Bashkim Aliraj/ Maratona Kombëtare e notit, në Sarandë nivel i lartë garimi

622
Sigal

Më shumë vëmendje ndaj notit do të thotë më shumë pjesëmarrje në këto aktivitete

*Trajner i Merituar

Shoqata ‘Jon Vlorë’

 Në  datën 13 shtator 2014, në Sarandë u organizua Maratona Kombëtare e Notit në 1 ,2,4 dhe 6 km. Të gjithë notarët që morën pjesë dhe fituesit meritojnë urimet dhe përgëzimet e të gjithëve, por sidomos ata që bënë garën  6 km meritojnë përgëzime më të mëdha. Ata që e kanë bërë vetë këtë garë e dinë sa e vështirë dhe e bukur është. Maratona 6 km është bërë për herë të parë në Vlorë në vitin 1965-‘66 nga Turizmi në Skelë, më larg ujit të ftohtë,vajtje-ardhje. Vendin e parë në këtë garë atëherë e ka zënë notari i Lokomotivës së Durrësit zoti Hysen Haxhia. Tani kjo garë organizohet në Sarandë. Ajo që do të veçoja është fakti se në këtë maratonë, pjesëmarrja këtë vit ishte e dobët sidomos nga rrethet. Vetëm 3 ekipe merrnin pjesë,  ‘Stela’ , ‘Jon’ dhe ‘Vlora Not’. Ekipi i Stelës me trajner zotin S.Mema është për tu marrë shembull. Ai erdhi në këtë aktivitet me 7 notarë ,(3 djem dhe 4 vajza) dhe bëri një figurë mjaft të mirë. Edhe vitin e kaluar ‘Stela’ me femrat mori kupën e aktivitetit dhe u dallua për një pjesëmarrje të gjerë. Kjo flet për një kuptim e vlerësim të drejtë të detyrës. Edhe ekipi ‘Jon’ që të dy notarët B.Danaj dhe Th.Duni në 2 km zunë vendin e parë dhe të dytë dhe bënë një konkurrim të mirë në garë. Në këtë shkrim së pari duhet të përgëzoj notaren N.Merizaj që në garën 6 km zuri vendin e parë dhe bëri një figurë shumë të mirë. Rezultatet e kësaj notareje nuk janë rastësi. Ajo dhe në Kupën e Republikës dhe në Kampionatin Kombëtar për të rejat është cilësuar notarja më e mirë e vendit nga Federata Shqiptare e Notit. Ajo stërvitet çdo ditë me pasion për të arritur nivele të larta. Disa trajnerë mendojnë se me stërvitjen që bëjnë notarët për Kampionatin Kombëtar të fëmijëve , të rinjve apo të rriturve, mund të marrin pjesë në Maratonë dhe të dalin mirë. Unë mendoj se kjo është e gabuar. Për maratonën kërkohet një stërvitje më e veçantë , më specifike. Natyrisht që 10 ditë për tu stërvitur për maratonën mbas garave janë të pamjaftueshme, por një stërvitje e mirë në distanca të gjata jep efektet e duhura. Edhe për djemtë në garën 6 km not, vendin e parë e zuri notari B.Diko që notoi mjaft bukur së bashku me shokun e tij B.Baholli që zuri vendin e dytë. Që të dy këta janë notarë të ekipit  ‘Stelea’. Natyrisht, kjo nuk është rastësi dhe rezultatet kanë ardhur me punë. Notari B.Baholli është Kampion Kombëtar në stilin “bretkosë”,  trajneri S.Mema shprehet për notarin e tij B.Diku: “Është këmbëngulës në stërvitje dhe me vullnet. Ai është një notar i mirë që premton për të ardhmen”. Por është për të ardhur keq se gjyqtarët nuk ua matën këtyre notarëve kohën gjatë garimit, këto janë gabime të rënda. Nga Bashkia e qytetit dhe klubi sportiv ‘Butrinti’ nuk ishin marrë masat e duhura për këtë veprimtari, asnjë banderolë nuk ishte vënë që të njoftonte për këtë aktivitet ose ku të thuhej nisja ose mbërritja e notarëve. Edhe për kupat që do t’iu ndaheshin notarëve u desh ndërhyrja  e një prindi për ti blerë, ose me 3- 4 varka nuk mund të ndjekësh gjithë aktivitetin. Është e nevojshme në garë që çdo trajner apo ekip të ketë varkën e vet për të shoqëruar notarin. Trajneri për notarin e tij ka përgjegjësi dhe prandaj duhet t’i qëndrojë afër dhe në varkë duhet të qëndrojë vetëm gjyqtari me trajnerin. Duhet të kemi parasysh se sa më mirë që të organizohen këto veprimtari, aq më e madhe do të jetë pjesëmarrja dhe interesimi. Ne i kemi të gjitha mundësitë  që këto veprimtari ti zhvillojmë  me gjerë dhe në qytete të tjera dhe ti kthejmë ato në traditë.  Sa bukur do te ishte që edhe në Vlorë të organizohej një maratonë me emrin Jani Hondro, një figurë e madhe e notit shqiptar.  Në Vlorë sot ka mjaft të rinj që çdo ditë përshkojnë detin me not nga ish Turizmi ose Akademia në plazhin e ri ose nga Uji i Ftohtë dhe anasjelltas. Mundësitë janë që të marrim pjesë dhe në disa maratona ndërkombëtare (që janë 6 të tilla) evropiane dhe botërore dhe të dalim mirë. Dhe më përpara, notarët tanë kanë marrë pjesë rregullisht në to si në 16, 20, 25 km dhe disa kanë dalë mirë. Mendoj se edhe stimuli për këta notarë duhet të jetë më i mirë. Nuk duhet që të mjaftohemi vetëm me një kupë apo medalje por ti shpërblejmë edhe më të holla. Ne nuk jemi shtet më i varfër se Bosnja, Mali i Zi apo Maqedonia që notarët kur zënë vendin e parë, të dytë apo të tretë në garë, stimulohen me 600, 300 e 100 euro ose me 250, 200 e 150 euro. E dimë mirë që notarët e trajnerët në këto veprimtari vijnë me shpenzimet e tyre, atëherë për punën dhe rezultatet që arrijnë ata le ti shpërblejnë. Unë mendoj që Saranda apo ndonjë qytet tjetër i ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për të organizuar Maratona të mira vetëm se kërkohet impenjim e seriozitet më i madh. Mos të kujtohemi për garën një ditë para ose atë ditë që zhvillohet ajo, por ti marrim masat me kohë. Ti bëjmë shembull këto veprimtari dhe ti kthejmë në festa të vërteta siç po bëhet ai i pingpongut në Burrel, që është kthyer në aktivitet mbarëkombëtar e që marrin pjesë dhe vendet nga rajoni si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Kroaci etj.