Agron Kaja: Rezyme për punën në FSHF dhe Armand Dukën si President

251
Sigal

Nga Agron KAJA

Bisedë me historinë / Në mbyllje të vitit 2021, ka vend për të folur edhe për punën në institucionin e futbollit shqiptar, me të gjitha dritëhijet e tij.

Edhe pse jemi në mbyllje të vitit 2021, ritmika e kalendarit të FSHF-së na orienton te zgjedhjet e reja që duhet të përcaktohen mes muajve shkurt-mars 2022. Në fillim vitin e ardhshëm futbolli shqiptar do të ketë një evenimet të rëndësishëm për ecurinë e tij të mëtejshme, pasi do të zhvillohet Asambleja Zgjedhore e FSHF-së. Në këtë event, një pjesë të rëndësishme e merr zgjedhja e strukturave drejtuese të FSHF-së, ku më kryesori është ai i Presidentit. Deri tani, disa muaj para zhvillimit të punimeve të Asamblesë, edhe pse fushata ka filluar mediatikisht dhe jo ligjërisht, ka patur persona të tjerë, që kanë shpallur kandidaturën për këtë post të rëndësishëm, duke e thyer kështu “hegjemoninë” 20-vjeçare të “epokës” Duka në drejtimin e futbollit shqiptar.

Ndryshimet në startin e zgjedhjes

Në datën 6 shkurt 2022, për Armand Dukën mbushen plot 20 vite në krye të FSHF-së si President i saj, që do të thotë se ai ka drejtuar në pesë mandate institucionin më të lartë të futbollit shqiptar. Nëse në këtë bisedë me historinë, këto dy dekada të punës në FSHF do t’i sjell në memorie me realizëm e seriozitet me të gjithë problematikën që ka pasur futbolli ynë. Njëherësh edhe me ndryshimet që ai ka pësuar në këtë periudhë, e natyrisht që së pari duhet të tregohet një mirënjohje e sinqertë për punën e këtij institucioni. Por edhe për Presidentin Armand Duka, i cili gjatë kësaj periudhe, postin e tij në krye të FSHF-së e ktheu në një institucion me standarde të kohës. Nëse do të përmendim mandat pas mandati rrugën 20 vjeçare të FSHF-së me President Dukën, do të ishte një rrugë e gjatë, por duke i kaluar ato me momentet më të veçanta, do ta thyejmë paksa edhe “sklerozën” mediatike. Sa për kujtesë, kur ai u zgjodh në mandatin e tij të parë si President i FSHF-së, selia e saj ka qenë e ngujuar në një “garsoniere” poshtë shkallëve të stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, dhe vetëm disa muaj më pas ajo u akomodua në ambientet e ish-Hotel “Internacional”. Paralelisht u rifreskua edhe stafi i FSHF-së, ku duhet thënë se më shumë ai u shtua me emra të njohur e të mëdhenj të futbollit tonë në vite, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Ky ishte hapi i parë që e ndau institucionin e futbollit tonë nga jashtëqitjet nën shkallët e stadiumit, për ta vendosur selinë e saj në qendër të kryeqytetit dhe në kushte shumë komode. Dhe këtë lëvizje duhet ta kujtojë shumëkush, si institucionale, të domosdoshme dhe të arrirë. Deri në vitin 2002 kur zoti Duka u zgjodh për herë të parë President i FSHF-së, në Shqipëri vetëm fusha e stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” ishte e përdorshme në standard nën mesatarin e kohës, ndërsa në stadiumet e tjera të ndërtuara para vitit 1990, fushat kanë qenë si “parcela patatesh”.

Nga “Qemal Stafa” në “Air Albania”

