Agron Kaja: Niko Kurani, në gjysmë shekulli notar dhe trajner kampion e rekordmen

134
Sigal

INTERVISTA/ Një nga të mëdhenjtë e Notit shqiptar dhe i Lokomotivës së Durrësit, tregon për gazetën “Telegraf” gjithë karrierën e tij në det, në zadra dhe në pishinë.

Agron Kaja

Juve jeni një kampion noti, e mbani mënd kur është folur apo shkruar për ju në mediat sportive?

Shumë rrallë! Unë nga natyra jam një tip që qëndroj paksa si i tërhequr dhe e kam këtë të metë. Por katër vite më parë ka shkruajtur Bujar Qesja (Mjeshtër i Madh), për një veprimtari që mua më ka mbetur në mëndje dhe në zemër.

Atëhere, cili është Niko Kurani, së pari si notar?

Unë e kam nisur karrierët time si notar me trajnerin Sul Tafa, të cilin e kujtoj me respekt. Familja ime është dinasti sportive me dy vëllezërit notarë, Luani dhe Skënderi. Gruaja ime Verushja, ka qënë kampione në Pingpong dhe djali Arbeni ka qënë një notar i talentuar.

Ju bëni pjesë tek durrsakët, që dinë të notojnë, por edhe që dinë të garojnë si kampionë e trajnerë të tillë, jam i saktë?

Duke e përmbledhur gjithë karrierën time sportive them se jam i saktë. Në Durrës noti mbetet një sport i preferuar dhe unë hyra në rrugën elitare të garimit e të trajnimit. Për një kohë të gjatë kam garuar si notar, por isha edhe trajner. Kam bërë sport me shpirt.

Rrugëtimi juaj sportivka nisur në moshën 12 vjeçare me Lokomotivën, si e mbani mënd startin?

Po, unë kujtoj se kam nisur të notoj bashkë me notarin e talentuar sprintier Kastriot Karamuço. Si fëmijë lahesha në Currila, dhe kur isha 12 vjeç trajneri Shaqir Kapexhiu më morri në ekipin e notit, ku edhe mësova elementët kryesorë të notimit e garimit.

Kur ka nisur Niko Kurani të notojë me një ekip noti të elitës në Shqipëri?

Në vitin 1957 kur isha 17 vjeç kam garuar me ekipin Puna e Durrësit, me trajnerin Sul Tafa. Kam garuar në 100 m Delfin, në 200 m Stil i Lirë dhe në 400 m Katërnotim. Garat u zhvilluan në Liqenin e Shkodrës, Puna Durrës e mundi Vllazninë.

Ekipin e parë që ju keni garuar e mësuam, po garën e parë, apo rekordin e parë që keni thyer në karrierë?

Unë i përmënda më sipër garat dhe stilin tim të garimit, fillimisht me Puna Durrës dhe më pas Lokomotiva. Rekordin e parë Kombëtar e kam thyer në vitin 1962 në garat që u zhvilluan te Porti i Durrësit. Me kohë rekord kam mundur kampionin shkodran Selami Ibraimi.

Si e kujtoni ju trajnerin e parë, mbeti ai si shembull në rezultatet e tuaja si notar kampion?

Ka qënë Sulejman Tafa dhe e kujtoj me respekt. Ai ishte një njeri me personalitet dhe që studionte dhe në starvitjen tonë futi element të rinj që na ndihmuan në rezultatet tona. Kur u largua Sula, unë dhe Kastriot Karamuço morrëm drejtimin e ekipit.

Ju keni garuar në garën 100 m Stil Delfin dhe 200 m Stil i Lirë, cilët kishit rivalë në gara, apo në rekordet kombëtare?

Gjithë bota e notit e bënte Delfinin si stil primar. Unë u jam notari i parë në Shqipëri që kam garuar në stilin Delfin, pasi notohej në stil Flutur (Baterfly me këmbë bretkocë). Rivalë kisha Mark Shestanin e Vllaznisë dhe Jani Hondro të Flamurtarit.

Notarëve durrsakë u kam bërë pyetjen: Ku e keni patur më të lehtë garimin në pishinë, apo në det të hapur?

Në kohën kur unë kam bërë sport, ne bënim stërvitje në det të hapur, më vonë në zadra. Por për mua garimi ka qënë njësoj i vlerësuar. Ndërkohë që në vitin 1959 kam garuar edhe në pishinë, në Durrës dhe në Korçë.

