Alban Bushi: “Do të jetë një ndeshje historike!”

427
Sigal

Menaxheri i Kombëtares është i pari që, u ka shënuar norvegjezëve në vitin 1998: “Janë më të dobët tani”

Menaxheri i Kombëtares, Alban Bushi, njëherësh edhe golashënuesi i dytë më i mirë i Kuqezinjve, me 14 gola (pesë më pak se Bogdani), është një nga ata që i ka shënuar ekipit nordik, në barazimin 2-2 në Oslo, më 14 tetor 1998, madje në një ndeshje kur udhëhiqnim 0-2 deri në minutën e 82-të. Shqiptari i vetëm në stafin prej pesë italianësh, është një njohës shumë i mirë i ambientit kuqezi, madje disa nga afrimet e reja të De Biazit janë produkt i drejtpërdrejte i punës së tij, sa zbuluese aq dhe bindëse. Lorik Cana, Andi Lila dhe Odise Roshi do të mungojnë në këtë ndeshje për shkak të kartonave, ndërkohë që trajneri De Biazi ka grumbulluar 4 emra të rinj për këtë sfidë: Amir Abrashi, Ergys Kaçe, Vullnet Basha dhe Ilir Berisha. Me një karrierë të pasur në Turqi, Gjermani, Bullgari, Greqi, Hungari, mendimet e “Lokut” janë shumë të vlefshme, pasi ai është nga njerëzit që i thotë drejtpërdrejt dhe hapur gjërat.

 -Alban, ju jeni një njohës i mirë i Kombëtares, për më tepër që jeni edhe në funksionin e menaxherit të ekipit dhe një nga njerëzit më të afërt të trajnerit De Biazi. Si e vlerësoni takimin me Norvegjinë?

– Unë mendoj që është një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë, por jo e pakalueshme. Në Oslo ishte diçka tjetër, ata ishin në fillim të kampionatit, ndërsa tani janë në mes të tij dhe janë shumë të motivuar për këtë takim. Mendoj se janë të tri rezultatet në lojë, por ne jemi më tepër afër fitores, sepse do të kemi edhe mbështetjen e publikut. Do të jetë një ndeshje historike për në, nëse do ta fitojmë.

– Në tri ndeshje kundër Norvegjisë, i kemi provuar të tria rezultatet: fitoren (1-0), barazimin (2-2) dhe humbjen (1-2). Sa mund të ndikojnë këto statistika në përballjen e katërt kundër norvegjezëve?

– Statistikave unë u besoj. Me Norvegjinë ne kemi fituar atje, kemi barazuar po në transfertë dhe kemi humbur në “Qemal Stafa”. Nuk ndodh që Norvegjia të mos vijë e motivuar këtu dhe po u motivuan ata, është e vështirë për ne. Në fushën e tyre ata patën një lloj nënvlerësimi, ndërsa këtu ata do të vijnë 100 për qind të motivuar, ndaj ne duhet të jemi dyfish të motivuar. Mendoj se jemi, publiku do të na karikojë më tepër gjatë ndeshjes dhe mendoj se rezultat pozitiv përveç fitores e quaj dhe barazimin.

– Jeni lojtari i parë shqiptar që, i keni shënuar Norvegjisë, në atë barazim të famshëm 2-2, në Oslo, në sfidën e parë kundër norvegjezëve, në tetor të vitit 1988, për eliminatoret e Botërorit 1990. Nëse do të bënit një krahasim, si do t’i vlerësonit norvegjezët?

– Norvegjinë e shoh më të dobët se në kohën kur kam luajtur unë, sepse atëherë kishte lojtarë të nivelit të lartë siç ka qenë Tore Andre Flo, Rise, Solskjaer, pra, ajo ka qenë një epokë tjetër për ta. Tani futbolli vjen duke evoluar më tepër, por edhe ne kemi bërë hapa përpara, jo në kualitet, por në grup. Norvegjia tani nuk ka kualitete që bëjnë diferencën, por është grupi ai që e bën, ashtu si edhe te ne ndodh e njëjta gjë.

