Anxhelo Renceti, Presidenti i klubit të Luganos konfirmon se Armando Sadiku mund të rikthehet

470
Sigal

Armando Sadiku mund të
kthehet në janar në elitën e futbollit zviceran, te ekipi i Luganos. Konfirmimi
vjen nga presidenti i këtij klubi, Anxhelo Renceti, i cili për mediat zvicerane
sqaroi se sulmuesi ka dëshirë që t’i bashkohet Paolo Tramexanit, me të cilin ka
shumë miqësi.

“Ai dëshiron të vijë, është shumë mik me trajnerin tonë
ndaj do të bëjmë një tentativë për ta realizuar. A kemi folur? Po, me
futbollistin, por jo në nivel klubesh”, shpjegoi ai.

Sadiku ka veshur fanellën e Luganos në vitet 2012-2013,
duke realizuar 24 gola në 43 ndeshje me këtë skuadër, gjë që i dha mundësinë më
pas të transferohej te Zyrihu. Me sa duket, sulmuesi shqiptar kërkon të bëjë
rrugëtimin invers qoftë edhe në formën e huazimit, por klubi që zotëron
kartonin e tij ka fjalën e fundit në këtë aspekt.

“Djaloshi do të dëshironte shumë
të kthehej, trajneri ynë e dëshiron, ndërsa në do ta prisnim me krahë hapur.
Por gjithçka varet nga strategjia e Zyrihut, nëse mendojnë se kanë nevojë për
shërbimet e tij në këto muaj të mbetur apo nëse mendojnë se kanë distancën e
duhur nga ndjekësit në kategorinë e dytë dhe mund ta kalojnë te Lugano që të
ketë shikueshmëri më të madhe dhe t’i rritet edhe më shumë vlera në perspektivë
të merkatos”, tha Renceti. 
 

Ky i fundit e ka shumë seriozisht dhe bëri të ditur se
kjo nuk do të mbetej vetëm në rangun e thashethemeve. “Mendoj se bisedimet do
të bëhen në fillimin e janarit, para se skuadra të fillojë grumbullimin
përgatitor”, theksoi ai.