Sa kohë zgjati karriera juaj si notar, dhe cilët ishin ekipet që përfaqësuat?

Unë kam një të veçantë në karrierën time, sepse kam garuar si notar dhe njëherësh isha edhe trajner. Si notar në vitet 1953-1974 me Puna dhe Lokomotiva, Durrës. Shërbimin ushtarak e kam kryer në Tiranë me Partizanin, në vitet 1960-1962.

Nëse në memorrjen tuaj ende ruhet kujtesa: Cila është gara juaj e fundit si notar elite?

Garat e fundit të karrierës sime janë zhvilluar në vitin 1971 (31 vjeç), në 100 m Stil i Lirë dhe në 100 m Delfin. Garat janë zhvilluar në Portin e Durrësit dhe largimi im erdhi nga dy faktorë: Së pari mosha, së dyti sepse isha edhe trajner i ekipit.

Mund të themi se në kohën kur ju keni garuar ka qënë infrastrukturë e dobët në sportin e notit, jemi të saktë? 

Në atë periudhë ne që ushtruam notin, vuanim shumë, stërviteshim dhe garonim në det dhe në Zadra. Në vitin 1974 kur në Durrës erdhi sekretar i parë Iljaz Reka, u ndërtua pishina që “Taq Dafa, por unë isha trajner dhe e kisha mbyllur me garimin personal.

Ju keni edhe një karrierë si trajner, si erdhi ky kalim, nga dëshira apo nga pasioni për të qënë pjesë e trajningut në notin durrsak?

Më shumë ka qënë pasioni për Notin. Kam qënë mbi 20 vite trajner te Lokomotiva me të gjitha nivelet, meshkuj e femra. Unë nuk e mendoja veten pa qënë pranë sportit të notit në Durrës dhe besoj se shpërblimin e kam marrë me rezultate.

Në kujtesën tuaj, cilët janë notarët që i keni trajnuar gjatë karrierës si trajner, dhe në cilin ekip?

Ka shumë emra dhe po përmend disa: Gentiana Bleta, Niko Pema, Arjan Laperi, Ptertit Guma (Kampion absolut), Kujtim Dauti, Vjollca Hoxhallari, etj. Atëhere Lokomotiva e Durrësit u kthye në një shkollë e përgatitjes së talenteve absolutë.

Si e mban mënd Niko Kurani garën e fundit që ka drejtuar si trajner në notin shqiptar?

Kam qënë trajner i femrave me Lokomotivën e Durrësit në vitin 1991, në Kampionatin Kombëtar. U largova sepse djali im Arbeni, që ishte një notar i talentuar, por atëhere ai u arratis dhe koha më tha se duhej të largohesha si trajner.

Pasi jeni larguar nga aktiviteti i trajningut, e ndiqni ritmikën e garave të notit në Shqipëri?

Shumë rrallë e ndjek, ndoshta për moshën, por edhe për kushtet personale. Është e natyrshme tashmë me këtë ritmikë, por shoh gara kur zhvillohen në Durrës, i pyes ndonjëherë trajnerët e Teutës për punët e tyre me ekipin, dhe kaq mundem.

E keni dëshirën që të trajnoni një ekip noti sot, ndoshta edhe keni mundësinë fizike?

Unë tani merrem vetëm me Nikon dhe e stërvis vetëm Nikon. Në dimër e verë shkoj shpesh te Currilat, dhe kur ngrohet moti lahem çdo ditë në det e notoj edhe 10 km. Kur moti nuk ma lejon detin, bëj ecje deri në 1 km në ditë.

Në këto vite larg aktivizimit tuaj në notin shqiptar, me se merreni sot?

Unë jam një pensionist i thjeshtë që vazhdoj të notoj në det çdo ditë. Kam bërë edhe 1 km në ditë notim pa ndërpreje. Dita ime vazhdon në shtëpi duke ndjekur televizor, pasditeve rrallë dal, sidomos në stinën e dimrit.