Dhe 20 vjet më pas, janë ndërtuar mbi 100 fusha në stadiume të ndryshme, diku edhe dy apo tre herë, është vendosur ndriçimi në pothuajse të gjithë stadiumet e Kategorisë  Superiore. Mbi të gjitha, në këtë infrastrukturë veçohet ndërtimi i stadiumit Arena Kombëtare “Air Albania Stadium”, rindërtimi i stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër, i stadiumit “Elbasan Arena” dhe sëfundmi stadiumit “Zeqir Ymeri” në Kukës. Nëse 10 vite më parë Shqipëria rrezikonte emigrimin, sepse nuk kishte një stadium që plotësonte kushtet për zhvillimin e ndeshjeve të ekipit Kombëtar, sot jetojmë në normalitet sportiv. Gjatë këtyre dy dekadave, në skuadrat tona Kombëtare të të gjitha niveleve thuajse është bërë një revolucion në menaxhim e drejtim, edhe pse fati nuk na ka dashur që të shkojmë më lart se në finalet e Kampionatit Europian “Euro 2016”. Po gjatë kësaj periudhe është rritur shumë interesi për ndeshjet e Kombëtares sonë, aq sa tifozë nga Kosova, Maqedonia, Mali i  Zi e më gjerë, kanë sjellë emocionet e tyre në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”, në “Air Albania Stadium” (Arena Kombëtare), në “Elbasan Arena” dhe në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. Kombëtaren e madhe e kanë drejtuar 8 trajnerë të huaj ku edhe janë afruar dhjetra talente, të cilëve vetëm fati u ka munguar për të dalë nga ngërçi i renditjes kualifikuese. Gjatë këtyre 20 viteve në Shqipëri kanë ardhur me dhjetra figura të futbollit Evropian e Botëror, të cilët pasi kanë njohur topkëmbën tonë. Në këtë hark kohor të drejtimit të FSHF-së nga Armand Duka si President i saj, standardet janë rritur jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në menaxhimin sportiv e administrativ të futbollit, gjë që më parë nuk ishte menduar nga ish-drejtuesit e FSHF-së. Vetë FSHF-ja ka punuar që këto standarde t’i transmetojë edhe tek aktorët e tjerë të lojës së futbollit, por edhe në nivelet e klubeve. Dhe nëse do të flasim për një institucion futbolli sot në Shqipëri, ndjehesh krenar kur hyn në selinë e FSHF-së. Kur kujton se ku e kishin selinë ata që e dorëzuan stafetën 20 vite më parë dhe ku jemi sot, këtu themi se ndahet nata me ditën në menaxhim e drejtim.

Standardet dhe dritëhijet në klube

Natyrisht që gjatë kësaj periudhe qeverisëse të futbollit shqiptar nga Armad Duka kanë ndodhur edhe ngjarje prej të cilave mund të reagosh kur të duash, por jo si të duash. Sepse po të sillen në kujtesë shumë detaje të tjera që e pështjellin punën e FSHF-së në harkun e 20 viteve të fundit, ka patur edhe problematika, ngjarje e momente prej të cilëve edhe futbolli në Evropë e në Botë nuk ka shpëtuar. Kështu, në këtë periudhë shumë skuadra të Superiores sonë janë përfshirë në vorbullën e trukimit të ndeshjeve të futbollit. Kjo ka ndodhur dhe nuk mohohet, por vetëm gjatë periudhës që President i FSHF-së është zoti Duka është zbardhur de facto futbolli ynë, pasi më parë trukimet bëheshin hapur fare, ndërsa për futbollin tonë atëhere Evropa nuk tregonte ndonjë interes të veçantë. Dhe nëse do të ndajmë rolin e FSHF-së si organizatore e garës dhe rolin e klubeve si pjesëmarrës në këtë garë sipas rregullave të përcaktuara së bashku mes tyre, del se trukimet nuk janë “pronë” e FSHF-së dhe e presidentit të saj. Sepse klubet që kanë trukuar ndeshje nuk e kanë patur këtë “detyrë” nga FSHF-ja, por përkundrazi, rregullat e saj kundër fenomenit të trukimeve janë përsosur nga viti në vit. Sot pas një lufte të madhe të zhvilluar në të gjithë sistemin, shifrat e ndeshjeve të raportuara si të trukuara janë afër zeros.

Në këtë periudhë 20 vjeçare ka patur edhe dhunë në fusha e stadiume, ndaj arbitrave apo edhe në fushën e lojës, ndërkohë që kanë provuar skajet e renditjes thuajse të gjitha skuadrat e kryeqytetit. “Legjenda” si Partizani, Dinamo, Tirana e Vllaznia provuan edhe kategoritë inferiore, ndërsa thuajse të gjitha skuadrat e Superiores, por edhe në nivelet e tjera, tregojnë luhatje në financa dhe në fushën e lojës, dallgë këto që janë pjesë e futbollit kudo, dhe jo vetëm në Shqipëri. Kështu që po ta trajtonim këtë situatë si pjesë e mangësive të FSHF-së dhe të Armand Dukës si president i saj, do të thonim se jemi nën efektin e mentalitetit e të gjykimit të para viteve ’90-të me futbollin. Dhe të mendosh se për të gjitha këto fajin e ka FSHF-ja, është normale të mendohet se futbolli nuk njihet duke mbyllur sytë para realitetit.

