Agron KAJA/ Tirana-Partizani, sfida vlen sa një sezon

577
Sigal

 SUPERIORE/ U shtuan 24 orë “ethe” për ndeshjen e 141-të të “derbit” të kryeqytetit, luhet sot në “Qemal Stafa”

Më në fund do të luhet “derbi” i shumëpritur Tirana-Partizani, ndeshje e shtyrë nga java e 24-t e Kategorisë Superiore, për shkaqe banale të Shqipërisë së futbollit. Një “derbi” i pafat ky për të qëndruar korrekt në datën e zhvillimit të tij, pasi edhe dje që ishte planifikuar për të luajtur, u bë sebep protesta e opozitës politike shqiptare që futbolli të frenonte për 24 orë! Sepse të dyja skuadrat më të mëdha të futbollit shqiptar në 75 edicionet e ekzistencës së tij, nuk kishin stadium ku të luanin mes tyre tre javë më parë në javën e 24-t, nesër në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” të “kollondrisur” këtë herë me një tapet të ri të fushës së lojës, aty do të luhet takimi i 141-të mes tyre. Por, nëse edhe dje të ishte luajtur kjo ndeshje, kjo do të ishte një sfidë më vete, pasi të ardhurit nga e gjithë Shqipëria në këtë protestë në Tiranë do të kishin mundësinë që të ndiqnin një nga ndeshjet më të lakmuara të futbollit tonë. Gjithsesi, sa për kujtesë të historisë mes këtyre skuadrave, Tirana vjen në këtë ndeshje me 24 kampionate të fituara, ndërkohë që Partizani me 15 të tillë, që në total të dyja këto skuadra koleksionojnë 39 kampionate në pronësi të historisë së tyre. Kësisoj, sot luhet një ndeshje e madhe, e 141-ta, një ndeshje që në harkun e minutave të lojës pritet që të prodhojë atë çka i ka munguar në vitet e fundit futbollin tonë: spektaklin dhe madhështinë e një stadiumi që do të flasë vetëm për futbollin në fushë dhe në shkallët e tij. Por kjo ndeshje e madhe ka edhe një tjetër “status” të veçantë në brendësinë e saj, sepse për të dyja skuadrat luhet sezoni. Që do të thotë, Tirana e vendit të 3-të në renditje, nëse fiton e kalon skuadrën e Kukësit me 1 pikë dhe renditet në vendin e 2-të, pas Skënderbeut me po 1 pikë diferencë. Kësisoj, skuadra bardheblu futet tërësisht në luftën për titullin kampion, ndërkohë që nga ana tjetër, nëse Partizani do të arrijë fitoren, barazohet me pikë me Tiranën dhe e rikthen veten në luftën për titull, ndërsa edhe vendi i 3-të është një mundësi e fundit për të luajtur në Europë. Parë në këndvështrimin e shifrave që janë prodhuar në 140 ndeshjet e luajtura mes këtyre dy skuadrave, duket sikur skuadra e Tiranës mbetet favorite. Njëherësh, kjo situatë favorizuese për Tiranën vjen edhe nga gjendja aktuale saj në tabelën e renditjes, në vendin e 3-të me 50 pikë, 4 pikë më pak nga Skënderbeu kryesues, por me 1 ndeshje më pak. Ndërkohë që Partizani renditet në vendin e 4-t me 47 pikë, një pozicion ky që skuadrën e kuqe duket se e nxjerr jashtë loje, sa i përket përfaqësimit në Europë. Të dy trajnerët, Magani i Tiranës dhe Duro i Partizanit, janë treguar të kujdesshëm në deklarimet e tyre, duke folur teknikisht në përgjithësi. Këto janë disa nga të veçantat në prag të kësaj ndeshjeje “derbi”në kryeqytetin shqiptar, por kjo sfidë e 141-të mes këtyre dy skuadrave nga më të mëdhatë e futbollit tonë do të jetë e veçantë edhe për tifozeritë e tyre. “Fanatiks” për Tiranën dhe “Guerrils” për Partizanin do të ndeshen në shkallët e stadiumit, në të cilat priten të dhurojnë dekoret e zakonshme, njëherësh të sjellin prej tyre edhe emocionet që të dhuron një takim i tillë kur je në ndjekje të saj pikërisht nga shkallët e stadiumit. E lamë për në fund rendin, i cili sot do të ketë punë jo të zakonshme, pasi në orët e mbrëmjes që luhet ndeshja, duhet të kenë edhe ndonjë merak tjetër për shkak të detyrës, duke përfituar nga errësira e orës 19:00. Parë kështu, edhe qytetaria kryeqytetase, ajo pak që ka mbetur në mesin e jabanxhinjve në maxhorancë, le të zgjohet këtë herë nga “letargjia” e viteve, e duke sjellë në kujtesë të shkuarën mes këtyre skuadrave, t’i  japin jetë të tashmes së tyre.

MUNGESA

Elis Bakaj në bankinë, e “tradhton” gjuri

Në sfidën e sotme, për Tiranën do të jetë një mungesë serioze ajo e Elis Bakajt, i cili për shkak se ndjen dhimbje në gju, nuk do të jetë titullar. Në fakt, për të mbetet në dyshim aktivizimi, dhimbjet në gju janë ende prezent për mesfushorin dhe nuk e lejojnë atë që të ketë formën e tij më të mirë që e karakterizon në momentet që ka topin në zotërim. Kjo është fjalia e parë që i heq bardhebluve një nga lojtarët që ka shënuar më së shumti në këtë sezon, ndërkohë që ai vetë nuk dorëzohet. Një fakt i tillë, ka bërë që Bakaj të mos jetë në fushë në momentet kur trajneri Magani ka punuar me formacionin dhe shanset për të janë të pakta, por ai do të rrezikojë dhe është i gatshëm që të sakrifikojë për të qenë përkrah skuadrës gjatë 90 minutave të përballjes derbi.

