Agron KAJA/ Trajnerët, “kurbanët” më të lirë të tregut!

472
Sigal

Kategoria Superiore/ Futbolli elitar rilidh këpucët për “këstin e dytë”, ka  bankina të hallakatura

Ndërkohë që javën e kaluar në Shqipëri vërtiteshin si një mjegullnajë “PO”-ja ose “JO”-ja për demontimin e armëve kimike siriane në territorin tonë, në mjegullnajën e futbollit përpëlitej virusi i zakonshëm me “kokat e prera” të trajnerëve të Superiores. Me këtë dukuri të zakonshme që vetëm futbollit nuk i bën mirë, të shtunën do të rrotullohet zyrtarisht topi, i cili do të përshëndetë zyrtarisht rrjetat e “pluhurosura” nga pushimi  dyjavor. Ka qenë një shkëputje e shkurtër që nga data 10 nëntor kur edhe u luajtën ndeshjet e javës së 11-të, por që në disa skuadra ka sjellë zhvillime jo vetëm stërvitore. Më konkretisht, në mesin e kësaj periudhe largohet nga skuadra nënkampione e Teutës trajneri Gugash Magani, me “diçiturën” e zakonshme të një kompromisi xhentëlmenësh me presidentin e klubit, ndërkohë që luhatej edhe vendi i trajnerit të Tiranës, Alpin Gallo, teksa është folur për brazilianin Hoze Marselo Ferreira, apo i njohur shkurt si Ze Maria te 24 hërë kampionët e vendit, që si kurrë më parë tashmë në përfundim të fazës së parë ndodhen në vendin e fundit.  Le të themi se, në kësi rastesh vazhdon loja me “kungulleshka” nën përgjegjësinë e rezultateve negative që kalojnë skuadrat, apo të një humbjeje që “djeg” në renditje, dhe si zakonisht, viktima e kësaj loje dhe të këtyre përgjegjësive mbeten vetëm bankinat (trajnerët). Nëse ka një pozicion në futboll ku mund të shkruash më shpesh, natyrisht është ai i trajnerit, jo vetëm për atë çka ata “gatuajnë” në stërvitje dhe në ndeshje, por për faktin kryesor se ata janë “kurbanët” më të lirë për t’i vënë, apo edhe për t’i hequr nga ky post. Këtë dukuri e kanë zbardhur qartë të 11 javët e luajtura në Superiore, ku nga 12 skuadra pjesëmarrëse, 4 prej tyre i kanë zëvendësuar trajnerët, ku si për koeçidencë, dy janë skuadrat e vendeve të fundit në tabelën e renditjes. Në fakt, në listë mund të futet edhe Ramadan Shehu, i cili drejtoi fazën përgatitore, përpara se të zëvendësohej nga Artan Mërgjyshi vetëm pak ditë para fillimit të kampionatit. Rasti i fundit i Maganit që largohet nga bankina e Teutës duke e lënë skuadrën në vendin e dytë në tabelën e renditjes, flet më shumë se sa deklaratat e publikuara në media rreth këtij largimi. Ndoshta nuk kishte ku të shkonte më dhe “zbydhja” e tij nga bankina mbetej alternativa e vetme ku punëdhënësi duhet të “justifikojë” luhajtjet nga java në javë, por efektet që sjell kjo lojë e vërtetë “kungulleshkash”, duhet parë në disa elementë të saj. Duhet thënë së pari se ata janë më lehtësisht të heqshëm nga posti i tyre, sepse shpesh vegjetojnë pa kontrata zyrtare me ata që i punësojnë, pse jo, në shumë raste drejtojnë edhe pa pagesa për muajt resht. Kjo është përzgjedhja e fillimit, e cila në fundin e bashkëpunimit tregon se nuk është bërë në kushte ligjore, duke i bërë trajnerët “memecë” të shkaqeve reale të largimit. Natyrisht që, kjo është forma e përzgjedhjes së trajnerëve, kuptohet jo për të gjithë dhe këtu nis edhe çarja, sepse ka edhe zëra të fortë “kompetentësh” që fryjnë në veshët shurdhër të presidentëve, të cilët për shumë arsye, kur skuadra humbet apo kalon një moment të dobët, ata “vërshëllejnë” për të ndëshkuar trajnerin. Nga ana tjetër, duke kaluar skuadra dorë më dorë, e ka të vështirë të përshtatet me kushte e drejtim të ri në mesin e rrugës. E kështu, “kurbanët” e tregut më të lirë në futbollin tonë shpesh japin efekte negative te skuadrat. Mos ndodhtë kështu me Teutën, apo edhe me ndonjë skuadër tjetër që ka në projekt zëvendësimin e trajnerit, por ngushëllimi që vjen nga kjo situatë është se ky është tregu në pjesën më të madhe të trajnerëve në Superiore. Kjo është situata e bankinave të 11 javët e fazës së parë të kësaj kategorie, efekte të cilat godasin në një shenjë: tek futbolli.

