Barcelona shkatërron Osasunën, Messi nderon Maradonën me një “perlë”

398
Sigal

Barcelona duket se ka rigjetur formën e duhur edhe në kampionat. Skuadra e Koeman fitoi me lehtësi 4-0 ndaj Osasunës në sfidën e javës së 11-të. Ndeshja nisi mjaft mirë për katalanasit. Braithwaite zhbllokoi rezultatin në minutën e 29-të, duke përfituar nga një aksion nga krahu i majtë, teksa e pati të thjeshtë shtyrjen e topit në rrjetë. Në minutën e 42-të, Griezmann shkarkoi të majtën në hyrje të zonës me një goditje fluturimthi duke e dërguar në rrjetë.

Fraksioni i dytë do të ishte i ngjashëm me të parën, me Blaugrana-t që do të shënonin edhe dy gola të tjerë. Në minutën e 57-të, pas një aksioni të gjatë, Griezmann shërben me portën e boshatisur Coutinhon, i cili e ka të thjeshtë që ta shtyjë në rrjetë.

Në ditën e përkujtimit të Maradonës nuk mund të mungonte edhe goli i Messit. Argjentinasi do të realizonte një perlë nga distanca, teksa më pas hoqi fanellën për të kujtuar Diegon me një fanellë të veçantë të Newell’s Old Boys. Me këtë fitore Barcelona ngjitet në vendin e 7-të me 14 pikë, 9 më pak se Atletico Madrid.