Agron KAJA/ Titulli, një serenatë korçare nën flladin bardheblu

556
Futbolli shqiptar po i drejtohet fletëve të fundit të kalendarit të tij sezonal 2014-2015, ndërsa Kategoria Superiore luajti në fundjavën e kaluar javën e 32-të. E tashmë është në “sulm” për të luajtur edhe 4 të tilla që t’i japin fund këtij kampionati, i cili ka nisur më 23 gusht të vitit të kaluar. Në këto 160 ndeshje të luajtura deri tani vetëm Flamurtari e Vllaznia kanë qenë pa ethe në të dy kahjet e tabelës së renditjes, ndërsa Elbasani e ka pasur të sigurtë të ardhmen në Kategorinë e Parë, thuajse që në fazën e parë. Për të gjitha skuadrat e tjera “vallja” duket se do të mbyllet në javën e 36-të, kur më 22 maj do të mësohet se cilat do të jenë skuadrat e kreut: Kampione, nënkapione, e treta, e katërta dhe e pesta. Por atëhere do të mësohet nëse Teuta apo Apolonia do të jenë skuadrat që do t’i bashkohen Elbasanit në Kategorinë e Parë për sezonin e ardhshëm 2015-2016. Këto synime, kryesisht javët e fundit, i kanë bërë edhe më interesante ndeshjet, jo vetëm për rezultatet që janë fiksuar, por edhe për vibrimet e befta që ka pësuar renditja në kreun e fundin e saj pas këtyre rezultateve. Duke e parë së pari nga sipër këtë fokus, e tillë ishte ndeshja në Kukës, ku Skënderbeu me fitoren minimale 1-0 mundi që të rikonfirmojë edhe një herë kandidaturën e tij të pestë radhazi për titullin kampion, por edhe u bë shkak për shkarkimin e trajnerit Artim Shaqiri. Goli i Sabien Lilajt mund të konsiderohet si më i rëndësishmi për skuadrën korçare në këtë finish të kampionatit të 76-të Kombëtar të Kategorisë Superiore, ndërsa skuadrën kuksiane jo vetëm që e nxorri nga shinat e titullit, por i shkarkoi trajnerin Artim Shaqiri. Dhe duke e quajtur këtë performancë të Skëndërbeut si një “serenatë korçare”, për javën e 32-të ajo është përzjerë me flladin bardheblu të Tiranës, e cila me fitoren minimale 1-0 ndaj Laçit ka trokitur në portën e titullit kampion. Dhe nëse e zbërthejmë prognozën teorike të titullit duket se skuadra e Skënderbeut do të jetë më favorite. Nëse grumbullon 9 pikë në 4 ndeshjet e mbetura dhe Tirana të grumbullojë maksimalisht 10 pikë në këto 4 javë, Skënderbeu shpallet kampion me 2 pikë më shumë se Tirana dhe triumfon në titullin e 5-të radhazi kampion, të gjashtin në historinë e 76-të kampionateve të luajtura deri më tani, njëherësh edhe skuadra e parë shqiptare që fiton titullin kampion në 5 sezone radhazi. Skuadra bardheblu ka që nga sezoni 2008-2009 që nuk fiton titullin Kampion, pasi deri atëhere ka koleksionuar 24 të tillë. Por kjo atmosferë si për kreun duket se do të jetë e luhatshme edhe për vendet e tjera të tabelës së renditjes, kryesisht për të tretin, pozicion që të çon në Ligën e Evropës. Duke e nxjerrë Kukësin nga lufta për titull e duke parë ecurinë e Partizanit larg performancës së kuksianëve, skuadra veriore duket se do të ketë shansin e vendit të tretë, ndërkohë që Evropa për të është në fokus edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Laçit, i cili vendin e 5-të në kampionat duket se e ka të “salduar” tashmë dhe vetëm te Kupa e sheh Evropën. Në fundin e renditjes ka disa javë që vendi i 9-të është vënë në diskutim mes Teutës dhe Apolonisë. Durrsakët janë treguar të dobët ndaj kundërshtarëve dhe në 4 ndeshjet e fazës së katërt kanë arritur 2 fitore e 2 humbje duke i çelur kështu Apolonisë “oreksin” e qëndrimit në Superiore. Fierakët tashmë janë 4 pikë larg durrsakëve dhe duke parë kalendarin e të dyja këtyre skuadrave, në katër javët e mbetura, duket se do të kemi një barazim në pikë mes tyre për t’ia lënë rregullores së kampionatit që të vendosë se cila do t’i bashkohet Elbasanit në Kategorinë e Parë. Kësisoj katër javët e mbetura të Superiores do të jenë më se interesante në të dy kahjet e renditjes së saj, duke mos “ndjellë” dukuritë e së kaluarës me ndeshje që rezultatin e vendosnin në tavolinë, ndërsa në fushë luanin teatër banal. Deri në javën e 32-të ky është një nga kampionatet më të pastër në Kategorisë Superiore dhe nëse java e 36-të do të mbyllet me këtë ritëm do të kemi mundësinë të shprehemi një herë për një kampionat pa “skorje”.
