Agron Kaja: Shpëtim Kote, një nga notarët model të sportit të notit në Shqipëri

204
Sigal

PROFIL/ Kampion në 4X100 m, 4X200 m katërnotim dhe në 200 m Delfin, “gjiganti” sarandiot tregon për “Telegraf” pasionin si notar dhe brengën e karrierës

 

Nga Agron KAJA

 

Sporti i Notit ka qënë shumë tërheqës në Sarandë gjatë shekullit të kaluar, ju kampionët e rekordmenët si ndjeheshit në ambientin qytetar?

Në qytetin tonë (Sarandë), ne si notarë ishim të respektuar në ambientin qytetar, dhe kjo na bënte më krenarë për arritjet tona. Porn ë pushtetin lokal të kohës, të paktën unë nuk jam respektuar për gjithçka kam dhënë në sportin e Notit. Atëhere lufta e klasave ishte e egër edhe në sport, ndaj dhe mbeta si “njollë” për ta.

Respekti në ambientin qytetar ka qënë për ju arsyeja që ushtruat pikërisht notin, dhe jo me ndonjë sport tjetër?

Në fakt, unë kam luajtur fillimisht volejboll, por u largova shumë shpejt pasi pësova një dëmtim të rëndë. U riktheva përsëri tek Noti duke e quajtur si sportin “mëmë” për mua, i cili më mbërtheu gjithë periudhën e karrierë sime.

Pasi ju lindi dëshira për tu ushtruar në not, kur e nisët garimin tuaj zyrtar?

Gara ime e parë zyrtare në sportin e Notit ka qënë në vitin 1969 në Sarandë. Unë garova në 4X100 m Katërnotim individuale dhe zura dy vënde të para. Madje unë dola edhe rekordmen në këto gara, që në nisje së karrierës sime zyrtare si notar.

Në kujtesën tuaj, gara e parë zyrtare që ju keni zhvilluar ishte në Sarandë, po si e keni përciellë atë emocionalisht?

Natyrisht që kam patur shumë emocion në garën e parë në vitin 1966. Kisha si rivalë dy mjeshtra shumë të fortë, Spiro Angjelin e Butrintit dhe Andrea Dhimën e Lokomotivës. Kishte edhe të tjerë, me të cilët duhet thënë se mbetëm rivalë në garë, por shok e miq jashtë gare.

Trajneri dhe skuadra juaj e parë, si vijnë sot në kujtesën tuaj?

E kujtoj me nostalgji trajnerin tim të parë Eqerem Hasanin. Ishte viti 1966 kur nisa të ushtrohesha në sportin e Notit, dhe e kujtoj si një seleksioner që përcaktonte saktë se cili notar do shkonte më lart me Butrintin. Më pas, trajnerin Esat Mamaca  e kam quajtur si “Biblioteka e Notit” që ecën në këmbë. Me të trajner ecëm shumë.

Në garat që ju keni zhvilluar, pse Katërnotimi ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?

Sepse në garat e Katërnotimit unë ndjehesha i plotësuar në të katër stilet e notimit. Madje me modesti po e them se, në Katërnotim ndjehesha me biletë të prerë për vëndin e parë dhe në thyerjen e Rekordeve Kombëtare.

Ju kujtohen rivalët tuaj në garat (kombëtare dhe ndërkombëtare) që keni zhvilluar, cilët kanë qënë?

Gjatë karrierës sime, unë kam rivalizuar me shumë mjeshtra të Notit shqiptar, por dy më të veçantët ishin dhe mbetën Spiro Angjeli i Butrintit dhe Andrea Dhima i Lokomotivës. Ndërsa ndërkombëtarisht kujtoj vetëm eksperiencën disa mujore në Kinë ku gjetëm notarë të klasit botëror. E bukur Kina në not, por konservatore!

Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notar, stili dhe gara?  

Ishte viti 1970, në Kampionatin Kombëtar që u zhvillua në Sarandë. Fillimisht në garën 4X100 m Katërnotim dhe më pas në 4X50 m në këtë stil, erdhën dy rekorde, të cilët në vazhdimin e karrierës sime deri në vitin 1976 i thyeja vit pas viti.

