Armand Duka: Në Izrael reaguan të gjithë, De Biazi largohet në fund të kontratës

466
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Presidenti i FSHF-së, tregon situatën në Kombëtare pas fitores në Izrael, edhe për marrëdhëniet e tij me trajnerin De Biazi. Sot deklaratë zyrtare 
Fitorja në Izrael, e ka sjellë te ju buzëqeshjen dhe qetësinë e munguar pas pesë humbjeve të Kombëtares?
Qetësia në jetë është gjithmonë relative, asnjëherë absolute. Edhe në këtë rast kështu ndodh, por do të thosha se pas fitores në Izrael, unë si President i FSHF-së ndjehem pak më i qetë pas asaj situate të vështirë që kaluam, kryesisht pas pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian. Me këtë fitore, mendoj se skuadra e dha përgjigjen e duhur.

Keni disa muaj që skuadrës kombëtare i keni kërkuar të reagojë, kjo fitore erdhi në kohën e duhur?
Ndoshta erdhi më vonë nga sa unë prisja, por gjithsesi, edhe kështu mirë, sepse në këndvështrimin tim, ajo ndeshje ishte e pëlqyeshme për të gjithë skuadrën, lojtarët, trajnerin, tifozët, pse jo edhe për ne që punojmë e drejtojmë këtë institucion. Por, kjo ndeshje e mirë do të kërkonte një vazhdueshmëri të tillë, dhe këtu duhet kujdesi më i madh për Kombëtaren.

Çfarë mendoni ju se i duhet skuadrës sonë Kombëtare për të pasur vazhdueshmëri pozitive për ndeshjet e tjera?
Pas periudhës së vështirë që e kaluam të gjithë, erdhi kjo fitore e merituar, por që duhet të na mbajë me këmbë në tokë. Ne nuk jemi ndonjë skuadër e madhe, ndaj pas çdo suksesi duhet që ti shmangemi euforisë. Për mua kjo është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë, dhe këtë ua kërkoj të gjithëve në skuadër, lojtarë e trajnerë.

Pse sipas jush mbetemi një skuadër modeste?
Nuk e di si jam kuptuar prej jush, por kur them që nuk jemi skuadër e madhe, kuptohet se nuk jemi as Spanja dhe as Italia, që situata të tilla ti kalojmë sa më shpejt. Unë them se duhet të tregohemi modestë për gjithçka që arrijmë, sepse psikologjia normale e modestisë në raport me realitetin, nuk fillon dhe nuk mbaron këtu. Ndaj duhet që të jemi të tillë, por pa mohuar se fitorja ndaj Izraelit ishte diçka e bukur.

Para ndeshjes me Izraelin, keni patur debate virtuale me trajnerin De Biazi, pas kësaj ndeshjeje, i quani ato të mbyllura?
Në këtë bisedë me ju sot, nuk dua që të fokusohem tek ajo situatë që kemi kaluar. Ju thoni se kam patur debate virtuale me De Biazin, ndërsa unë ju përgjigjem se kemi bashkëpunuar në të mirën e skuadrës. Dhe duke qenë profesionistë, edhe marrëdhëniet, por edhe marrëveshjet, respektohen e zbatohen në këtë frymë.

Por, besoni e mendoni ju se është De Biazi është në këtë frymë bashkëpunimi?
Gjatë kësaj kohe që bisedojmë bashkë, mësova se De Biazi ka folur për gjithçka që ai ka menduar në reflektim të situatës. Kjo është e mirë edhe për faktin se ka ndikim edhe në skuadër, për çka thuhen e shkruhen, që më shumë, nuk kanë saktësinë e momentin e duhur.

Pse e mendoni De Biazin kaq kurajoz, çfarë mund të tregojë ai më shumë nga sa është folur e shkruar në media?
Unë, trajnerin De Biazi nuk e kam menduar asnjëherë jashtë linjës së një trajneri profesionist. Me fitoren në Izrael, mendoj se ai di ta bëjë mirë këtë punë, dhe kjo ka rëndësi për momentin, kur jemi të fokusuar në ndeshjet eliminatore të Botërorit 2018.

Në media është folur për merkaton e tij në disa skuadra, ju do ta ndërprisnit kontratën më te për ta lejuar në këto oferta?
Fola më sipër se kemi vepruar si profesionistë, e kështu duhet kjo përgjigje, e cila nënkupton se De Biazi është i lirë kur të mbyllet kontrata e tij me Shqipërinë. Kështu do të ndodhte nëse atij do ti vinte zyrtarisht ndonjë ofertë, edhe pse në media janë krijuar alibi se ai do të largohej më parë. Por sot (dje), ai e tha qartë se kur duhet të largohet zyrtarisht nga stoli i Kombëtares shqiptare.

Mos jeni shumë pedant në këto deklarime ndaj trajnerit?
Absolutisht jo, sepse unë më të rëndësishme mendoj Kombëtaren, dhe për atë do të doja të flitej më shumë, se çfarë nuk është bërë mirë, dhe se çfarë duhet bërë për më shumë. Ndaj në këtë rast, individët nuk janë më të rëndësishëm para skuadrës, që nga unë si President i FSHF-së, e deri personi më i fundit që merret me punët e Kombëtares.

Ditën e hënë, skuadra jonë Shpresa U 21 luajti me Estoninë, ishte i drejtë barazimi? 
Më pëlqeu loja e skuadrës sonë, dukej që trajneri Bushi kishte përgatitur elementë të mirë. Por, ishte edhe e pafat për golin, e në këtë drejtim ndoshta duhet punuar më shumë për vazhdimësinë.
Gjatë kësaj kohe që bisedojmë bashkë, mësova se De Biazi ka folur për gjithçka që ai ka menduar në reflektim të situatës. Kjo është e mirë edhe për faktin se ka ndikim edhe në skuadër, për çka thuhen e shkruhen, që më shumë, nuk kanë saktësinë e momentin e duhur
Reagimi i Dukës: De Biazit i besuam Kombëtaren, çfarë të bënim më shumë?!
Gjatë bisedës me gazetën “Telegraf”, Presidenti i FSHF-së foli edhe për përmbajtjen e fjalëve që De Biazi përmendi në konferencën e tij për shtyp dhënë dje në mesditë. Edhe pse nuk e kishte dëgjuar, nuk mendonte se duhej bërë më shumë me të. “Gjithë paraditen kam qenë i angazhuar me disa punë të tjera, dhe nuk e kam dëgjuar atë çfarë ka thënë De Biazi në konferencën për shtyp. Gjatë kësaj periudhe që ai është këtu në drejtimin e Kombëtares sonë, i kemi besuar Kombëtaren, që është dashuria e jetës për çdo shqiptar. Më shumë nuk e di se çfarë mund të kishim bërë, por nesër (sot) unë do të dal me një qëndrim zyrtar”, deklaroi për “Telegraf” Presidenti i FSHF-së, dje gjatë bisedës për situatën rreth Kombëtares sonë.
Sigal