etj.. Ky ishte itinerari i përnatshëm i të rinjve tiranas mes të cilëve, vetëm një ditë para ndeshjes do të mungonte Skënder Hyka.

Pengu me Bekenbauerin

Më 8 prill 1967 në Dortmund, kur ende nuk i kishte bërë 22 vjeç ka luajtur të parën e të vetmen ndeshje me fanellën kuqezi të ekipit kombëtar. Por, pengu më i madh për Hykën në atë ndeshje ka qenë fakti, që nuk arriti të ndërronte fanellën me të madhin Franc Beckenbauer. Në atë kohë ndërrimi i fanellave me futbollistët e skuadrave të huaja, e aq më tepër me ato të perëndimit ishte e ndaluar. Humbja e kombëtares në atë ndeshje qe e rëndë, por fakti të luaje përballë një formacioni nën kampion i botës, ku bënin pjesë: Tillkoski, Patzke, Schulz, Vveber, Hotges, Beckebauer, Overat’h, Muller etj., qe vërtet emocionues. Ndaj i riu Hyka vlonte nga dëshira të kishte një kujtim nga ajo përballje aq më tepër të ndërronte fanellën me “kajzerin” e pancerave. Madje, në pushim të ndeshjes në zonën “tunel” ia kishte kërkuar këtë gjë dhe Beckenbauer ia kishte premtuar. Por, një nga shokët e skuadrës i kishte thënë, që kjo gjë do të ishte shumë e rrezikshme për të. Armikut kurrsesi nuk mund t’i dorëzohej fanella me stemën e republikës (!). Kësisoj pamundësia e realizimit të kësaj ëndrre iu shndërrua në peng. Aq më tepër i bëhet i tillë në ditët e sotme, kur sheh futbollistë të kombëtares të këmbejnë fanella me Kristiano Ronaldon, Ibrahimoviçin etj..

Xhaketa nga Amsterdami

Vërtet kanë kaluar shumë vite, por, për ne “djemtë e Broduejt” bashkëmoshatarë me të dhe të tjerë admirues miq e shokë, pa harruar sigurisht dhe vajzat e bukura të Tiranës së atyre viteve e kujtojnë atë mbrëmje tetori të vitit 1970, kur Hyka u pa në “Broduej” me një xhaketë të bardhë, pantallona portokalli dhe këpucë me luspa. Si gjithnjë njeri që i pëlqente të rrezikonte, kishte guxuar sërish. Në Amsterdam, ku Tirana më 1 tetor kishte humbur 0-2 në ndeshjen e kthimit për Kupën e Kampioneve me Ajaksin, si gjithnjë kishte menduar për gardërobën.  Atë mbrëmje të largët mes veshjeve tona të errëta, xhaketa nga Amsterdami, qe vërtet si një meteor. Të gjithë do ta dëshironim shumë një të tillë, por në atë kohë për ne qe vërtet “mollë e ndaluar”. Gjithsesi më pas biseda jonë mes shokësh atë mbrëmje u përqendrua tek fakti se, në ç‘ mënyrë do t’i ketë kaluar dollarët në doganë Hyka, sepse me 9 $ të kuotës ditore nuk mund të blihej as rripi i gjerë që i mbante pantallonat. Një nga shokët tha; tek takat e këpucëve duhet t’i ketë futur, dikush këmbënguli tek astari i xhaketës, një tjetër e ngriti zërin: në kolinozin e dhëmbëve. Hamendësimet qenë të ndryshme. Ne i kishim shokë e miq futbollistët e Tironës dhe këto “marifete” i kishim dëgjuar prej tyre. Kështu, që edhe Hyka ato pak dollarë që kishte arritur të merrte me vete duke i shpëtuar kontrollit doganor, me një nga këto mënyra do t’i kishte kaluar.