“Nëse do të flasim për një institucion futbolli sot në Shqipëri, ndjehesh krenar kur hyn në selinë e FSHF-së, Shtëpinë e Futbollit. Ndjehesh i tillë edhe kur shikon një Kombëtare në finalet e Kampionatit Europian, kur shkon në stadiumin “Air Albania Stadium”, në stadiumet e Elbasanit, Shkodrës e Kukësit.”

Futbolli i femrave dhe tifozët

“Futbolli i femrave nuk është thjesht për barazi gjinore, por është diçka e domosdoshme. I gjithë komuniteti i futbollit është i përgjegjshëm që femrat nga pikëpamja sportive apo edhe ajo fizike, nuk mund të luajnë në të njëjtin nivel sportiv si meshkujt, por gjithsesi, ato kanë të drejtën të luajnë futboll”.

Kërkesat ndaj qeverisë

“I jemi lutur qeverisë që të na zgjidhi disa çështje që kanë në thelb mbijetesën për sportin në Shqipëri. Kjo ka qenë arsyeja e bojkotit të fillim kampionatit, që ishte vazhdimi i një premtimi të vetë qeverisë për përmirësimin e një pakete ligjore për të vënë sportin në përgjithësi dhe futbollin në veçanti, në shinat e zhvillimit”.

Finalja e Konferencë Ligë

“Finalja e Konferencë Ligë në Shqipëri është një event shumë i rëndësishëm dhe historik, aq më tepër që është hera e parë e këtij kompeticioni dhe sigurisht do të mbetet në histori që kjo ndeshje është zhvilluar në Tiranë dhe do të kujtohet gjatë. Nga të gjitha këndvështrimet e tjera, është diçka shumë pozitive”.

Kombëtarja ka lojtarë premtues

“Sot në Kombëtare ne kemi lojtarë premtues, si Broja, Kumbulla, Manaj, Muçi, por edhe të tjerë. Për mendimin tim, ka edhe disa futbollistë te Kombëtarja Shpresa U21, të cilët janë gati të debutojnë me ekipin e parë. Ka shumë futbollistë si Kumbulla te Roma, apo Broja te Sauthempton në kampionatin anglez, ku ky i fundit jo vetëm që po luan, por edhe po lë shenja me golat që ka shënuar dhe me paraqitje mjaft të mira. Kemi edhe shumë lojtarë të tjerë, që mendoj se janë gati të afrohen në ekipin e parë dhe të luajnë aty. Emra si Asllani, që ka qenë titullar i Shpresave, apo Mihaj, që ka qenë edhe më herët, mendoj se janë gati të japin kontributin e tyre në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve”.

5 mandate

Kjo është periudha që Armand Duka e drejton FSHF-në si president i saj, që nga 6 shkurti i vitit 2002

100 fusha

Gjatë 5 mandateve që Armand Duka e drejton FSHF-në, janë duke u ndërtuar

mbi 100 fusha futbolli

1 stadium kombëtar

Në mandatin e pestë që Armand Duka e drejton FSHF-në, u ndërtua stadiumi   kombëtar “Arena Kombëtare”

Armand Duka

Datëlindja: 7 tetor 1962/ Vendlindja: Durrës

Arsimi: Fakulteti i Ekonomisë në UT, dega ekonomist për industrinë 1981-1986

Profesioni aktual: Biznesmen.

Lidhjet me futbollin: Nga viti 1992 deri në vitin 2002, sponsor në skuadrën e Teutës së Durrësit dhe tek Erzeni i Shijakut.

Në drejtimin e FSHF-së si President: Nga 6 marsi 2002 e në vazhdim (5 mandate)

Eksperienca në UEFA: 2004-2006 Anëtar i Komitetit të Federatave; 2006-2008 Zv/kryetar i Komitetit të Federatave Kombëtare; 2008-2013 Zv/kryetar i Komitetit të Kompeticioneve të Ekipeve Kombëtare; 2013-2016 Zv/kryetar i Komitetit të Federatave Kombëtare; 2016-në vazhdim, Zv/Kryetar i Komitetit HatTrick (i vetmi komitet në UEFA që merr vendime pa Komitetin Ekzekutiv dhe me portofolin më të lartë në UEFA); 2019-të në vazhdim, Anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Eksperienca në FIFA: 2008-2012 Anëtar i Komitetit të Federatave; 2012-2017 Anëtar i Komitetit Organizator të Kupës së Konfederatave.

Tituj nderi: Në vitin 1998, Bashkia e Shijakut i jep Titullin “Qytetar Nderi”; në vitin 2001, Bashkia e Durrësit dhe shoqata “Durrësi” i japin titullin “Nderi i Qytetit”; në vitin 2002, Bashkia e Durrësit dhe Shoqata “Durrësi” i japin titullin ‘Simbol i Qytetit të Durrësit”; në vitin 2003, Bashkia e Durrësit dhe shoqata “Durrësi”, i japin titullin “Dyrrah-3000”; në vitin 2010, Presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekoron me titullin e lartë “Naim Frashëri” të Klasit të Parë; në vitin 2020, Universiteti i Sporteve të Tiranës e vlerëson me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa”.

