KATEGORIA E PARË/ Alfred Allamani tregon eksperiencën e parë në bankinë si trajner i Kukësit
Agron KAJA

Në javën e 18-të të Kategorisë së Parë, spikati edhe fitorja 3-1 e Kukësit ndaj Pogradecit. Në këtë fillim të vitit 2025, skuadra kuksiane shënoi dy të veçanta në këtë javë. Së pari arriti fitoren më të thellë në këtë sezon, e së dyti, trajneri Alfred Allamani bëri debutimin e tij të parë në stolin e Kukësit. Për gazetën “Telegraf”, tekniku Allamani tregoi se për të dhe skuadrën, nuk kishte më bukur se kjo nisje e vitit 2025. “Ndeshja e parë e këtij viti ndaj Pogradecit, nuk kishte më bukur që e nisëm me fitore. Kjo ishte një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari që në këtë sezon ka një ngjitje graduale në tabelën e renditjes. Ndaj dhe ne e kishim përgatitur në çdo detaj këtë sfidë, vetëm për ta fituar. Natyrisht që në këtë sukses, falenderimi im i parë ishte për të gjithë skuadrën, e cila tregoi karakter e dinjitet në fushën e lojës. Çfarë ndryshoi në skuadër në fitoren ndaj Pogradecit? Unë do thoja se kjo ndodh në çdo skuadër kur vjen një trajner i ri, ku së pari mendoj se rritet motivi nga çdo futbollist”, kështu e nisi dje bisedën trajneri i Kukësit, i cili më pas tregoi edhe situatën aktuale te skuadra e Kukësit. “Ne kemi pasur edhe dalje të lojtarëve që kanë qënë boshti i skuadrës në pjesën e parë të këtij sezoni, dhe aktualisht kemi mungesë në mbrojtje e në sulm. Këto mungesa besoj se do t’i plotësojmë, pasi nga drejtuesit e kam marrë konfirmimin për disa afrime, të cilat do të bëhen brënda këtij muaji që vazhdon merkato e dimrit”. Edhe pse me këtë fitore, Kukësi renditet në vëndet e zonës së mbijetesës në Kategorinë e Parë, por tekniku Allamani nuk i trembet situatës. “Natyrisht që nuk kemi një renditje të konsoliduar që të themi se mbijetesën e kemi shmangur. Por pjesa e dytë e kampionatit sapo ka nisur dhe janë edhe shumë ndeshje për tu luajtur. Deri në fund, asnjë skuadër nuk e ka të sigurtë apo të “salduar” vëndin aktual që ka në tabelën e renditjes. Ne do punojmë që të kemi vazhdimësi në rezultate, që edhe të shpëtojmë sezonin”. Në javën e 19-të Kukësi luan në transfertë më Kastriotin, por Alfred Allamani shprehet se nuk i trembet asnjë kundërshtari. “Kastrioti është ekip shumë i mirë, por edhe i vështirë në fushën e tij. Por ne do kërkojmë rezultat pozitiv, sepse mendojmë që e kemi mundësinë. Synimi ynë është që në këtë sezon ta mbyllim në vendet e mesit të tabelës së renditjes, dhe me këtë objektiv do të ecim nga ndeshja në ndeshje, deri në fundin e kampionatit”, ishte kjo biseda me trajnerin e skuadrës së Kukësit, Alfred Allamani, dje pas eleminimit të Kukësit nga Laçi, në Kupën e Shqipërisë.
LEGJIONARËT
Uzuni bëhet telenovelë, nuk del në stërvitje me Granadën!
Ka disa ditë që Myrto Uzuni i ka ftohur raportet me skuadrën e Granadës. Edhe ditën e djeshme ai nuk doli në starvitjen e radhës, edhe pse ishte në stadium dhe e ndoqi stërvitjen nga larg. Shkaku për këtë ftohje mes tij dhe klubit të Granadës tashmë është bërë public. Fillimisht u përfol se Uzunin e kërkonte një skuadër në MLS amerikane, ndërkohë që më pas doli version i rritjes së pagës. Këtë pretendim ka mbajtur gjithë këto ditë edhe vetë beratasi, i cili duket i vendosur që t’ia arrijë qëllimit të tij, të mos rinovojë kontratën me Granadën, pa një rritje të pagës së tij. Uzuni nuk ka luajtur asnjë ndeshje për vitin 2025, madje ndeshjen Burgos që Granada e barazoi 0-0 në fushën e saj, ai ishte në tribunë mes tifozëve. Madje këta të fundit kanë bërë apel që klubi ta zgjidhë sa më shpejt këtë ngërç, duke e quajtur Uzunin një golashënues që e meriton të shpërblehet më tepër. Me 34 pikë në 22 ndeshje dhe e renditur në vëndin e 8-të, më 18 janar pa Uzunin, Granda luan në transfertë ndaj Levantes.
Sokol Cikalleshi largohet nga Irani, rikthehet në Turqi
Sulmuesi kavajas Sokol Cikalleshi, i ka dhënë fund aventurës te skuadra Traktor Sazi në futbollin Iranian, dhe dje është rikthyer në Turqi. Por këtë herë jo në Superligë, sepse në Ligën 2 do jetë pjesë e skuadrës Adanademir Sporit. Në fakt, skuadra është në kushtet e mbijetësës, pasi në 19 javë kampionat renditet në vëndin e 19-të me 15 pikë, dhe për këtë ka menduar që të ketë Cikalleshin në repartin e avancuar. Ky është një rikthim në futbollin turk, pasi në karrierën e tij Cikalleshi ka më shumë se 10 sezone që luan me skuadra të ndryshme në futbollin turk, përjashtuar sezonin e kaluar që luajti në Iran. Nga viti 2-15 me Instambul Bashaksehir, ka vazhduar me Akhisar Beledispor, Osmanlispor, Koniaspor dhe së fundmi te AdanaDemir Spor. Me Traktor në Iran, Cikalleshi luajti 6 ndeshje dhe shënoi 3 gola, ndërkohë që në vitin e kaluar ai nuk u preferua nga trajneri i Kombëtares Silvinjo, duke ja ndërprerë rrugëtimin e tij kuqezi të nisur nga viti 2014, ku në 60 ndeshje ka shënuar 13 gola.
Vora gjen sulmues në Maqedoni, u prezantua dje
Merkato te skuadra e Vorës duket se nuk do të ndalet vetëm te emrat në futbollin shqiptar. Pasi negociatave, dje klubi vorak ka prezantuar sulmuesin maqedonas Emir Skënderi. Shqiptari nuk ka asnjë eksperiencë jashtë futbollit maqedonas, ku së fundmi ishte pjesë e skuadrës Besa Dobërdoll. Dje, klubi i Vorës i ka bërë urimin zyrtar për Skënderin edhe në rrjetet sociale.
KATEGORIA E PARË
Ndeshjet-Java 19
Datë 18 janar 2025
Pogradeci-Flamurtari 13:30
Datë 19 janar 2025
Besa-Erzeni 13:30
Burreli-Apolonia 13:30
Kastrioti-Kukësi 13:30
Korabi-Valbona 13:30
Lushnja-Vora 13:30
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Vora 18 44
2.Flamurtari 18 42
3.Besa 18 39
4.Burreli 18 31
5.Kastrioti 18 26
6.Lushnja 18 24
7.Pogradeci 18 23
8.Kukësi 18 20
9.Apolonia 18 20
10.Korabi 18 16
11.Valbona 18 12
12.Erzeni 18 4