Armand Duka: Panuçi është zgjedhja e duhur, “Ballisti” nuk duhet të ekstradohet

443
Nga Agron KAJA
FSHF/ Nga trajneri i ri i Kombëtares, deri tek “Ballisti” tifoz, ja si e përshkruan situatën Njëshi i futbollit shqiptar
Nisur nga data 14 qershor, dhe për të vazhduar gjatë gjithë muajit korrik 2017, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka qenë shumë aktiv me lëvizjet e tij brenda e jashtë Shqipërisë. Së pari, sepse largimi i De Biazit më 13 qershor, e detyroi që të fillonte “gjuetinë” për të gjetur zëvendësuesin e ri në stolin e Kombëtares, duke marrë “rrugët e Evropës”, e më pas, me konferencat për shtyp dhe takimet në Itali dhe Shqipëri, e bënë agjendën e Njëshit të futbollit shqiptar me parametra piku. Dhe ky korrik i nxehtë, si për ta mbyllur në mënyrën më të mirë, i tha FSHF-së se pushimet nuk do të jenë të qeta. Tifozi “Ballist” (Ismail Morina) që ngriti dronin në stadiumin e Beogradit në ndeshjen e 14 tetorit 2014 Serbi-Shqipëri, ka qenë në pozicione ekstradimi nga Kroacia për në Serbi. Ndaj FSHF-ja ju gjend pranë, me lëvizjet që bëri në rrugë zyrtare e diplomatike. I pyetur rreth kësaj agjende, vetë Armand Duka konfirmoi për gazetën “Telegraf”, se këtë verë të nxehtë (qershor-korrik 2017), ai e ka kaluar më shumë në udhëtime e biseda, me një agjendë shumë aktive, por që sipas tij, ja vlejti. “Natyrisht që largimi i De Biazit si trajner i Kombëtares, më vuri në pozita të vështira, sa i përket zëvendësuesit të tij. Kam takuar shumë trajnerë e ish-trajnerë, në Itali e gjetkë, në një periudhë kohe shumë të shkurtër, sepse nga 14 qershori e deri më 19 korrik 2017 në konferencën për shtyp për prezantimin e Panuçit si trajneri i ri, nuk më kanë zënë “këmbët dhe”, në kuptimin e lodhjes nga të gjitha drejtimet. Por në fund doli e suksesshme dhe ja vlejti, sepse kemi gjetur një trajner që garanton synimet në stolin e Kombëtares. Tashmë janë bërë publikë objektivat për të, për ti mbyllur kualifikueset e “Rusi 2018” në vendin e 3-të në Grupin G, dhe për të synuar më pas kualifikimin në finalet e Kampionatit Evropian 2020”, ishte kjo deklarata e Presidentit të FSHF-së për gazetën “Telegraf”, lidhur me situatën në futbollin shqiptar, duke përmendur më pas edhe aktivizimin e skuadrave të Superiores në Evropë, por edhe lëvizjet që ato kanë bërë e bëjnë në merkato. “Kjo është një periudhë e kushtëzuar për skuadrat e futbollit tonë, pasi katër prej tyre kanë qenë të preokupuara me ndeshjet në Evropë, ndërsa të tjerat kanë punuar me skuadrat, por kanë qenë aktive edhe në merkato. Si zakonisht, para tyre troket një sezon i vështirë, ndaj do të uroja që të kenë bërë përgatitjet më të mira, për të qenë të gjitha faktor pozitiv në këtë sezon të ri”. Por për Presidentin e FSHF-së, muaji korrik duhej të mbyllej me një tjetër lëvizje zyrtare, angazhimin e tij dhe të FSHF-së për çështjen e ekstradimit të tifozit Ismail Morina (“Ballisti”), nga Kroacia për gjykim në Serbi. Edhe pse dje, zyrtarisht FSHF-ja ka bërë një deklaratë, Duka shpjegoi për gazetën “Telegraf”, se ai dhe institucioni që drejton, janë të angazhuar që ekstradimi të mos ndodhë. “Ju jeni njohur sot (dje) me angazhimin e FSHF-së për mosekstradimin e tifozit “Ballist” Ismail Morina. Unë, pas bërjes publik të lajmit të ekstradimit të tij në Serbi, si President i FSHF-së vura në lëvizje gjithë strukturat e shtetit shqiptar, e deri te Kryeministri Rama. Nga të gjithë morra premtimin për një zgjidhje ndryshe nga vendimi i Gjykatës së Dubrovnikut për ekstradim në Serbi, dhe shpresoj se kështu do të ndodhë”, kështu theksoi Presidenti i FSHF-së në bashkëbisedimin e tij me gazetën “Telegraf”, duke hedhur më shumë dritë për situatën e krijuar në të tre pistat e kësaj bisede.
Largimi i De Biazit na imponoi gjetjen sa më shpejt të zëvendësuesit të tij, dhe gjatë kësaj kohe të shkurtër, nga 14 qershori e deri më 19 korrik 2017, kam takuar shumë trajnerë e ish-trajnerë. Nuk më kanë zënë “këmbët dhe”, në kuptimin e lodhjes nga të gjitha drejtimet, por në fund doli e suksesshme dhe ia vlejti, sepse kemi gjetur një trajner që garanton synimet në stolin e Kombëtares
Sigal