REALITET/ Erzeni endet për një “profe”, nuk po i gjendet emri, largohet edhe presidenti i vetshpallur
Agron Kaja
“Më duhet të pyes: Mund të na gjeni një trajner? E kam edhe përgjigjen: Rruga e tij drejt “Tofik Jashari”-t! Pse jo, ndoshta kështu edhe mund të shërbejmë për gjetjen e teknikut të ri për Erzenin.”
Kjo javë ndoshta do të mbetet si kryefjala e lëvizjeve në Abissnet Superiore, sepse edhe skuadra e Erzenit u zgjua nga letargjia pa përgatitje. Pasi në mesjavën e kaluar u prezantua Presidenti i ri i skuadrës, Ali Kasa, përpos mungesës së trajnerit dhe problemeve të tjera, ai u largua nga drejtimi i klubit duke e lënë skuadrën në baltë, ende pa e bërë sefte zyrtarisht. Ndërkohë, një tjetër prezantim e priste skuadrën shijakase, pasi ishte pranë gjetjes së trajnerit të ri. Por ende nuk e ka gjetur emrin e teknikut, që do ta ulë në bankinë për sezonin 2023-2024, edhe pse u lakuan emrat e Ernest Gjokës dhe të Mirel Josës. Aktualisht, skuadra e Erzenit është ndër të fundit që zyrtarisht nuk e ka nisur punën për sezonin e ri 2023-2024, të paktën me trajner të ri, dhe gjithçka duket se do të nisë pasi ta përcaktojë bankinën e re. Në sezonin e kaluar skuadra u drejtua nga Xhevair Kapllani, i cili u largua disa javë para se të mbyllej kampionati dhe drejtimin e skuadrës e morri Alfred Deliallisi. Në këtë vëzhgim është e lehtë të kuptohet se Erzeni po bën të njëjtin gabim si edhe në sezonin e kaluar, teksa organizimin e skuadrës e la për dy-tre javët para nisjes së kampionatit. Edhe këtë vit kështu po ndodh, ndoshta edhe më keq, sepse nuk kanë ende trajnerin e parë. Më duhet të pyes: Mund të na gjeni një trajner, rruga e tij drejt “Tofik Jashari”-t! Pse jo, ndoshta mundet që të shërbejmë për gjetjen e teknikut, sepse nga muaji maj që u mbyll sezoni i kaluar e deri në fundin e këtij korriku, nuk u gjet koha e mundësia, që problemet me skuadrën, e cila luan në elitën e futbollit shqiptar (Abissnet Superiore) të zgjidheshin. Mundet edhe të aludojmë se drejtimi aktual nuk është në rrugën e duhur, ndoshta nuk i bën përshtypje fakti që skuadra ende nuk e ka bërë organizimin për sezonin e ri, mendo pastaj përgatitjet që edhe ato janë të domosdoshme e vendimtare për ecurinë gjithvjetore të skuadrës. Dhe nëse do të shohim bankinat e skuadrave të tjera të Superiores, ato i kanë zgjidhur problemet me trajnerin. Pesë prej tyre i kanë rikonfirmuar nga sezoni i kaluar (Tirana, Egnatia, Laçi, Kukësi dhe Skënderbeu), ndërkohë që katër të tjera kanë sjellë emra të rinj në bankinat e tyre (Partizani, Vllaznia, Teuta dhe Dinamo). Ja pra që na mbetet vetëm Erzeni pa trajner. Ndërsa në Facebook, Erzeni Fan Club falenderon lojtarët që kanë zhvilluar përgatitje në këto ditë të nxehta korriku. Kjo vlen, por ka më shumë se kaq. Duhet në “profe” për bankinën.
MERKATO TE ERZENI
Largime (4): Adnard Mehmeti, Dejvid Kapllani, Elvis Kovaçi, Patrik Nonato.
Afrime (0): Nuk ka.
Në projekt (6): Kristi Joti, Huan Balanta, Patrik Fetaj, Laurenc Xheka, Olti Mehmeti, Edmond Hoxha.
TRAJNERËT NË SUPERIORE
Sezoni 2023 – 2024
Skuadra Trajneri Konfirm.
Partizani Z. Zekiç I ri
Tirana O. Shehi Rikonf.
Egnatia E. Tetova Rikonf.
Vllaznia M. Memelli I ri
Laçi S. Nica Rikonf.
Teuta D. Longo I ri
Kukësi Rr. Hallaçi Rikonf.
Erzeni ????????? Nuk ka
Skënderbeu I. Gvozden Rikonf.
Dinamo D. Mehmeti I Ri
Vendimi për “Euro 2032”, Italia e Turqia në garë

Janë dy shtete evropiane, që kanë paraqitur kërkesën për t’u luajtur në vendet e tyre Kampionati Europian “Euro 2032”. Edhe vetë UEFA e ka konfirmuar se ka marrë dy kërkesa: nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) dhe nga Federata Turke e Futbollit (FTF), për të mirëpritur Europianin e vitit 2032. Vendimi për vendin se ku do të zhvillohen “Euro 2028” dhe “Euro 2032” do të jepen më 10 tetor. Në vitin 2028, europiani pritet të zhvillohet në Angli, Skoci, Uells, Irlandën e Veriut dhe Republikën e Irlandës, ndërsa ai i vitit 2032 do vendoset midis Italisë dhe Turqisë.






















