Armando Cungu: Kemi pesë muaj pa marrë pagat, nuk luhet kështu futboll superior

534
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i skuadrës së Vllaznisë, tregon për situatën financiare, dhe atë pas dy ndeshjeve
Në harkun e 7 ditëve detyroheni të luani 3 ndeshje zyrtare, është normale kjo për ngarkesën që krijohet te futbollistët?
Patjetër që ka ngarkesë, sepse një kalendar i tillë kërkon kontingjente që ta përballojnë atë normalisht. Ky është shqetësim edhe për skuadrën tonë, sepse ne këto kontingjente i kemi të pakta. Por…, do ta përballojmë, edhe pse jemi të ndërgjegjshëm që kjo ngarkesë na dëmton.

Në ndeshjen e Kupës ndaj Kastriotit, nuk shkuat më shumë se barazimi 0-0, është ky rezultat i vështirë për takimin e kthimit?
Nuk besoj se do të jetë e vështirë për takimin e kthimit pas dy javësh, sepse unë e menaxhova ekipin për disa lojtarë që nuk kishin pasur mundësinë të tregonin vlerat në ndeshjet e tjera. Në takimin e kthimit, skuadra do të jetë më e plotë, e mendoj se kualifikimi do të jetë pjesë e kësaj ndeshjeje.

Kishte diçka që nuk funksionoi në këtë përballje me krutanët?
Duke qenë se objektivi im si trajner ishte për të parë gjendjen e disa lojtarëve, them se gjithçka funksionoi shumë mirë. Por, edhe pse unë si trajner pretendoja për më tepër, si në lojë dhe në rezultat, ky barazim nuk na shqetëson aspak.

Të dielën, Vllaznia luan në Shkodër me Teutën në javën e dytë të Kategorisë Superiore, është e gatshme skuadra juaj për këtë sfidë?
Besoj se deri të dielën, do ta kem kontingjentin e plotë për ndeshjen kundër Teutës. Në ndeshjen e parë me Lushnjen në Fier, na munguan Pjeshka e Tafili, dhe do uroja që ata ti kenë kaluar dëmtimet, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme për ta fituar ndeshjen.

Ka ndikuar deri më tani problematika financiare në skuadrën tuaj?
Është një problematikë disa mujore, e cila nuk ka marrë zgjidhje. Kemi që nga muaji maj që nuk kemi marrë pagat, dhe ende nuk e dimë se kur do të zgjidhet. Ne po bëjmë detyrën tonë në fushën e lojës, të tjerët të bëjnë detyrën e tyre me financat.

I druheni kësaj situate financiare për vazhdimësinë në rezultatet e skuadrës së Vllaznisë?
Në fakt, ne kemi një kontingjent me futbollistë profesionistë, të cilët kanë pasion dhe burrëri. Ata jetojnë me premtimet që na janë bërë, dhe unë gjej rastin ti falënderoj për gjithçka të mirë që ata bëjnë në këtë situatë financiare.

Edhe kështu, e quani të kompletuar skuadrën tuaj për këtë sezon?
Në atë shkallë që kërkon Kategoria Superiore, dhe në pretendimet që unë kam për këtë skuadër, kompletimi nuk është i plotë. Kemi bërë një merkato të suksesshme gjatë verës që u mbyll, por kemi ende mangësi, sepse kontingjenti është jo i plotë. 

Cili është synimi i Vllaznisë për këtë sezon?
Për të qenë i sinqertë, unë synim personal kam ndeshjen e radhës, sepse nuk marr dot përsipër objektivat vjetore. Ai i radhës është që të fitojmë ndeshjen me Teutën, dhe për këtë jam duke e përgatitur skuadrën.
Është një problematikë disa mujore, e cila nuk ka marrë zgjidhje. Kemi që nga muaji maj që nuk kemi marrë pagat, dhe ende nuk e dimë se kur do të zgjidhet. Ne po bëjmë detyrën tonë në fushën e lojës, të tjerët të bëjnë detyrën e tyre me financat
Sigal