“Uroj në këtë fundviti që shqiptarët të kalojnë të gjithë festa të gëzuara dhe viti i Ri t’i gjejë të gjithë më të gëzuar, e kryesisht futbollistët dhe komunitetin e futbollit me më pak Covid, deri sa të shkojmë drejt shuarjes së tij, me shëndet të plotë e me sa më shumë suksese”

Futbolli “mundi” Pandeminë

“Vështirësia e krijuar nga pandemia ndikoi jo pak në të gjitha fushat e jetës, por edhe në sport, pasi dihet që edhe aty protagonistë janë njerëzit, që në një mënyrë apo në një tjetër, ndikohen nga këto problematika dhe nuk arrijnë objektivat maksimalë, që i kanë vënë vetes. Unë konstatoj me kënaqësi se futbolli shqiptar ka bërë disa hapa përpara në nivelin ndërkombëtar, duke dhuruar gara emocionale dhe cilësi, madje edhe rezultate historike apo rekorde. Nëse nuk do të ishin vështirësitë, jam i sigurt që do të arrinim më shumë me Kombëtaren, ndonëse e mbyllëm edicionin të tretët me 18 pikë në Grupin I eliminator të Kupës së Botës, si asnjëherë tjetër. Edicioni ka qenë i bukur, ne ëndërruam kualifikimin”.

Trukimet, histori e minimizuar

“Mendoj se në futbollin tonë trukimet janë një histori e minimizuar drejt zeros, por jo e mbyllur. Në Kategorinë Superiore kemi shumë pak tentativa, të cilat jam  shumë i sigurt se do t’i eliminojmë 100% brenda këtij viti. Në të gjitha kategoritë e futbollit tonë nuk do të ketë shanse që të bëjnë fiksime rezultatesh në ndeshje. Edhe ai që mund të ketë menduar ta bëjë një gjë të tillë, qoftë futbollist apo arbitër, trajner apo drejtues, të mendohet se iku koha e asaj pune. T’i kthehen rrugës së Zotit dhe të luajnë futboll. Nëse ky fenomen sot ekziston në shumë pak raste sporadike në futbollin tonë,unë ju garantoj që nuk do të kenë shans të bëjnë fiksim rezultati në Shqipëri. Trukimet, histori e minimizuar”.

Kategoria Superiore, garë e fortë

“Ka rreth tre vite që ekipet shqiptare nuk janë më për një xhiro turistike në Kupat e Europës. Turin e parë e kalojnë të gjitha skuadrat tona dhe e meritojnë ta kalojnë, sepse kampionati ynë meriton më shumë se turi i parë apo i dytë. Edhe në kompeticionet europiane kanë pasur vështirësitë e veta për situatën, por nuk mendoj që kemi marrë atë që meritojmë. Mund të merrnim shumë më tepër, shorti nuk ka qenë shumë i favorshëm për ekipet tona që t’i lejonte të shkonin më larg. Edhe edicioni aktual është duke na shfaqur një konkurrencë, por ndoshta jo deri në javën e fundit. Unë uroj që titulli të vendoset vetëm në finish, pasi kështu do të jetë më emocionuese. Kategoria Superiore dhuron gjithmonë garë të fortë deri në fund dhe është vështirë të parashikosh”.

Sistemi VAR, hap pozitiv

“Përdorimi i VAR-it mendoj se është një hap shumë pozitiv në eliminimin e diskutimeve të mëdha, që vërtetë vendosin fatet e një ndeshjeje futbolli. Eliminon mbi 90 % të gabimeve të mëdha, sepse dihet që VAR nuk ndërhyn në çdo rast, por ka një protokoll me disa hapësira ndërhyrjeje në raste goli, karton i kuq, penallti apo pozicion jashtë loje. Kështu që këto unë mendoj se i ka eliminuar, nuk kemi dëgjuar shumë diskutime në Superiore. Përderisa kjo teknologji u fut tashmë në botën e futbollit, mendoj se ka qenë një investim i mirë. Si në asnjë federatë tjetër, të gjitha shpenzimet, jo vetëm për teknologjinë, por edhe për burimet njerëzore po përballohen nga federata. Na duhet të mendojmë që në të ardhmen ta kemi sistemin VAR në Kategorinë e Parë”.