Arroganca e Panuçit, dritëhije për vazhdimësinë në Kombëtare

602
Sigal

Nga Andon KALAJA

KOMBËTARJA/ Vazhdojnë përgatitjet për miqësoren me Ukrainën, por humbja me Kosovën nuk po kapërdihet lehtë

Para dy ditësh, kam lexuar një deklaratë të Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, lidhur me humbjen e Kombëtares sonë me Kosovën. M’u duk një deklarim qytetar, fisnik, por edhe një “amortizator” për të ulur tensionin që ka krijuar kjo humbje tek tifozeria kuqezi, dhe më gjerë në opinion sportiv shqiptar. Por, kjo nuk do të ndalonte askënd që të japë opinionin dhe arsyet në këndvështrimin personal për atë humbje, e cila ka disa të veçanta që të paktën duhen kujtuar. Dhe ato sillen rreth e qark trajnerit Kristian Panuçi, ku së pari duhet thënë se ai është disenjatori i skuadrës që e hodhi në fushën e lojës në miqësoren me Kosovën. Nuk mund të gjendet asnjë “rreshter” (thënie e tij pas humbjes me Kosovën) që ta hedhë skuadrën në një betejë (në fushën e lojës), aq të zbuluar dhe aq pa ide në të gjitha repartet. Sepse kanë qenë po këta lojtarë që kanë luajtur edhe në miqësoren e humbur në muajin mars 2018 me Norvegjinë, ndërsa nuk ka qenë pjesa më e madhe e atyre lojtarëve që kanë fituar me Turqinë në nëntorin e kaluar. “Kositja” që Panuçi i bëri skuadrës, ku ka larguar plot 11 titullarë, solli dy humbje të njëpasnjëshme, në dy miqësore. Dhe në të dyja rastet, Panuçi ka përdorur një stil alla-italian, duke pranuar përgjegjësitë, por duke thënë se do të reagojë. Këtë herë tha se: “… do të sillem si një rreshter këtej e tutje…”, por me një injorancë për gradat, sepse rreshteri është një ushtarak i niveleve të ulëta, ndërsa trajneri i një Kombëtareje është një “gjeneral” në bankinën e një Kombi. Kjo arrogancë e Panuçit ka nisur që me marrjen e timonit nga De Biazi, por që duke e shkatërruar Kombëtaren e ngritur prej tij, e cila na çoi edhe në Kampionatin Evropian. Nuk është fjala vetëm se kemi humbur dy miqësore radhazi, edhe pse ajo me Kosovën “djeg” pak, por se ndryshimet që ai ka bërë janë vetëm për rezultate negative, aq sa edhe bilanci i tij në 7 ndeshje në bankinën kuqezi është negativ, me 2 fitore, 1 barazim dhe 4 humbje. Ndoshta në këtë këndvështrim ai e quan veten rreshter në Kombëtaren tonë, por ka harruar se është blerë për të qenë gjeneral në skuadër. Presidenti Duka u mundua të mërkurën në mbrëmje që ta mbulonte italianin, por fusha të nxjerr më shumë zbuluar se sa të mbulon një deklaratë zoti President! Këto janë dritëhije që e bëjnë mosbesues trajnerin Panuçi, aq më shumë edhe synimet që mund të kemi për Evropianin e Ligën e Kombeve. Ndoshta…! Është pak “aguridh” për këtë stol.