Gruaja Verushe Myshketa Kurani, kampione dhe trajnere shëmbullore

Gruaja e Nikos, Verushe Myshketa Kurani, ka qënë Kampione në sportin e Pingpongut në Shqipëri. Dashuria për këtë sport erdhi nga familja e saj, e cila e kishte trashëguar një tavolinë pingpongu ku ushtroheshin familjarisht çdo ditë. Me një karrierë të pasur, Verushja ka qënë kampione me Lokomotivën dhe Studentin, dhe më pas Mjeshtre Sporti, ‘Mjeshtre e Merituar e Sportit’ dhe’ Qytetare Nderi e Durrësit’. Në punën e saj si mësuese e edukimit fizik në Shkollën Sportive në Durrës, Verushja mbeti sportistja, mësuesja dhe trajnerja shëmbullore që kujtohet me respekt.

 

TRAJNERI HYSEN HAXHIA (KITRA)

Niko Kurani, kampion si notar dhe trajner i veçantë

Kur Hysen Haxhisë (Kitrës), një nga figurat e mëdha të notit durrsak, i kërkuam që të tregonte diçka për bashkëpunimin me Niko Kuranin si sportist e trajner te Lokomotiva e Durrësit, ai u largua nga pishina ku kishte gjithë paraditen dhe me emocion e respekt theksoi se Nikua ishte një bashkëpunëtor i pasionuar dhe i thjeshtë. “Tek Niko Kurani unë kam parë njeriun pasionant për sportin e notit, një notar dhe trajner të jashtëzakonshëm. Shumë i afërt dhe i thjeshtë, Niko jo vetëm që ishte vetë një notar elite, por të tillë ai përgatiti për më shumë se 20 vite në notin durrsak. E vlerësoj si një kampion notar e trajner i veçantë në notin shqiptar, të cilin koha e kujton me shumë respekt për këtë kontribut kaq të madh, jo vetëm në Durrës, por në gjithë notin shqiptar”.

Unë kam një të veçantë në karrierën time, pasi kam garuar si notar, dhe njëherësh isha edhe trajner. Si notar në vitet 1953-1974 me Puna dhe Lokomotiva, Durrës. Shërbimin ushtarak e kam kryer në Tiranë me Partizanin, në vitet 1960-1962

 

Djali: Arben Kurani, kampioni jetshkurtër në karrierë e në jetë

Nëse sot do ta shohim një foto të Arben Kuranit, natyrisht që për konstruktin e tij sportiv e bukurinë fizike do ndaleshim. “Ben Kurani ishte një notar i talentuar, një trup i bukur dhe një njeri e shok i mirë”, kështu e portretizoi Petrit Guma ish-kolegun e tij Arben Kurani. Nga mosha 5 vjeç e deri në vitin 1990 që u largua në emigrim, Ben Kurani ka zënë vënde të para në garat ku mori pjesë, si notar i Lokomotivës së Durrësit. Aksidenti automobilistik në Itali e ndau nga jeta në vitin 1997, por edhe nga familja dhe nga dashuria e tij për sportin e notit në veçanti.

3 sportistë

Në familjen e Niko Kuranit ishin tre sportistë: Niko notar e trajner Kampion, gruaja Verushe Myshketa Kurani, kampione kombëtare në Pingpong, ndërsa djali Arben Kurani, ka qënë notar elitar.

3 gara

Niko Kurani ishte rekordmen absolut i garave të 100 e 200 m Stil i Lirë, si dhe në 400 m Katërnotim. Atij nuk i dilte askush përpara në vitet 1960-1970, dhe të gjithë e krahasojnë si një mbret i notit shqiptar.

KONSIDERATA DHE VLERËSIME NGA DY MJESHTRA

MJESHTRI I MADH SADIK MEMA

Kurani mbetet një nga emrat “Ikonë” në notin shqiptar

 

Udhëtimi në gazetën “Telegraf” në përgatitjen e bisedave, intervistave e profileve për figura të shquara në Notin shqiptar, Mjeshtri i Madh Sadik Mema e pasuroi me një tjetër Mjeshtër, durrsakun Niko Kurani. Vlerësimi i Pupit mbetet i veçantë për Kuranin. “Është e vështirë që në pak rradhë të përmbledhësh një histori të madhe, të një notari e trajneri kampion si Niko Kurani, ndërkohë që ishte edhe trajner në ekipin tonë Kombëtar. Kam pasur fatin që Nikon ta shikoja në garë si notar, njëherësh edhe si trajner te Lokomotiva e Durrësit. Ndaj unë ruaj kujtime të veçanta për të si një profesionist pasionant në sportin e notit, por edhe një njeri fisnik me të cilin kam ndarë shumë bashkëpunime në stërvitje e gara noti. Niko Kurani mbetet një nga emrat “Ikonë” në notin shqiptar dhe koha i ka mbetur borxh për karrierën e tij brilante që i ka lënë sportit të notit në Shqipëri”.

