Agron KAJA/ Serbët na shanë, na rrahën, dhe… UEFA u dha tri pikët!

459
Sigal

DISIPLINA/ Jepet vendimi skandaloz i turpit për ndeshjen Serbi-Shqipëri, Platini fiton bastin me shqiptarët

Dje në mesditë, ndoshta e gjithë Shqipëria është ndjerë e fyer, por edhe e nënvlerësuar si Komb, pas vendimit skandaloz që dha UEFA në lidhje me ndeshjen e 14 tetorit Serbi-Shqipëri. Makinacionet e paralajmëruara ditë më parë nga presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, dje i bëri realitet Komisioni i Disiplinës në UEFA, i cili me vendimin që dha, tregoi se vetëm drejtësi nuk di të japë. Pa cituar asnjë paragraf për korret raciste të tifozëve serbë, pa cituar as edhe një fjalë nga ato fyerje të panumërta që ju adresuan futbollistëve të Kombëtares sonë në stadiumin e Beogradit, UEFA bëhet raciste e barazohet me dhunuesit serbë, teksa pa pikën e përgjegjësisë e të turpit institucional, jep një vendim skandaloz që Shqipëria e humb 0-3 ndeshjen me Serbinë. “NO TO RACISM-RESPECT” (Thuaji jo racizmit, respekto), kjo është logo, të cilën e gjithë bota e futbollit ka vite që kërkon të zbatohet, por që nga ky komision i zhdrejtësisë në UEFA ndoshta duhej që futbollistët tanë të vdisnin në fushën e lojës, aty ku edhe Ivani i “Tmerrshëm” u gjend “ndoshta rastësisht”. Kaq turp të vjen kur e lexon këtë vendim, sa kur kujton që në Beograd u ndaluan të shkonin tifozë shqiptarë, kur kujton se u dhunuan me kontrolle fashiste të gjithë ata që guxuan t’i  drejtohen Beogradit, madje deri në brekë, u shanë futbollistët, u fye himni Kombëtar shqiptar dhe për këto duhet që të paguanim ne, të dhunuarit! Në fakt, ky vendim është racizmi vetë, dhe kjo UEFA e tregoi veten të barabartë me racizmin në stadiumin e Beogradit në mbrëmjen e 14 tetorit 2014. Kjo UEFA me këtë vendim e ka sponsorizuar dhunën, e ka sponsorizuar racizmin, i ka dhënë Serbisë nacionaliste më shumë krahë për të vazhduar kështu vit pas viti. Ne si shqiptarë duket qartë që Europa e futbollit nuk na respekton dhe na ka aty vetëm për numër. Mishel Platini na “dashuroi” në dy vizitat e tij vetëm për t’i  dhënë votën që ai të mbante kolltukun e Presidentit të UEFA-s, ndërsa premtimet e deklarimet e tij, të paktën këtu në Shqipëri, paskan qenë një drogë e fortë, përderisa ato u besuan si të drejta e të sinqerta. Në të tilla komente, natyrisht që nuk mund të dalësh nga korniza kombëtare, sepse edhe futbolli që u luajt në 42 minutat e Beogradit ishte mes shtetesh, edhe dhuna, fyerjet e sharjet nacionaliste ishin mes shtetesh dhe me këtë rast duhet thënë se UEFA me vendimin e djeshëm ka hapur një luftë raciste reale ndaj kombit mbarëshqiptar. Kësisoj edhe besimi te Europa ka pësuar një rënie jo vetëm te shqiptarët, por edhe te ndërkombëtarët që dje këtë e kanë quajtur edhe skandal, apo drejtësi pa drejtësi. Por, gjatë ditës së djeshme kanë edhe folur politikanë e shtetarë, ka folur Kryeministri, Ministrja e Sportit, Presidenti i FSHF-së e shumë figura të tjera, por kjo nuk është vetëm një luftë deklarative e të mbetemi këtu. Shqiptarët dhe Shqipëria nuk duhet të mbeten vetëm me apelimin që do t’i  bëhet këtij vendimi absurd në Apel dhe në KAS, ndoshta me këtë rast ka ardhur koha që shteti shqiptar të tregojë se është shtet i shqiptarëve që në shekuj janë ndëshkuar padrejtësisht nga kurvëritë e Europës. Betejë gjyqësore mbarëkombëtare për tri pikët dhe betejë mbarëkombëtare qytetare në sheshe, në rrugë e stadiume, këtë duhet të bëjnë Shqipëria e shqiptarët kudo në Europë kundër këtij vendimi të UEFA-s.

 VENDIMI I UEFA-s

#Shqipëria e humb 3-0 në tavolinë ndeshjen me Serbinë, si dhe gjobitet me 100 mijë €

# Serbisë t’i hiqen 3 pikë dhe të luajë dy ndeshje pa tifozë, si dhe gjobitet me 100 mijë €

REAGIME

 Presidenti i FSHF-së, Armand Duka

“Është një vendim politik”

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është shprehur i zhgënjyer pas vendimit të UEFA-s, duke deklaruar se ai do të apelohet. “Jam shumë i zhgënjyer me këtë vendim, të cili do ta apelojmë. Ne prisnim një vendim juridik të drejtë, ndërsa ky është një vendim që nuk i bën mirë futbollit, përmirësimit të klimës futbollistike. Nuk e di çfarë do të thotë ky vendim kur një skuadër të fyen e të dhunon, të rreh në fushë e të merr tri pikët! Ky është një vendim politik, se të merr tri pikë dhe ti heq tri pikët. FSHF ndan me UEFA-n këndvështrime dhe interesa të ndryshme me këtë vendim”, thekson në deklarimin e tij Duka.

Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi

 “Ky vendim nuk dha drejtësi”

Në lidhje me vendimin e dhënë dje nga UEFA për ndeshjen e ndërprerë Serbi-Shqipëri, menjëherë pas lajmit të publikuar në media ka reaguar në rrjetet sociale edhe trajneri i Kombëtares sonë të futbollit, Xhani De Biazi, i cili është shprehur i zhgënjyer dhe nuk e quan një vendim të drejtë. “Jam shumë i zhgënjyer nga vendimi i UEFA-s. Nuk na dha drejtësi, na hoqën atë që fituam në fushë. Kjo nuk është drejtësia që duhej të jepej duke na mohuar atë që na takon, sipas  ligjeve që vetë UEFA ka miratuar. Është e vështirë që ne ta pranojmë një vendim të tillë. Çfarë duhet të ndodhte më tepër? ”, tha De Biasi.

Futbollisti Bekim Bala

“Më fal Platini që s’e theva stolin me kokë!”

Ka qenë ironik futbollisti i kombëtares sonë Bekim Bala, teksa në statusin e tij në Facebook i drejtohet Presidentit të UEFA-s, Mishel Platini, për vendimin e Komisionit të Disiplinës. “Më fal Platini që s’e theva stolin me kokë”, një shprehje e madhe e një futbollisti që dukshëm u dhunua në fushën e lojës, por që UEFA me Platininë në krye dënon viktimën, jo agresorin.

GRUPI I/ SI NDRYSHON RENDITJA

 ISHTE PARA VENDIMIT

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Shqipëria           3        4

2.Danimarka        3        4

3.Portugalia                   2        3

4.Serbia                2        1

5.Armenia            2        1

BËHET PAS VENDIMIT

Skuadrat             Nd     Pikë

1.Danimarka        3        4

2.Shqipëria           3        4

3.Portugalia                   2        3

4.Serbia                2        1

5.Armenia            2        1