Në karrierën tuaj si notar kampion e rekordmen, cilët ndani si momentet më të mira në karrierë?

E them me modesti sportive se, periudha e karrierës sime si notar në vitet 1969-1976 ka qënë shumë e mirë. Sepse kam dalë kampion dhe rekordmen, synim që gjithë notarët e kishin pjesë të karrierës. Janë shumë, por rekordet flasin vetë.

Nëse keni edhe momente jo të mira, nuk do ishte keq që ti shprehnit?

Patjetër që kishte. Kujtoj vitin 1975 kur me disa shokë pimë pak alkool, dhe unë shkova normal në stërvitje. Por, trajneri Spiro Koça dhe përgjegjësi i klubit Jani Gjati më penalizuan në FSHN, duke më larguar nga gara e radhës. Unë u riktheva  në vitin 1976, edhe më i fortë.

Nga garimi te infrastruktura në sportin e notit në Sarandë, si ka qënë ajo  gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport? 

Kur unë nisa karrierën në sportin e Notit në vitin 1966, infrastruktura ishte shumë e dobët. Ne përgatiteshim në Zadra, në ujë gjatë pramverë-verë dhe me përgatitje atletike e fizike gjatë stinëve vjeshtë-dimër. Në pak kohë, pati fatin të garoja edhe në pishinat e kohës.

Pas largimit nga aktiviteti si notar, e vazhduat marrëdhënien me notin edhe si trajner, si ishte për ju ky rrugëtim sportiv?

Trajningun e ushtrova në dy periudha. Së pari në vitin 1976 me Fëmijët, dhe më pas në periudhën 2009-2017 po me Fëmijët e Butrintit. Përgatita fëmijë e të rinj që më pas dolën kampionë e rekordmenë në këtë moshë e më tej, ku do veçoj motrat Rexho, apo edhe kampionen e Maratonës për të Reja, Marlinda Bala.

Në gjithë karrierën tuaj si notar e trajner, si e përshkruani evolimin në sportin e notit në gjithë Shqipërinë?

Natyrisht që ka shumë ndryshim në raport me kohën që unë e zhvillova karrierën time si notar, pasi notit sot i janë rritur shumë mundësitë. Sepse sot, sporti i Notit është kthyer në gjithëstinor, ndërsa ne ishim si shtëpi pa çadër.

Keni marrë vlerësime e tituj sportivë si notar, si jeni ndjerë në atë periudhë?

Unë ka marrë vlersime sportive dhe qytetarie, edhe pse ende nuk jam “ngopur” me to. Të gjitha i vlerësoj si shpërblim i kontributit tim në sportin e Notit në Shqipëri, dhe si atëhere kur garoja, edhe sot, kam të njëjtat emocione sportive.

Nisur nga mosha juaj sot, mendoni se mund ta vazhdoni gjatë trajningun në sportin e notit?

Ndoshta kushtet sot nuk më mundësojnë një rikthim në trajning, pse jo, edhe mosha mbetet një arsye. Edhe në trajning unë ndjehem i plotësuar, sepse në më shumë se 13 vite përgatita notarë dhe notare talente që bënë emër në notin shqiptar.

Ka mbi 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare të Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?

Për mua, çdo shoqatë sportive që nuk merret me politikë, është për tu vlerësuar e respektuar. Shoqata e veteranëve të Notit më ka respektuar dhe unë e kam ndjekur brenda mundësive. Sot jam larg, por ndjehem bashkë me gjithë veteranët e tjerë në Notin shqiptar.

 

Respekti i Limes për trajnerët Hasani e Mamaca

E kujtoj me nostalgji trajnerin tim të parë Eqerem Hasanin. Ishte viti 1966 kur nisa të ushtrohesha në sportin e Notit, dhe e kujtoj si një seleksioner që përcaktonte saktë se cili notar do shkonte më lart me Butrintin. Më pas, shpreh konsideratat e mia më të mira për trajnerin Esat Mamaca, të cilin e kam quajtur si “Biblioteka e Notit” që ecën në këmbë. Me të trajner, ne ecëm shumë në arritjet tona.

