Agron KAJA: Tirana për “bay-pass”, “guduliset” nga efekti “domino”

532
Sigal

FUTBOLL SUPERIOR/ Në fazën e parë, te skuadra 24 herë kampione qarkulloi një “virus” inferiorësh

Në përfundim të fazës së parë të Kategorisë Superiore për edicionin në vazhdim, të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore ndoshta e kanë pasur kohën që të bënin bilancin e synimeve të tyre për 990 minutat e para të Kampionatit të 75-të Kombëtar, për t’u korrigjuar sadopak për vazhdimësinë e sezonit që do të jetë edhe më i vështirë. Janë luajtur 11 ndeshje dhe mes tyre gjen për çdo skuadër elementë të të dyja kaheve, por nisur nga vendi i fundit në tabelën e renditjes për skuadrën e Tiranës, duket se një “virus” inferiorësh po “gudulis” skuadrën e tretë të kryeqytetit, 24 herë kampionen tonë. Në këto pozita inferiore ndaj skuadrave të tjera, elita e futbollit shqiptar është bërë për “bay-pass” dhe nëse Tirana e futbollit do të jetë në këto situata edhe në vazhdimësinë e sezonit 2013-2014, nuk do të ketë shumë vlerë ndryshimi në emër i shkronjës “A” në “O”. Kjo gjendje duhet ta ketë vënë në alarm kupolën drejtuese të kësaj skuadre, ndoshta edhe bashkinë e kryeqytetit që e ka nën juridiksionin e saj administrativ këtë vlerë të futbollit shqiptar. Ndërkohë që kjo situatë e Tiranës në fundin e tabelës së renditjes duhet që t’i shkundë mirë edhe ata fanatiksat, të cilët këtë herë duket se e kanë humbur disi busullën e tyre, sepse më shumë janë marrë me germa në emër se sa në përkrahje të skuadrës, apo edhe në kërkesat e tyre për përmirësimin e gjendjes së rënduar. Por çfarë ndodh me këtë Tiranë? Realisht ka ndodhur që Tirana, jo Tirona, të jetë skuadra e fundit në renditjen e Superiores, e kësisoj, vërtet kjo ish-skuadër e madhe në futbollin tonë sot po lëngon. Kjo lëngatë e hidhur duket se po “guduliset” edhe nga afekti “domino”, që do të thotë se Tirana po ndjek rrugën e Partizanit dhe të Dinamos, të cilat sezone më parë provuan të zbresin në kategori inferiore. Duke e parë me dhimbje këtë situatë, por duke e parë atë edhe në këndvështrimin real, të çudit një fakt, pasi duke ju refereuar vetëm 20 viteve të fundit, skuadra e Tiranës ka qenë e “blinduar” nga financat, ka qenë skuadra që i ka thyer të gjitha rekordet e mundshme në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa sot nuk ka para të paguajë as pagat mujore të lojtarëve e trajnerëve, pa harruar që ka edhe disa borxhe të bartura në vitet e fundit ndaj një pjese aktorësh të futbollit tonë. Po të flasim pa dorashka në shërbim të përmirësimit të gjendjes tek kjo skuadër, le të themi se në këtë hark kohor, Tirana e futbollit tonë ka arritur çdo kulm të mundshëm, por nuk ka bërë gjënë më themeltare, nuk ka ndërtuar një klub të së ardhmes. Financat e derdhura “lumë” prej njerëzve të nderuar si Metush Tukseferi, Lutfi Nuri, El Sayed, Refik Halili, Agron Papuli e Shefikat Ngjela, duket se kanë qenë për çastin dhe jo për perspektivën, por ky nuk është faji i tyre që kësaj Tirane i dhanë disa tituj e trofe në futbollin tonë. Kjo gjendje zbardh idenë se “plani B” te Tirana për një perspektivë profesionalisht të arrirë me kohën, duket se nuk ka qenë në axhendën drejtuese e menaxhuese dhe sot vijmë këtu: në vendin e 12-të të renditjes së Kategorisë Superiore në përfundimin e fazës së parë të sezonit 2013-2014 me 3 fitore, 1 barazim e 7 humbje dhe me vetëm 4 gola të shënuar. Njëherësh, kjo gjendje e kësaj skuadre të çon edhe në atë “autostradë me çakëll” që Bashkia e Tiranës i ka shtruar skuadrës në dy vitet e fundit, duke e lënë atë financiarisht me “paterica shelgu”, njëherësh edhe në një braktisje de fakto. Larg qoftë, por kështu po thirret në kujtesë sezoni 2008-2009, kur për të njëjta arsye Partizani zbriti një kategori më poshtë, e më pas sezoni 2011-2012 kur Dinamo e përsëriti këtë rënie në Kategorinë e Parë. E nëse në këto radhë po mëshohet në faktin se Tirana është bërë për “bay-pass”, apo që po “guduliset” nga efekti “domino”, gjendja nuk duhet parë me syrin e një tifozi të sëmurë apo të një drejtuesi që do vetëm fjalë të mira për skuadrën e tij, por në këndvështrimin e një realiteti të rënduar me efekte regresi. Kur vuan Tirana, futbolli shqiptar thërret në skenë historinë e hidhur, dhe kjo te 24 herë kampionët nuk duhet të mendohet, e jo më të përsëritet. Se kur Tirana është “varfanjake”, çfarë duhet të mendojmë për skuadrat e tjera të rretheve që përbëjnë gjeografinë e elitës së futbollit tonë, çfarë niveli duhet t’i kërkojmë këtij futbolli duke mos qenë kryeqyteti faktor determinues në “pole-possition?!” Kur në Kombëtaren tonë të futbollit nuk ka asnjë përfaqësues nga Tirana, “bisturia” duhet të ndërhyjë. Ndryshe…!

