Aleko Bregu: Ky kampionat po bëhet i fortë dhe konkurrent

22

KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit, Aleko Bregu, vlerëson nivelin e cilësinë, referuar rezultateve.

Sigal

Agron Kaja

Agron Kaja

 

“Kategoria e Parë të këtij sezoni më duket sikur është një “filial” i Superiores. Sepse aty luajnë skuadra që kanë dalë edhe kampione në elitën e futbollit tonë, apo kanë fituar kupa e kanë luajtur me sukses në Europë”

 

Ditën e enjte, Kategoria e Parë i luajti ndeshjet e javës së 5-të, në të cilat veç rezultateve jo të parashikueshme, u shënuan edhe 16 gola. Nisur nga këto rezultate, ish-futbollisti i Dinamos dhe i Kombëtares, Aleko Bregu, deklaroi dje për gazetën “Telegraf” se, jo vetëm nga rezultatet, por edhe nga emrat që luajnë në këtë kategori, ky kampionat po bëhet shumë konkurrent. “E kam ndjekur në ritmikë Kategorinë e Parë të këtij sezoni, dhe sinqerisht më duket sikur ajo është një “filial” i Superiores. Sepse aty luajnë skuadra që kanë dalë edhe kampione në elitën e futbollit tonë, apo kanë fituar kupa e kanë luajtur me sukses në Europë. Dhe unë e shpreh me kurajo profesionale, se Kategoria e Parë është bërë shumë konkurrente. Ndoshta edhe formula me 12 skuadra në përbërje i ka dhënë më shumë nivel, por edhe vetë synimet e këtyre skuadrave që kanë vënë emrin në listën e skuadrave elitare në futbollin shqiptar e ka sjellë këtë situatë”, kështu e lexon Aleko Bregu tërësinë e ndeshjeve në Kategorinë e Parë, ndërkohë që i referohet edhe 16 golave që u shënuan në ndeshjet e javës së pestë. “Shënimi i golave është finalja e çdo skuadre, sepse për golin luhet. Këtë javë të pestë u shënuan 16 gola, por unë mendoj se këto nuk tregojnë plotësisht nivelin e kësaj kategorie. Nuk e zbehin, por as edhe nuk e ngrejnë në kuptimin e thjeshtë. Kur ju shpreha më sipër se, kampionati në Kategorinë e Parë po bëhet konkurrent, natyrisht që kam parasysh edhe shënimin e golave. Konkurrenca rrit nivelin, rritja e nivelit prodhon lojra cilësore, që gjithmonë finalizohen me shënimin e golit. Unë po e quaj një javë “binjake” me të katërtën, pasi edhe aty u shënuan 16 gola”. Por për Aleko Bregun, java e 6-të sjell atmosferë të vërtetë Superioreje, sepse janë pesë ndeshje ku do të përballen ato skuadra që ai i veçon të elitës. “Në nisjen e kampionatit, ndoshta kur lexohej kalendari i javës së 6-të, këto çifte mund të jenë konsideruar si ndeshje të zakonshme. Ndërsa sot, pasi shikojmë paraqitjen e skuadrave në pesë javët e para, unë mendoj se do luhen pesë ndeshje shumë të forta. Mes tyre unë shikoj se do ketë më shumë barazime, nisur nga fakti që jemi në fazën e parë dhe skuadrat profesioniste kërkojnë që me kundërshtarë të fortë të jenë shumë më të kujdesshme. Dhe natyrisht që sfidën Flamurtari-Apolonia do ta quaja si “kryendeshje” të javës së gjashtë”, ishte ky mendimi analitik i Aleko Bregu, ish-futbollist i Dinamos dhe i Kombëtares. Java e gjashtë e Kategorisë së Parë i luan ndeshjet në dy ditë, tre të shtunën dhe tre në ditën e dielë.

KATEGORIA E PARË

NDESHJET, JAVA 6  

Të dielën, 1 tetor 2023

Tomori-Lushnja             14:00

Bylis-Kastrioti                14:00

Të hënën, 2 tetor 2023

Luzi2008-Vora               14:00

Burreli-Besa                   14:00

Flamurtari-Apolonia       14:00

Korabi-AF Elbasani        14:00

RENDITJA

Skuadrat             Nd     Pikë

1.AF Elbasani       5        13

2.Bylis                  5        13

3.Apolonia            5        10

4.Vora                  5        9

5.Flamurtari          5        8

6.Tomori              5        8

7.Kastrioti            5        6

8.Korabi               5        5

9.Besa                  5        4

10.Lushnja            5        3

11.Luzi 2008        5        2

12.Burreli             5        1

FSHF-ja lëviz kalendarin e ndeshjeve

Java e gjashtë e Kategorisë së Parë ishte planifikuar të luhej në dy ditë, të dielën dhe të hënën, me nga tre ndeshje çdo ditë. Mirëpo vetëm dje nga institucioni i futbollit është menduar që në datën 1 tetor të luhen vetëm dy ndeshje: Tomori-Lushnja dhe Bylis-Kastrioti, ndërkohë që katër ndeshjet e tjera do të luhen të hënën më 2 tetor. Këtë javë do ketë edhe ndryshim orari për zhvillimin e ndeshjeve, pasi të gjitha do të nisin në orën 14:00.