KATEGORIA E PARË/ Trajneri i Butrintit, Artan Meçani tregon përgatitjet dhe synimin për sfidën Play-off
Agron KAJA

Ditën e enjte më 28 maj 2026, do të luhet ndeshja mes Kukësit dhe Butrintit, se cila prej këtyre dy skuadrave do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë për sezonin e ardhshëm. Pas rënies së Bylisit nga Superiorja, skuadra e dytë ballshiote Bylis B, që kishte mundur të ngjitej në Kategorinë e Parë, sipas Rregullores së garës nuk mundet dy skuadra nga i njëjti rreth. Kështu që skuadra e fundit do të dalë nga finalja e ditës së enjte, Kukësi-Butrinti, për të cilën trajneri sarandiot Artan Meçani, për gazetën “Telegraf” u shpreh se do respektohet kjo ndeshje, që sipas tij ka sjellë vështirësi në organizimin e skuadrës. “Për këtë ndeshje finale, skuadra e Butrintit është përgatitur me vështirësi, të cilat i kemi bërë publike edhe mediatikisht. Kur u njoftuam për këtë sfidë, kishim futbollistë të larguar menjëherë pas ndeshjes me Bylis B. Jemi amatorë dhe nuk mund ti mbajmë më gjatë futbollistët, ndaj disa prej tyre nuk kemi mundur ti kthejmë, për shumë arsye të pa mundura brënda kohës. Jemi duke vazhduar përgatitjet me këta lojtarë, sepse e mbështesim futbollin dhe do zbatojmë vendimin e FSHF-së”, kështu e nisi dje bisedën trajneri i Butrintit Artan Meçani, i cili veç vështirësive të riorganizimit të skuadrës, tregon edhe për padrejtësitë që skuadra e drejtuar prej tij ka hasur gjatë garës së kampionatit. “Në kampionat, Butrinti ishte më mirë në renditje nga Bylis B, por nuk ia doli. Se çfarë nuk shkoi, nuk duhet të kapemi në aspektin teknik dhe taktik, sepse kishte shumë arsye që ndikuan dhe ato duan analizën e tyre. Është e thjeshtë, me Orikun shkoi sikundër ishte e planifikuar. Por Butrinti është kampioni moral, ndërsa kampioni sportiv nuk u përcaktua në fushë. Por për ne nuk ishte e mjaftueshme”. Po si e mendon trajneri Meçani finalen me Kukësin më 28 maj? “E kam ndjekur Kukësin në ndeshjen me Bylis B. Është ekip i mirë, por kur flasim për një ndeshje teke, shancet janë të barabarta për të dyja skuadrat. Fusha do ta vendosë, por nuk do doja të jetë një ndeshje me rezultat të paravendosur. Sepse me këto manovra po na e largojnë tifozerinë, e cila është nga më të mëdhatë dhe më të mirat në këtë kampionat. Kështu ata vijnë si të poshtëruar me rezultate të paracaktuara, por ne do bëjmë më të mirën tonë”, ishte kjo biseda me trajnerin e Butrintit, Artan Meçani.
FUNDJAVA E LEGJIONARËVE
Ramadani dhe Muçi, kryefjala e fundjavës

Grumbullimi i Kombëtares do të nisë javën e ardhshme, ndërsa Legjionarët shqiptarë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm me skuadrat e tyre në kampionatet e futbollit. Në fundjavë, Ernest Muçi ishte një nga protagonistët kryesorë në futbollin turk, pasi fitoi Kupën e Turqisë me Trabzonsporin. Paraqitje shumë të rëndësishme tregoi edhe Ylber Ramadani me Leçen në Itali, duke siguruar mbijetesën në Serie A, pas fitores 1-0 ndaj Xhenoas. Minuta si titullarë me skuadrat e tyre gjatë kësaj fundjave luajtën gjithashtu edhe Ivan Balliu në Spanjë, Berat Gjimshiti dhe Adrian Ismajli në Itali, Bujar Pllana dhe Julian Shehu në Poloni, Mario Mitaj në Arabinë Saudite dhe Adrion Pajaziti në Kroaci. Sezoni futbollistik për disa Legjionarë është mbyllur, por ka edhe të tjerë që janë drejt fundit.
Arbnor Muja, sms me gola trajnerit Rolando

Sulmuesi Arbnor Muja, nuk u përzgjodh në Kombëtare që nga viti 2024, pasi Silvinjo nisi të mos e preferonte si alternativë. Kjo ishte edhe periudha kur ai u huazua nga Samsunspori i Turqisë te skuadra belge St. Truiden. Në këtë kampionat ai ka treguar formë shumë të mirw sportive, dhe në ndeshjen e fundjavës, në sfidën e vleshme për kampionat St. Truiden-KV Meshlen 3-0, ishte protagonist absolut. Në minutën e 24-të, pasi shmangu edhe portierin, Muja tundi rrjetën mike dhe kaloi në epërsi ekipin etij. Por kjo nuk ishte e gjitha, sepse në fundin e pjesës së parë, Muja kontriboi edhe me një asist goli. Në pjesën e dytë, kontributi i tij ishte i madh, dhe në fund u vlerësua me notën më të lartë sipas “SofaScore”, 9.1. Gjithsesi, në Kombëtare mbeti tre vite i “pa dëshiruar”!
Nga Flamurtari, Erald Maksuti nis aventurën në Rusi
E mbylli me Flamurtarin në Abissnet Superiore, por nuk do të luajë në Kategorinë e Parë. Sulmuesi Erald maksuti do të vazhdojë karrierën e tij në kampionatin rus të futbollit, ku ka firmosur me ekipin e Akhmat Grozni. Talenti i kërkuar nga shumë klube në Superiore dhe jashtë Shqipërisë, por në fund ka pranuar ofertën ruse. Nga dje, ai është zyrtarizuar si lojtar i skuadrës çeçene.

KATEGORIA E PARË
SEZONI 2025-2026
PAS VENDIMIT TË FSHF
E enjte, 28 maj 2026
Kukësi-Butrinti 15:00
(Fituesi në Kategorinë e Parë)
RENDITJA PËRFUNDIMTARE
Skuadrat Nd P
1.Laçi 33 79
2.Skënderbeu 33 77
———————————–
3.Pogradeci 33 68
4.Iliria 33 45
5.Besa 33 39
6.Kastrioti 33 39
———————————–
7.Burreli 33 37
8.Korabi 33 36
———————————–
9.AF Luftëtari 33 34
10.Kukësi 33 31
———————————–
11.Apolonia 33 28
12.Lushnja 33 26
Verdiktet ende të papërfunduara, sezoni 2025-2026
# Laçi kampion, Skënderbeu nënkampion
#Pogradeci, Iliria, Besa dhe Kastrioti në Play-off
Ndeshjet: Pogradeci-Kastrioti 3-0 dhe Iliria-Besa 0-2
Ndeshja finale: Pogradeci-Besa 1-0
Ndeshja për Superioren: Teuta-Pogradeci 1-0
#AF Luftëtari dhe Kukësi në Play-out
Ndeshjet: AF Luftëtari-Sopoti 1-1 dhe Kukësi-Bylis B 1-1
Sopoti në Kategorinë e Parë, Bylis B në Kategorinë e Dytë
Kukësi-Butrinti, finale për Kategorinë e Parë (28 maj)
#Apolonia dhe Lushnja zbritën në Kategorinë e Dytë






