RENDITJET

 1 Skënderbeu    22

2 Teuta         19

3 Vllaznia      17

4 Partizani     17

5 Laçi          16

6 Kukësi        15

7 Lushnja       15

8 Bylis         14

9 Flamurtari    14

10 Kastrioti    12

11 Besa         11

12 Tirana       10

Portieri i Kombëtares tregon për mediat suedeze eksperiencën e tij të parë me Lacion

 Berisha: “Tregova vlerat e mia ndaj Apollon Limasol”

 Rasti për të qene titullar mbërriti, kundër Apolon Limasolit në Ligën e Europës, ku u aktivizua si titullar në vend të Federiko Marketit. Etrit Berisha pati shansin e tij dhe e shfrytëzoi shumë mirë. Trajneri i Lacios, Vladimir Petkovic, tashmë mund të besojë te 25-vjeçari, të paktën në kompeticionin europian dhe në Kupën e Italisë. Berisha ka dhënë një intervistë të gjatë për portalin suedez në internet, svenskafans.com.

 – Komplimente për fitoren dhe për debutimin e mirë!

– Faleminderit! Ishte me të vërtetë bukur të kisha rastin tim. Bëra një ndeshje të mirë. Nga ana tjetër jam shumë i lumtur për fitoren.

– A ishte e tensionuar ndeshja e parë si titullar në “Olimpiko”?

– Jo, nuk ishte pikërisht ashtu. Mendoja se gjatë debutimit tim me Lacion do të isha nervoz, por në fakt u ndjeva i qetë dhe isha i aftë të bëja lojën time, të luaja mirë.

– Si ishte ndeshja?

– Dua të them se, ishte një ndeshje mjaft e vështirë. Në pjesën e parë kundërshtarët lëshuan mesazhe të rrezikshme dhe më duhej të bëja edhe disa pritje me këmbë. Në pjesën e dytë pata shumë punë dhe shpëtova rezultatin. 2-1 është një rezultat i mirë dhe u komplimentova si nga trajneri ynë dhe nga shokët e skuadrës, kështu që jam mjaft i kënaqur.

– A ndihesh mirë në klub deri tani?

– Po, është gjithçka e re dhe kërkon kohë për t’u ambientuar, natyrisht. Por, kërkoj të përqendrohem në punën time, për të bërë akoma më mirë.

– A je lidhur me dikë në grupin e lojtarëve? Si është raporti me skuadrën?

– Bëhet gjithmonë edhe më i mirë çdo ditë. Lorik Cana është shok skuadre edhe në Kombëtaren shqiptare dhe ai ka qenë një ndihmë e madhe në ditët e para, si brenda ashtu dhe jashtë fushës. Por, kam filluar të afrohem edhe me të tjerë pas ndeshjes së Ligës së Europës. Kam filluar të afrohem edhe me lojtarët e tjerë prej të cilëve mora përgëzime pas ndeshjes me Apollon Limasol. Fjalët e tyre janë shumë të rëndësishme për mua.

– Si është të jetosh në Romë?

– Roma është një qytet i madh. Në fakt nuk kam pasur mundësi për ta vizituar, edhe pse do të më pëlqente shumë. Mund të them se është një nga qytetet më të bukura në Europë.

– Ka mjaft diferencë me Kalmarin, apo jo?

– Gjithsesi, unë nuk do ta harroj kurrë Kalmarin. Kam kujtime të bukura për këtë qytet, ku kam takuar njerëz fantastikë. Do ta gjej shumë shpejt kohën për ta vizituar.

– Së fundit, si e sheh mundësinë për të marrë një vend titullari te Lacio, nisur edhe nga fakti që debutimi tashmë u realizua?

– Ishte shumë e rëndësishme për mua që m’u dha rasti për të luajtur titullar. Tani drejtuesit e dinë se çfarë mund të bëj, shpresoj të kem më shumë mundësi në të ardhmen. Më duhet të punoj fort për ta pasur këtë mundësi.

– Komplimente dhe fat të mbarë në të ardhmen!

– Faleminderit!