E them me modesti sportive se, periudha e karrierës sime si notar në vitet 1969-1976 ka qënë shumë e mirë. Sepse kam dalë kampion dhe rekordmen, synim që gjithë notarët e kishin pjesë të karrierës. Janë shumë, rekordet flasin vetë

 

 

Aleks Gjini

Shpëtimi ishte notar cilësor në çdo stil, dha shumë e morri pak

Bashkëmoshatarë dhe kolegë, Aleks Gjini flet shumë për figurën e Shpëtim Kotes, dhe jo vetëm si notar. “Kur flet për Sarandën, patjetër që do flasësh për Notin dhe për Shpëtim Koten, si një nga notarët elitarë në Shqipëri. Me Shpëtimin kemi garuar si notarë për 12 vite me Butrintin dhe me Partizanin, ku ai dallohej për një fizik të bëshëm notari dhe veçohej si një “Albatros” që siguronte një hap notimi të madh. Në cilësitë fizike, dallohej për elasticitetin, dhe falë këtyre cilësive, ai shumë shpejt u bë notari më cilësor i Stilit Delfin, dhe jo vetëm. Sepse veç rekordeve kombëtare në këtë stil, ai bëri të vetat edhe rekordet e Katërnotimit në 200 e 400 m. Vetë statistikat tregojnë jetëgjatësinë e rekordeve të Shpëtim Kotes, ku: në 100 m delfin për 11 vite, në 200 m Delfin për 13 vjet, në 200 m dhe 400 m Katërnotim, në 5 vite. Në karrierën12 vjeçare përmirësoi 28 rekorde kombëtare. Nëse do ta bindte vetveten, do ishte cilësor edhe në stilin Bretkocë, sepse ishte notar shumë i kompletuar. Dha shumë, por morri pak”.

28 REKORDE

Në 14 vite karrierë, Shpëtim Kote përmirësoi 28 rekorde kombëtare. Ai ishte kampion absolut në të gjitha garat e Stilit Delfin, dhe në Katërnotim

 

KONSIDERATA E VLERËSIME NGA KOLEGË

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH

Notarin gjigant Shpëtim Kote, askush nuk e ka arritur

Edhe në këtë Profil të Mjeshtrit të Sportit, Shpëtim Kote, Mjeshtri i Madh Sadik Mema nuk mungoi me vlerësimet e kujtimet e tij. Madje Pupi shrehet në këtë bisedë, se historia e Notit shqiptar do ta kujtojë me nostalgji notarin Shpëtim Kote. “Shpëtimin unë e njoh që në fillimet e karrierës sime në vitin 1969. Në vlerësimin tim, ai ka qënë një notar i fortë në atë periudhë, i cili i dha një hop cilësor rekordeve Kombëtare edhe në stilin e Delfinit, në garat 100 dhe 200 m. Shpëtimi kishte përmasa trupore të pazakonta dhe një forcë fizike të pa krahasueshme, duke mbetur kështu një nga notarët më të fortë të historisë së Notit shqiptar. Dhe nëse Shpëtimit do ti shtoje disa përmirësime teknike të garimit, ai do jepte rezultate shumë më të larta. Ai ka qënë dhe mbetet një nga shokët dhe miqtë më të mirë në historinë e Notit në vëndin tonë, dhe kjo histori do ta kujtojë me nostalgjinë e një notari gjigant që ende sot nuk është një i tillë në vëndin tonë”, ishte ky vlerësimi që Mjeshtri i Madh Sadik Mema solli në profilin sportiv të Mjeshtrit të Sportit,  Shpëtim Kote.