 Thanë për “derbin”

Dy legjendat e katërkëndorëve

Blendi Nallbani (Tirana)

“Në karrierën time kam provuar të luaj edhe për Tiranën, por edhe për Partizanin. Edhe pse gjendem në një pozicion të tillë, unë nuk e mohoj dëshirën time që këtë “derbi’ të madh ta fitojë Tirana. Vetëm pas kësaj fitore mund të kërkojë objektivin final, fitimin e titullit kampion. Nga ana tjetër, për Partizanin them se do të ketë shumë presion në këtë ndeshje, sepse edhe ai kërkon fitoren në synimin për titullin kampion, por që këtë herë është udhëtues dhe mendoj se do ta ketë të vështirë ta arrijë synimin e tij final. Tirana do të jetë favorite për fitore”.

 PARTIZANI

Perlat Musta (Partizani)

“Që kjo ndeshje u shty për dy javë, nuk mendoj se u shërbeu të dyja skuadrave, por që gjithsesi ky është një “derbi” që ka vlera në çdo moment kur ai luhet, edhe në këto kushte të shtyrjes. Përgatitjet e Partizanit janë maksimale për të fituar, dhe unë do të thosha se sot edhe historia mes këtyre skuadrave do të ketë ndikim në rezultatin final. Nuk mendoj se Partizani do jetë nën presion për këtë “derbi”, pse ka ardhur nga ndeshje jo fort të mira në javë e fundit. E mendoj një ndeshje të fortë e të vështirë për të dyja skuadrat, por dua që Partizani të jetë fitues ”.

 E veçantë për trajnerët

Në historinë e tyre si futbollistë, të dy trajnerët, Shpëtim Duro i Partizanit dhe Gugash Magani i Tiranës, kanë luajtur si futbollistë me skuadrën e Partizanit, por në periudha të ndryshme, pa qenë në asnjë rast lojtarë të përbashkët mes tyre në këtë skuadër.

 Ndryshimet zyrtare

Ndërsa “derbi” Tirana-Partizani u shty 24 orë, pra për ditën e premte 13 mars 2015, nga FSHF-ja erdhi si detyrim e përcaktim që të shtyheshin edhe disa nga ndeshjet e javës së 27-të. Kështu, ditën e diel datë 15 mars do të luhet vetëm sfida Skënderbeu-Vllaznia, ndërsa të gjitha ndeshjet e tjera të kësaj jave do të luhen ditën e hënë datë 16 mars 2015, një nga shtyrjet e rralla të këtyre përmasave në futbollin tonë, të paktën në 10 vitet e fundit.

HISTORI

Themelimi

Tirana e themeluar në vitin 1920

Partizani i themeluar në vitin 1946

 Takimi i parë

Luajtur më 30.03.1947

Partizani-Tirana                       8-0

Takimi i fundit

Luajtur më 08.12.2014

Partizani-Tirana                       2-0

 Libri i Artë

Tirana ka fituar 24 kampionate

Partizani ka fituar 15 kampionate

 BILANCI I DERBIT

Tirana-Partizani

Ndeshje 140;

Fitore Tirana 43;

Barazime 42;

Fitore Partizani 55;

Golat 159:199

 Në edicionin 2014-2015

Më 26.09.2014-Kampionat

Tirana-Partizani                       0-0

Më 08.12.2014-Kampionat

Partizani-Tirana                       2-0

 Ndeshje të prapambetura

Dje, 12.03.2015

Flamurtari-Laçi                       0-2

Shënues: Meto 55’, Mitraj 87’

Sot, 13.03.2015

Tirana-Partizani           Ora 19:00

 RENDITJA

Skuadrat                    Nd      Pikë                

1.Skënderbeu  26        54

2.Kukësi                      26        52

3.Tirana                       25        50

4.Partizani                   25        47

5.Laçi                          26        47

6.Flamurtari                 26        34

7.Vllaznia                    26        30

8.Teuta                        26        19

9.Apolonia                  26        16

10.Elbasani                  26        13

 Ndeshjet-java e 27-të

Datë 15.03.2015

Skënderbeu-Vllaznia   14:00

Datë 16.03.2015

Laçi-Apolonia             15:00

Kukësi-Flamurtari       15:00

Teuta-Tirana                17:00

Partizani-Elbasani       18:00

Flamurtari-Laçi         0-2

Laçi prek Europën, Flamurtari thellon krizën

Dje u luajt një ndeshje e prapambetur e javës së 24-t, Flamurtari-Laçi, e cila u shty për shkak të reshjeve të shiut. Gjithsesi, dje në 90 minutat e luajtura në këtë ndeshje, Flamurtari tregoi se është ende i brishtë për të kërkuar një vend më sipër në renditje. Ndërkohë, Laçi me karakterin që tregoi në lojë, jo vetëm e dominoi atë, por shënoi dy herë me autorë Agim Meton dhe Aldo Mitrajn. Laçianët barazohen me pikë në renditje me Partizanin dhe kanë synim një vend në Europë, ndërsa Flamurtarit i duhet që të kolaudojë skuadrën dhe trajnerin për sezonin e ardhshëm.