Babai i Sadikut tregon emocionet e golave: Na bëri krenarë, më përshëndeti gjithë Elbasani

454
Armando Sadiku u bë edhe njëherë tjetër protagonist me Kombëtaren shqiptare, duke shënuar dy gola në ndeshjen ndaj Izraelit, që u dhanë kuqezinjve vendin e tretë në grup. Por, përveç Armandos, që e ka festuar rrjetën në mënyrën e tij, një tjetër festë ka pasur edhe në Elbasan.
Babai i futbollistit, Durimi, me të cilin sulmuesi është mjaft i lidhur, në një prononcim për “Panorama Sport” tregon edhe emocionet e mbrëmjes së të dielës.
“E kam përjetuar shumë atë ndeshje dhe ata gola të shënuar nga Armando. Kanë ardhur në një moment shumë të rëndësishëm për Kombëtaren, pasi vinte pas një serie rezultatesh jo shumë pozitive.
Nuk ishte një gol, ishin dy dhe jam shumë i lumtur, pasi ishte një fitore me një skuadër që na kishte mundur në Elbasan”, ka thënë i ati i futbollistit. Armando Sadiku do të mbahet mend, pasi në ndeshjen ndaj Rumanisë shënoi golin e parë për kuqezinjtë në finalet e një Europiani.

“Gëzimi i golit në sfidën me Rumaninë ishte i madh, por edhe dygolëshin ndaj Izraelit e kam përjetuar në të njëjtën mënyrë”, ka vazhduar Durimi në prononcimin e tij.



MESAZHET 
Pas një suksesi të tillë, edhe mesazhet në familjen Sadiku nuk kanë munguar. “Që pas ndeshjes kemi pasur mesazhe të shumta nga miq dhe dashamirës që na uronin.

Jam ndier shumë mirë, pasi Sadiku nuk na bëri vetëm krenar ne si familje, por Elbasanin dhe të gjithë Shqipërinë me golat e tij. Edhe në Elbasan gjatë ditës së sotme (dje) më kanë përshëndetur dhe uruar të gjithë, ndaj dua t’i falënderoj. Pas ndeshjes, Armando më ka telefonuar menjëherë, por nuk kemi pasur kohë të flisnim shumë gjatë”, ka mbyllur Durimi.
Sigal