MYRTEZA DIDATI, MJESHTËR SPORTI

Rezultatet e Spëtimit në Delfin, më të lartat në notin shqiptar

Për Shpëtim Koten, Mjeshtri i Sportit Myrteza Didati ka shumë për të thënë, edhe si sportist, por edhe sot që është njeri aktiv në ambientet sportive. “Me Limen (Shpëtimin) jemi bashkëmoshatarë dhe jemi bashkënotarë e rekordmenë te Butrinti dhe te Partizani. Shpëtim Kote e nisi karrierën e tij në katërnotim, dhe kur më pas u hoq notimi Baterfly e u kthye në Delfin, ai spikati dhe në vitin 1971 ishte kampion e rekordmen në 100 m dhe 200 m. Edhe pse shtatlartësia e tij ishte mbi 190 cm, nuk e pengonte që të kishte elasticitet në garë dhe përkulshmëri të habitshme. Rezultatet e Shpëtimit në garën e Definit 100 m me kohën 1’4”, dhe 200 m me kohën 2’25”, ishin rezultate shumë të larta për notin shqiptar, i cili në atë kohë ishte sport sezonal. Por, përveç si notar, Shpëtimi ishte dhe është edhe një puntor shëmbullor, fillimisht si mekanik në Parkun Automobilistik në Sarandë. Në kohën që Shpëtim Kote garonte, ishte një idhull në Notin në vëndin tonë. Sot, Noti shqiptar nuk e ka ende një të tillë si Limja”, kështu e vlerëson Myrtaza Didati, Mjeshtrin e Sportit Shpëtim Kote.

CV sportive Shpëtim KOTE

Datëlindja: 2 Qershor 1953   Vendlindja: Shkodër   Vendbanimi: Sarandë-Londër   Arsimi: Të mesmen   Profesioni: Mekanik   Sporti që ka ushtruar: Notin   Karriera si sportist: Në vitin 1966 me Fëmijët, të Rinjtë dhe të Rriturit e Butrintit, deri në vitin 1976; me Partizanin në vitet 1970-1972   Gara e parë në karrierë: Në vitin 1970 në Sarandë, garat 4X100 m dhe 4X50 m katërnotim   Rekordi i parë kombëtar në karrierë: Në vitin 1970, në 4X100 m Katërnotim dhe 4X50 m Katërnotim   Ekipet ku ka garuar: Butrinti Sarandës, në vitet 1966-1970 dhe 1972-1976; me Partizanin 1970-1972   Sukseset si notar: Në periudhën 1971-1974 Kampion Kombëtar në garat 4X100 m dhe 4X50 Katërnotim duke thyer 18 Rekorde Kombëtare, Notari më i Mirë në Notin shqiptar   Garat Ndërkombëtare në karrierë: Në vitin 1974 grumbullim me Kombëtaren për gara në Kinë   Tituj e trofe në karrierë: Kampion Kombëtar me të Rinjtë dhe të Rriturit, në periudhën 1970-1978 në garat 200 m Delfin, në 4X100 m Katërnotim dhe në 4X50 m Katërnotim   Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1978 me Butrintin, në garat 4X100 m dhe 4X200 m Katërnotim   Rekordi i fundit në karrierë: Në vitin 1974 në Durrës, Rekorde Kombëtare në garat 4X100 m dhe 4X50 m Katërnotim   Tituj personalë në sport: Mjeshtër Sporti, viti 1994; Qytetar Nderi në Sarandë; Nderi i Qytetit në Sarandë; Diplomë Mirënjohje nga FSHN; Nderi i Notit Shqiptar   Karriera si trajner: Me Fëmijët e Butrintit, në vitet 2009-2017   Aktualisht: Në pension

 

Kur thua Lime Kote, ke thënë “Delfin”

Në komunitetin e notit në Shqipëri, historia i vlerëson notarët për gjithë kontributin e tyre në këtë sport, por Shpëtim Koten shpesh e identifikojnë me Stilin Delfin. “Kur thua Lime (Shpëtim Kote), ke thënë ”Delfin”, dhe kur thua “Delfin”, ke thën Lime”. Sepse falë cilësive të tij antropometrike, me një konstrukt të bëshëm notari dhe një avergurë ”albatrosi” që i siguronte një hap të madh dhe efektiv notimi, si dhe cilësive të tij fizike, elasticitetin e kishte të lindur. Gjatë karrierës së tij me Butrintin e Partizanin, Shpëtim Kote u bë notari më cilësor i Stilit Delfin dhe jo vetëm, sepse veç rekordeve në këtë stil, ai bëri të vetat edhe garat në 200 m dhe 400 m Katërnotim. Ishte kënaqësi ta dëgjoje Shpëtimin, apo të dialogoje me të. Prej tij mëson shumë për historinë në përgjithësi dhe atë të sporteve, me statistika të argumentuara dhe bindëse. Një veçanti e tij, ishte pasioni për muzikën”.