– Grupi aktual është i ri, dhe ndoshta ende nuk i ka emrat e mëdhenj të dikurshëm…

– Jo vetëm te ne, por në të gjithë botën kualiteti ka rënie. Nuk shohim më lojtarë që bëjnë diferencën i vetëm, por grupi është ai që mbizotëron. Stërvitje di të bëjë dhe një trajner shqiptar dhe një i huaj, por kualitetet mungojnë. Përvec Mesit, Ronaldos dhe Ibrahimoviç, që janë mbi të gjithë, të tjerët janë pak a shumë në një nivel. Prandaj dhe Shqipëria ka përfituar nga kjo. Ne kemi disa lojtarë me eksperiencë që mund të bëjnë diferencë siç bëri Salihi në Norvegji, ndaj them që edhe këtë ndeshje do ta kalojmë me sukses.

– Shumë prurje të reja në Kombëtare, madje në këtë grumbullim janë thirrur për herë të parë gjashtë lojtarë të rinj: Kaçe, Abrashi, V.Basha, Gjasula, I. Berisha dhe Llullaku. Cili është mendimi juaj?

Prurje do ketë sepse çdo vit që kalon një lojtari i ikën mosha dhe vetvetiu largohet. Prurje do ketë gjatë gjithë kohës dhe De Biazi me stafin kanë bërë një punë të mirë. Nuk janë afruar lojtarë të nivelit shumë të lartë, por të një niveli pak a shumë të njëjtë me të tjerët, që bëjnë konkurrencë brenda grupit dhe kjo e ka ngritur shumë ekipin tonë kombëtar. Konkurrenca në ekip e ka ngritur shumë nivelin, sepse çdo lojtar jep 200 për qind. Edhe në stërvitje, edhe në ndeshje lojtarët janë shumë të motivuar dhe duhet të jenë të motivuar. Në qoftë se flasim pastaj për të bërë diferencën, nëse ne nuk do të jemi të motivuar, është ekipi i Norvegjisë që na mund çdo herë.

Bulku: “Do të japim 200 për qind”

 Kapiteni i Shqipërisë në ndeshjen kundër Norvegjisë, në mungesë të atij zyrtar, Lorik Canës, do të jetë Ervin Bulku, mesfushori që luan në Iran me Sepehanin, me të cilin fitoi edhe Kupën e vendit islamik. “Në radhë të parë ju falënderojmë që erdhët për të na takuar, sepse edhe ne e dimë që ju jeni në një periudhë shumë të ngarkuar me fushatën. Do të thosha që ekipi do japë jo 100 për qind, por 200 për qind të mundësive, por futbolli prandaj është i bukur se rezultati nuk dihet asnjëherë. E rëndësishme është që të gjithë bashkë të japim maksimumin për të bërë më të mirën për të gjithë kombin tonë”, – i tha Bulku Kryeministrit shqiptar, në emër të gjithë lojtarëve të skuadrës.

Federata e Futbollit pritet të fitojë rreth 400 mijë dollarë. Shkon 100 euro një biletë e tribunës A

 Krizë për bileta, çmendet “tregu i zi”

 Qindra tifozë kanë pritur me orë të tëra pranë sportelit të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, për të siguruar një biletë për ndeshjen kundër Norvegjisë. Pamjet kanë të pazakonta, pasi tepër rrallë është parë një interesim të tillë, ku flitet për 65 mijë kërkesa për një stadium që numëron vetëm 16 500 vende të ulura.  Në fakt, vetëm 7 mijë bileta janë në dispozicion të tifozëve në dy sporteleve miratuara, në “Qemal Stafa” dhe te rruga e Barikadave, pasi rreth 10 mijë janë shitur përmes sistemeve online, ose kërkesave të institucioneve të ndryshme.