Hallakatjet e trajnerëve në Superiore

Sezoni 2013-2014

Skënderbeu

(Mirel Josa)

Teuta

(Gugash Magani, javët 1-11; Roberto Sorrentino, nga java 12)

Partizani

(Hasan Lika)

Vllaznia

(Agim Canaj)

Laçi

(Stavri Nica)

Kukësi

(Armando Cungu, javët 1-6; Naxhi Sensoi, nga java 7)

Lushnja

(Artan Bano)

Bylis

(Emanuael Egbo)

Flamurtari

(Ernest Gjoka)

Kastrioti

(Ramadan Ndreu, javët 1-11; Kristaq Mile, nga java 12

Besa

(Artan Mergjyshi)

Tirana

(Nevil Dede, javët 1-8; Alpin Gallo, nga java 9)

Skuadrat që i kanë ndërruar trajnerët

Teuta, Kukësi, Kastrioti, Tirana

Skuadrat që nuk i kanë ndërruar trajnerët

Skënderbeu, Vllaznia, Partizani, Laçi, Lushnja, Bylis; Flamurtari, Besa

EKIPI           N    P

1 Skënderbeu    11   22

2 Teuta         11   19

3 Vllaznia      11   17

4 Partizani     11   17

5 Laçi          11   16

6 Kukësi        11   15

7 Lushnja       11   15

8 Bylis         11   14

9 Flamurtari    11   14

10 Kastrioti    11   12

11 Besa         11   11

12 Tirana       11   10

 Tre trajnerët e huaj

 Tre nga 12 trajnerët e ekipeve të Kategorisë Superiore janë të huaj. Kosovari me pasaportë turke, Naxhi Shensoj, drejton Kukësin; nigeriani i “shqiptarizuar”, Emanuel Egbo, është në bankinën e Bylisit, si dhe italiani Roberto Sorrentino i Teutës (debuton këtë të fundjave kundër Bylisit). Në fakt, për Shensojin është hera e dytë që drejton një skuadër në Shqipëri, pasi sezonin e kaluar ishte te Bylisi, të cilin arriti ta çojë deri në finalen e Kupës së Shqipërisë (humbi kundër Laçit të Stavri Nicës). Për Egbonë dhe Sorrentinon kjo është hera e parë që drejtojnë në vendin tonë.

 Dueli Egbo-Sorrentino

 Italiani Roberto Sorrentino do të debutojë në bankinën e Teutës, ndaj Bylisit, pikërisht skuadrës që drejtohet po nga një teknik i huaj, nigeriani Emnauel Egbo, ky i fundit ka vendosur edhe një “rekord” në vendin tonë, si i pari trajner me ngjyrë që drejton një skuadër shqiptare. Në 11 ndeshjet e fazës së parë, nigeriani Egbo (ish-lojtar i Tiranës dhe i Bylisit) regjistroi 3 fitore, 5 barazime dhe 3 humbje, duke grumbulluar 14 pikë dhe mbajtur vendin e 8-të. Teuta, tashmë jo e Gugash Maganit, por e Roberto Sorrentinos ndodhet ën vendin e 2-të me 19 pikë, tri më pak se Skënderbeu kryesues.

