Basketbolli i femrave të Tiranës – Një rekord për Guiness

2246
Adriatik Riza Dosti

Pjesë nga historia e sportit shqiptar
Ato ishin e mbeten një pjesë e rëndësishme e krenarisë sonë kombëtare në sportin e femrave, ishin e mbeten kurdoherë të respektuara ndër vite për shumë arsye e në shumë plane. Historia e sportit shqiptar njeh dominime absolute e rekorde trofesh e titujsh kampione të disa ekipeve e në disa sporte; si Dinamo në volejboll, meshkuj e femra, Partizani në basketboll, meshkuj apo Tirana në futboll etj, por jo si ato. Rekordi tyre është krejt i veçantë dhe vështirë se mund të përsëritet sërish me nga dikush tjetër, madje i denjë vetëm për Librin e Rekordeve të rralla botërore Guiness. Duke flakur tej mentalitetin e trashëguar obskurantist të kohës ato me guximin e kurajën e tyre, që në vitet e para Pas Çlirimit të vendit do të bëheshin dallëndyshet e para të civilizimit e qytetarisë kryeqytetase e shqiptare, por dhe pionieret e para të sportit shqiptar të femrave. E aty në Parkun sportiv tek Rruga e Elbasanit (ku sot është Parku i lojërave për fëmijë) tek Kompleksi Dinamo, ku sot është Qendra Informatike, tek Fushat e Studentit përballë ish- Presidiumit të Kuvendit Popullor e sidomos tek i famshmi Parku i Xha Tonit, ku për vite me radhë ka qenë Rezidenca e SK Tiranës, shpërtheu talenti e pasioni i tyre i pashtershëm sportiv. Shpejt nisën të bëhen, jo vetëm të dashura e të respektuara nga të gjithë, por edhe Kampione të mëdha të Shqipërisë në basketbollin e femrave duke koleksionuar vit pas viti Tituj, e trofe të shumtë. Dhe gjithçka nisi me Myzejen Verzivollin, Melpomeni Zoraqin, Evgjeni Koten, Rexhina Hanxharin, Anjeza Dulen, Mediha Kazazin, Suzi Biçakun, Sanije Stojkun, Cickën, Radojën , Xhajankën, Vathin, Nicën, Shimën etj që të drejtuar nga trajnerët e tyre të pasionuar ndër vite, si Naim Pilku, Jorgji Kona, Feti Borova, Andon Kona, Qemal Shalësi, Astrit Greva, Ali Stërmasi etj, do të regjistronin sukseset e tyre të para. E në vijim gjithçka komandohet prej tyre. Që nga 1947 e deri më 1974 plot 26 herë rresht Kampionë absolute të Basketbollit shqiptar të femrave. Është ky pa diskutim një rekord origjinal në vetë historinë e sportit shqiptar të të gjitha llojeve, por me së paku edhe një Rekord i rrallë për të cilin vetë FSHB duhet të kërkojë e të këmbëngulë që të zërë vend me meritë në faqet e Librit të Rekordeve botërore Guiness, sepse i tillë është në realitet. Pas lojtarëve të sipërpërmendura një brez tjetër do ta çonte edhe më tej stafetën e sukseseve të pa ndalshme të kësaj skuadre. Do të ishin Bukuroshe Shtiza (Bellova) Pavlina Llaci, Vera Dajaka, Vali Myrto, Lida Beti, Mira Gjoni, Zamira Ajdini, Djana Shoshkiç, Lume Hoxha, Anila Parruca, Vogli, Konini, Bega etj, për të mbërritur me një tjetër kulm të tyre tek motrat Alibegaj, Edra e Mirza, e papërsëritshmja Nora Goxhi, e tek Klodiana Dibra, Sterzhana Shoshkiç, Bruna Hyka, Dinora Kola, Margarita Vërria etj, që të drejtuara nga mjeshtrit e mëdhenj të koshit shqiptar e atij bardh e blu Vaso Shaka e Kujtim Kasmi, Bashkim Milo e Roland Avrami, do të shkruanin të tjera faqe të lavdishme të historisë së klubit të famshëm kryeqytetas. Pas dominimit të tyre shumëvjeçar do të vijë periudha më e bukur e basketbollit shqiptar të femrave, ajo e rivalitetit të ashpër sportiv për Titullin e trofete. Tashmë në skenë kish dalë edhe një Skënderbeu i Zamira Kolecit, Lida Shehut e Sylenjit. Në Fier nuk të linte të fitoje kollaj Pavlina Llaci e vajzat e