Alarm terrorizmi, ndeshje pa tifozë në Euro 2016?

475
Pas atentateve të Nëntorit në Paris, zbulohet plani i masave nga UEFA dhe autoritetet franceze në kuadër të finaleve të Euro 2016, që do të startojë më 10 qershor. Aty nuk është përjashtuar as skenari më i keq i mundshëm: zhvillimi i ndeshjeve të evenimentit me dyer të mbyllura. Shkak për këtë është alarmi i terrorizmit. Për momentin rreziku nuk është konkret dhe nuk ka sinjalizime se turneu më i rëndësishëm kontinental është vënë nën shënjestër. Por, asgjë nuk përjashtohet, madje edhe zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë. Pohimi u bë nga Drejtori i UEFA-s për Kampionatin Europian, Martin Kallen, që zbuloi mundësinë e spostimit të datave të ndeshjeve apo të stadiumeve, ndryshe nga sa ishin programuar më parë. Opsioni i tretë, që nuk hidhet poshtë, është se në rast të përsëritjes së sulemeve terroriste apo të kërcënimeve, në tribuna nuk do të ketë publik. Plani i emergjencës rreth Euro 2016 u përpilua gjatë Nëntorit të kaluar, vetëm pak ditë pas atentateve të tmerrshme në Paris, që shkaktuan vdekjen e 130 personave. Disa terroristë hapën armë ndaj personave civilë, hodhën veten në erë dhe tentuan të hynin në Stade de France, në momentet kur po luhej miqësorja ndërmjet Francës dhe Gjermanisë.
Sigal