MJESHTRI I MADH PETRIT GUMA

Niko Kurani, një mjeshtër i injektimit të pasionit për notin

Në ambientet familjare tek shtëpia e Mjeshtrit të Madh Petrit Guma, të krijohet ideja se kemi të bëjmë me një “federatë” noti të veteranëve shqiptarë në këtë sport. Aty vijnë shumë figura që kanë lënë gjurmë në këtë sport, ku në fundjavë rradhën e kishte Niko Kurani, për të cilin Titi u shpreh mes të tjerash se Niko ka qënë zanafilla e tij në sportin e notit. “Të gjithë ne që e kemi ushtruar notin si sport, themi se kemi bërë not me pasion, por zanafilla në arritjet e mia në këtë sport ishte pikërisht Niko Kurani. Ai na futi në gjak notin me modelet që në atë periudhë ashin të arrira. Për mua, Niko Kurani është mjeshtri i injektimit të pasionit në sportin e notit. Ndaj unë ia dedikoj atij një pjesë të mirë të karrierës sime në rezultatet e larta që kam arritur, por si unë ka shumë mjeshtra që ndjehen të tillë kur flasin për Niko Kuranin si notar dhe trajner te noti i Lokomotivës”.

CV Sportive NIKO KURANI

Datëlindja: 5 shtator 1940 Vendlindja: Durrës Vendbanimi: Durrës

Profesioni: Axhustator-Mjeshtër Sporti që ka ushtruar Notin.

Starti i karrierës në elitën e Notit: Në vitin 1957  Skuadra e parë elitare në karrierë: Puna-Durrës në vitin 1957 Stili i preferuar në gara: Stil i lirë dhe Delfin  Skuadra të tjera në karrierë: Puna Durrës, Lokomotiva Durrës dhe  Partizani Tiranë. Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1957, në 100 m Stil i Lirë dhe në 200 m Stil Delfin  Rekordi i parë kombëtar: Rekordmen me Fëmijët dhe të Rinjtë; Me të Rriturit e Lokomotivës në vitin 1962 në garën 100 m Stil Delfin, 200 m Stil i Lirë dhe 400 m Katërnotim  Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1973 në Kampionatin Kombëtar në Durrës, 100 m Stil Delfin  Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1962 në 100 m Stil i Lirë të Rritur.

Fitues në gara: Në periudhën 1962-1973 të gjitha garat në Kampionatet  Kombëtare dhe Kupa  Tituj e trofe si notar: Në periudhën 1962-1973 Kampion Kombëtar (Gjithmonë Kampion)  Karriera si trajner: Në vitet 1971-1993 me Lokomotivën dhe trajner i Ekipit Kombëtar Tituj e trofe si trajner: Në periudhën 1971-1993 fitues në Kampionate e Kupa me Fëmijët, Të Rinjtë dhe të Rriturit e Lokomotivës e Teutës, Durrës Vlerësime, tituj e dekorime: Mjeshtër Sporti, Mjeshtër i Merituar i Sportit, Qytetar Nderi i Durrësit  Aktualisht: Pensionist.

Niko Kurani, garues me brezin e artë të notit durrsak

Për periudhën kur garoi, Niko Kuranit i takoi me një brez të artë notarësh durrsakë, si Taq Dafa, Kastriot Karamuço, Agron Ismailati, Hilmi Kapllani, Sabri Kapexhiu, Sulejman Tufa, Meriban Kadiu, Eqerem Korra, etj. Ai ishte rekordmen absolut i garave të 100 e 200 m Stil i Lirë, dhe 400 m Katërnotim. Nuk i dilte kush përpara në vitet 1960-1970 dhe të gjithë e krahasojnë si një mbret i notit. Dhe tani që është në moshën 84-të vjeçare (në shtator), Niko noton deri në 1 km kur është stina, ndërkohë që kur nuk ka mundësi notimi, ecën gjatë. Gjithë kohën e shoqëron  me një regjim të rreptë sportiv. Respekte, sa më jetëgjatë KAMPION!