saj. Partizani kish ndërtuar një skuadër simpatike me në krye të mrekullueshmen Mira Guxho (Cuka) e në Shkodër të mrekullonte Xhuli Shestani, po aq sa në Elbasan meritonin respektin e gjithkujt motrat Xhyra. Histori më vete Flamurtari i Trajnerit të rrallë e të pasionuar Petrit Stefa, ku rivaliteti e ndeshjet mes Tiranës e skuadrës së tij, si në kryeqytet, po ashtu edhe në Vlorë mbetën ndër kujtimet më të bukura e më emocionuese të brezit tonë e të atyre viteve. Një Pallat Sporti i mbushur plot e një tifozeri që rrallë përsëritet më. E pra luanin yjet e basketbollit shqiptar, Muhina Kuqi, Eleni Beli (Ruci), Pjereta Cika, Cala, Birçe etj, përballë Myrtos, Betit, Alibegajt, Goxhit e Dibrës. E vlonjatet do t’u a rrëmbenin disa herë kurorën e Kampionit, kryeqytetëseve, duke e bërë garën e ndershme sportive edhe më të bukur akoma. Kujtime që zor se shlyhen kollaj nga kujtesa. E po ashtu nuk mund ta harroj dot kurrë se si çdo fundjavë me shokët e miqtë e mi të mirë e të hershëm, Ucin, Arjanin, Lumin e Sllovenkon, do të gjendeshim bashkë për të ndjekur Tiranën, krenarinë tonë e për të cilën luanin motrat e tyre Vali, Vera, Lida, Diana e Tedi. Ashtu sikurse pak më vonë do të isha kushedi sa here në ndeshjet e tyre së bashku me mikun e shokun tim të madh të jetës sime sportive e jo të tillë. Ben Mingën e paharruar e të pavdekshëm, tek ndiqnim plot respekt e emocion dy dashuritë e tij të mëdha Tiranën e Nora Goxhin, që fati e desh të ishte më pas bashkëshortja e nëna e mrekullueshme e dy djemve të tij. Dhe tek kujtoj se si familja Goxhi u shndërrua në një bërthamë Mjeshtrash të Mëdhenj të Sportit Shqiptar, ku njeri çift ishte Nora e Beni dhe tjetri Diana e Kastriot Mushi (Lala, një tjetër yll i basketbollit të Partizanit e atij Kombëtar) them shpesh më vete, sa me fat paskam qenë që kam qenë gjithmonë i rrethuar nga sportistë e njerëz të tillë, tepër të rrallë për nga niveli e kalibri i tyre sportiv e njerëzor. Pas viteve 2000, në skenë del edhe një Luftëtar gjirokastrit krejtësisht befasues, tek fiton tre herë rresht Titullin e për t’ ia lënë vendin një rikthimi potent të vajzave vlonjate, të cilat kanë të paktën një 10 vjeçar e në vazhdim që janë kryefjala e basketbollit shqiptar të femrave. E çuditërisht Tirana e 40 Titujve Kampione e përvojës dhe eksperiencës së madhe ka ngecur tek kujtimi i fundit i titullit, ai i vitit 1999. Plot 16 vjet pa e shijuar dot atë edhe pse në intervale kohore ka mundur të fitojë disa Kupa të Shqipërisë. Sido që të kenë rrjedhur ngjarjet për mua nuk ka as më të voglin justifikim. Mungesa e Titullit kaq gjatë për një skuadër të cilësuar krenaria e sportit shqiptar, për një skuadër të rekordeve të tipit Guiness, për një skuadër, ku në historinë e saj lexon emrat e Mjeshtreve të Mëdha e të pa përsëritshme është sa e pa falshme po aq edhe e pa shpjegueshme. Ndaj tek shkruaj këto radhë uroj që Tirana të rikthehet aty, ku i takon të jetë, në ballë të këtij sporti të kthehet në traditën e nderin e saj. Aty ku i takon vendi i saj i merituar, në Piedestalin e përhershëm të fitueses, sepse e tillë është vetë historia e saj shumë dekadash. Faleminderit e Respekt pa fund, ju vajzave të Tiranës bardhë e blu që ndër vite u bëtë krenaria e sportit të qytetit tonë e atij kombëtar! Mirënjohje për gjithë ato emocione të rralla që na dhuruat si pak kush në ato vite të vështira për ne shqiptarët. Historia e sportit tonë ka folur e do te flasë për ju kurdoherë, sepse atë e shkruat vete ju, ndaj edhe e meritoni.

Sigal