PRECEDENTË NË VITE
Fitues 5 herë rresht Kampion
2010-2011 SKËNDERBEU
2011-2012 SKËNDERBEU
2012-2013 SKËNDERBEU
2013-2014 SKËNDERBEU
2014-2015 SKËNDERBEU?
Fitues 4 herë resht Kampion
1950 DINAMO
1951 DINAMO
1952 DINAMO
1953 DINAMO
Fitues 3 herë resht Kampion
1957 PARTIZANI
1958 PARTIZANI
1959 PARTIZANI
2002-2003 TIRANA
2003-2004 TIRANA
2004-2005 TIRANA
PROGNOZA E TITULLIT
Kampionati i 76-të
4 ndeshje = 12 pikë
Java e 33-të/ 2 maj 2015
Partizani-Tirana 2
Skënderbeu-Teuta 1
Java e 34-t/ 9 maj 2015
Tirana – Skënderbeu 1 
Java e 35-të/ 16 maj 2015
Kukësi – Tirana X
Skënderbeu – Flamurtari 1
Java e 36-të/ 23 maj 2015
Tirana – Teuta 1
Vllaznia – Skënderbeu 2
MUNDËSITË
Skënderbeu 9 pikë
Tirana 10 pikë
PËRFUNDIMI
Skënderbeu 78 pikë
Tirana 76 pikë
PROGNOZA E MBIJETESËS
Kampionati i 76-të
4 ndeshje=12 pikë
Java e 33-të/ 2 maj 2015
Kukësi-Apolonia X
Skënderbeu-Teuta 1
Java e 34-t/ 9 maj 2015
Teuta – Kukësi X
Apolonia – Elbasani 1
Java e 35-të/ 16 maj 2015
Teuta – Apolonia X
Java e 36-të/ 23 maj 2015
Tirana – Teuta 1
Laçi-Apolonia X
MUNDËSITË
Teuta 2 pikë
Apolonia 6 pikë
PËRFUNDIMI
Teuta 28 pikë
Apolonia 28 pikë
Java e 32-të
Flamurtari-Elbasani 2-1
Teuta-Partizani 0-1
Apolonia-Vllaznia 2-0
Kukësi-Skënderbeu 0-1
Tirana- Laçi 1-0
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Skënderbeu 32 69
2.Tirana 32 66
3.Kukësi 32 63
4.Partizani 32 63
5.Laçi 32 57
6.Flamurtari 32 38
7.Vllaznia 32 34
8.Teuta 32 26
9.Apolonia 32 22
10.Elbasani 32 13
Java e 33-të
Partizani-Tirana
Laçi-Flamurtari
Kukësi -Apolonia
Skënderbeu-Teuta
Elbasani-Vllaznia
Turne miqësor mes U-16, katër kombëtare në Tiranë
Federata Shqiptare e Futbollit ka lajmëruar se nga 1-5 maj në Shqipëri do të zhvillohet turneu “UEFA Development 2015”, e cila do të jetë me kombëtaret e moshës deri në 16 vjeç. Përveç Shqipërisë, e cila do të drejtohet nga Alban Bushi, do të jenë dhe Armenia, Mali i Zi e Qipro. Ndeshjet do të zhvillohen në Durrës, në Kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz, në Kavajë dhe në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”të gjitha në ora 10:00. Kalendari është ky: (2 maj) Shqipëri-Mali i Zi dhe Qipro-Armeni, (3 maj) Shqipëri-Armeni dhe Qipro-Mali i Zi, (5 maj) Shqipëri-Qipro dhe Armeni-Mali i Zi. 
Shqipëria U-17 e mbyll me barazim në Austri
Shqipëria U-17 e trajnerit Xhemal Mustedanagiç e ka mbyllur në barazim turneun ndërkombëtar në Austri. Pasi ka barazuar të shtunën ndaj Meksikës dhe të dielën ka humbur ndaj Austrisë, kuqezinjtë janë vënë përballë Brazilit, që duket se ka qenë kombëtarja më e dobët e grupit A. 1-1 ka qenë rezultati përfundimtar, ndërsa kjo ka qenë paraqitja më e mirë e kuqezinjve në këtë periudhë, teksa më parë ishin mundur nga Italia 3-1 dhe kishin barazuar po me të 0-0. Tashmë kjo kombëtare përgatitet për kualifikueset e Evropianit.
Partizani – Tirana, të hënën në ora 20:45
Derbi i kryeqytetit Partizani – Tirana është vendosur të luhet të hënën në ora 20:45, ndërsa gjithçka në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”do të zhvillohet sikur të ishte një ndeshje e Ligës së Kampioneve. Deri më tani Partizani ka fituar dy herë, 2-0 në fazën e dytë dhe 2-1 në fazën e tretë, si dhe një ndeshje e fazës së parë ka përfunduar në barazim pa gola, 0-0. Kjo ndeshje vlen për titull kampion për Tiranën, kurse për Partizanin kërkohet gjetja e një pozicioni pjesëmarrjeje në Ligën e Evropës. Ndaj dhe nga ky derbi i katërt i këtij sezoni pritet gjithçka 
Sigal