Festimi pas golit

Që ishte një mënyrë e re, as që diskutohej. Madje, qe krejt tjetër nga ajo që vijonte të ndodhte deri atëherë ku autori i golit, veçmas entuziazmit e duartrokitjeve të shikuesve merrte vetëm një rrahje shpatullash nga shokët. Gjithsesi, vlen të theksohet se, festimi i Hykës mbas golit qe vërtet një risi në fushat tona. Ishte mënyrë e inspiruar nga dikush, apo qe imitim i asaj çka kishte arritur të shihte në ndonjë ndeshje, që kishte mundur të ndiqte në ato pak aparate marrës televiziv të Tiranës në ato vite. Pak rëndësi ka. Thelbësorja qe që Skënder Hyka arriti të festoj i pari nëpër stadiumet tona alla “Boninsenja” apo “Xhixhi Riva”, futbollistë të shquar italianë bomber në kampionatet e viteve ‘60-‘70-të. Dhe konkretisht mbasi topi përshëndeste rrjetën, njëhapëshi i tij përfundonte me një kërcim të fuqishëm me krahun e djathtë lart dhe pëllëmbën mbledhur grusht, shoqëruar me një britmë entuziaste. Më pas shembullin e tij e ndoqën golashënuesit e të gjitha skuadrave të tjera. Por, i pari që theu tabunë qe Skënder Hyka.

“Laurent” Kafe

Është një lokal i vogël, madje i “padukshëm” do të thonim nëse do të mund ta quanim kështu, ngaqë ndodhet në pjesën e pasme të një godine prapa Muzeut Historik Kombëtar. Aty, në orët e paradites Hyka është thuajse i për çdo ditshëm. Zë vend si gjithnjë në tavolinën e tij të preferuar dhe teksa konsumon gotën e parë të ujit me akull, mbërrijnë njëri pas tjetrit miqtë e tij të vjetër, kantautori i famshëm “Mjeshtri i Madh” Luan Zhegu dhe basketbollisti e trajneri i njohur i Tiranës Roland Avrami. Pas kësaj kamerier Kasemi shpejton t’u çoj kafet. Jo rrallë, pjesë e kësaj tavoline bëhen edhe të tjerë si kitaristi Shkëlqim Reka apo “Mjeshtri i Madh” basketbollisti e trajneri i Partizanit Njazi Lleshi etj.

Stafeta

Skënderin e lumturojnë shumë dy nipat, djemtë e Endit: Rej pesë vjeç dhe Drini gati dy vjeç. Nuk e thotë, por në shpirt e ndjen që stafeta e Hykajve tash e mbrapa mbi “qilimin e blertë” duket e garantuar. Fakt ky që e qetëson së tepërmi dhe tashmë në pension ia bën edhe më të bardha ditët. Cili do të jetë ai? Rej apo Drini. Pak rëndësi ka. Kryesorja është që një Hykë do të jetë. Madje, pse jo të dy bashkë.

Sekretar i klubit me 5 trofe

Nga viti 1992 e deri në vitin 1997, pra në periudhën kur Klubi Sportiv Tirana me vendim të Këshillit Bashkiak u nda në dy klube, në atë të klubit të futbollit dhe të klubit shumë sportësh, Skënder Hyka ka kryer detyrën e sekretarit të FK Tirana. Gjatë kësaj periudhe ekipi i futbollit bëri triss në kampionat. Fitoi radhazi tri tituj kampion: 1994-1995, 1995-1996, 1996-1997 dhe dy kupa të Shqipërisë: 1994 e 1996. Arritje, në të cilat në mënyrë të padiskutueshme ishte padyshim edhe merita e sekretarit Skënder Hyka.

Tifozët

Kanë kaluar vërtet shumë vite por, falë atij futbolli të bukur që performoi në fushën e lojës dhe të golave që shënonte Hyka edhe sot ruan marrëdhënie të shkëlqyera me tifozët dashamirës të Tironës, që ishin aq të ndjeshëm për fanellën bardheblu. Madje, në bisedat e tyre të zjarrta pa ngurrim ata shpesh e etiketonin: “Futbollist bel-këputur, si holandezi fluturues Johan Krujff, elegant e i zhdërvjellët në depërtimet mes mbrojtësve rivalë. Për këto veti i ka shokët e rrallë”. Në ditët kur skuadra fitonte festonin gjatë bashkë me të, por kur pësohej humbje sapo e shihnin në rrugë i drejtoheshin: “Si të bëjnë këmbët të dalësh shëtitje!? Ne kemi humbur! Je në vete apo jo?”