Vetëm Skënderbeu (kampion) dhe Kukësi (nënkampion) nuk i ndryshuan teknikët

 Sezonin e kaluar pamë

36 trajnerë në 14 skuadra

 Sezoni i kaluar i Superligës, ashtu si paraardhësit e tjerë të tij, nuk i shpëtoi “skemës vrasëse” të trajnerëve. Plot, 36 trajnerë kanë drejtuar 14 skuadrat e Superligës në edicionin 2012-2013. Në këtë llogari futen trajnerët që, kanë drejtuar më shumë se një skuadër, apo teknikë që kanë drejtuar më shumë se një herë një ekip. Janë gjashtë trajnerë, të cilët këtë sezon rezultojnë se kanë drejtuar më shumë se një skuadër. Vetëm Skënderbeu (kampion) dhe Kukësi (nënkampion) nuk i ndryshuan trajnerët Mirel Josa dhe Armando Cungu. Klubet që mbajnë rekordin e lëvizjeve në pankinë janë Tirana dhe Laçi. Si bardheblutë dhe kurbinasit u drejtuan nga katër trajnerë, por nëse kurbinasit e mbyllën me fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë dhe një vend në Europë, bardheblutë nuk arritën të që të prisnin një biletë për në Ligën e Europës. Pas Tiranës dhe Laçit, me nga tre lëvizje në pankinë, kanë qenë këtë sezon Flamurtari (Muça, Rubio dhe Gjoka), Teuta (Lika, Begeja dhe Magani), Luftëtari (Dede, Martini dhe Bellai) dhe Shkumbini (Magani, Mile dhe Ballhysa). Ndërkohë, me nga dy lëvizje në pankinë janë Kastrioti (Mërgjyshi dhe Dollaku), Apolonia (Gjoka dhe Demiraj), Tomori (Mile dhe Muzhai), Bylisi (Canaj dhe Shensoji), Vllaznia (Duro dhe Bushati) dhe Besa (Daja dhe Daiu).

SEZONI 2012-2013

LËVIZJET E TRAJNERËVE

TIRANA (4)

Hulian Rubio (java 1); Alban Tafaj (java 2-3); Artur Lekbello (java 4-8), Alban Tafaj (java 9-15), Nevil Dede (java 16-26)

LAÇI (4)

Përparim Daiu (java 1); Stavri Nica (java 2-5), Ylber Zani (6-7), Ramadan Shehu (java 8-13), Stavri Nica (java 14-26)

FLAMURTARI      3*

TEUTA           3

LUFTËTARI       3

SHKUMBINI       3

APOLONIA        2

TOMORI          2

BYLIS           2

VLLAZNIA        2

BESA            2

KASTRIOTI       2

SKËNDERBEU      1

KUKËSI          1

* Me yll numri i trajnerëve që drejtuan sezonin e kaluar

 Shoqata e trajnerëve

Shoqata e Trajnerëve Shqiptarë drejtohet nga presidenti (Bejkush Birçe), dy zëvendëspresidentë (Hito Hitaj dhe Vladimir Ajazi), sekretari i përgjithshëm (Kreshnik Agolli), si dhe pesë anëtarë të Bordit Drejtues, të cilët janë Hysen Zmijani, Bashkim Delia, Eqerem Memushi, Ilir Qirjako dhe Çaush Begaj. Shoqata Kombëtare e Trajnerëve të Futbollit është themeluar në vitin 1997. Ka synim, jo vetëm mbrojtjen e interesave sportive dhe profesionale, morale dhe ekonomike të trajnerëve të futbollit, por dhe kualifikimin e tyre. Është një nga 46 shoqatat e trajnerëve që aderojnë në “Aleancën Europiane të Shoqatave të Trajnerëve të Futbollit”. Shqipëria u bë anëtare në Kongresin e mbajtur në Varshavë, më 4 dhjetor 2010.

 Mbi 500 trajnerë

Në Shqipëri janë licencuar mbi 40 trajnerë me licencën “UEFA Pro”, të cilët mund të drejtojnë kudo në Europë, mbi 400 me “UEFA B” dhe mbi 120 me “UEFA C”, këta të fundit drejtojnë ekipe moshash dhe të niveleve inferiore. Shqipëria është anëtare e “Aleancën Europiane të Shoqatave të Trajnerëve të Futbollit.