Sasia e limituar të biletave që ka dalë në shitje, të paktën sasia e parë ishin disa qindra bileta që u shitën brenda disa minutave. Me shumë gjasa një pjesë e tyre e destinuar për në të ashtuquajturin “treg të zi”. Gjithsesi, një gjë është e qartë: fitimet që FSHF-ja do të ketë nga biletat janë një shumë e konsiderueshme. Përafërsisht janë 400 mijë dollarë që

përfitohen nisur nga një përllogaritje e çmimeve të publikuara të biletave të cilat janë: për tribunat qendrore A dhe B shumica apo rreth 750 bileta kushtojnë 5000 lekë dhe përafërsisht 150 bileta kushtojnë 8000 lekë. Sa i përket karshisë, çmimet e biletave janë të ndara në dy kategori, D2 që është edhe tribuna qendrore e karshisë kushton 3000 lekë, ndërsa dy tribunat anësore D1 dhe D3 kushtojnë nga 2000 lekë. Ndërkohë që biletat e tribunave pas portave, respektivisht C dhe E kushtojnë nga 500 lekë.

Gjithsesi, ky është vetëm çmimi zyrtar. Deri në prag të ndeshjes ditën e premte, “tregu i zi” me shumë gjasa do të ofrojë rritje të mëtejshme, aq sa dje ka pasur individë që kanë ofruar deri në 100 euro (rreth 14 mijë lekë) për të siguruar një biletë të tribunës A ose B, që vlen 8 mijë lekë, pra gati dyfishin. Tribunat qendrore, ato A dhe B (të mbuluarat), rreth 700 janë të prenotuara nga administrata shtetërore dhe politikanë. Interesim kaq të madh kanë qenë vetëm për ndeshjen kundër Greqisë.

 Sfida e Ardian Gashit: “Fiton Norvegjia ime!”

 Të gjithë sytë e skandinavëve në prag të ndeshjes së 7 qershorit në Tiranë janë drejtuar nga mesfushori nga Gjakova, Ardian Gashi, që kohët e fundit është kthyer në një njeri të rëndësishëm për përfaqësuesen e Egil Olsen, ndaj futbollisti 32-vjeçar kërkon t’ia shpërblejë besimin trajnerit duke deklaruar se do të japë maksimumin në ndeshjen e “Qemal Stafës”. “Po stërvitemi fortë për sfidën ndaj Shqipërisë. Jam në një formë të mirë siç kam treguar dhe në dy ndeshjet e fundit me Helsinborgun në kampionat, ku kam mundur të shënojë dhe dy gola, gjë që nuk para ndodh shpesh. Takimi i Tiranës ka shumë presion, por ne jemi të përqendruar maksimalisht dhe kemi një objektiv të qartë në mendje, që janë tri pikët”, deklaron shqiptari që luan për Norvegjinë.

Për Gashin e rëndësishme për takimin e së premtes do të jetë që Norvegjia të mbajë gjallë shpresën për një vend në botërorin, Brazil 2014: “Shqipëria është një skuadër që ka ardhur në rritje dhe këtë e tregoi dhe në sfidën që luajtën në Norvegji, megjithatë në Tiranë ne do të bëjmë maksimumin për të fituar, dhe do të përpiqemi të jemi sa më shumë këmbëngulës. Unë jam gati të luaj kudo që dëshiron trajneri, qoftë si mesfushor i tërhequr apo qoftë dhe si mesfushor i avancuar. E rëndësishme në këto momente është ecuria e skuadrës”, – është shprehur Gashi. Ardian Gashi është një prej futbollistëve me origjinë shqiptare që vesh fanellën e Norvegjisë dhe para ndeshjes së Oslos, ai spikati për deklaratën e tij, se nëse do t’i paraqitej mundësia për të shënuar ndaj kuqezinjve nuk do të gabonte siç bëri Granit Xhaka në ndeshjen Zvicër–Shqipëri 2-0.