Agron Kaja/ KAS në provën e drejtësisë së UEFA-s

471
Për historinë e Shqipërisë, data 10 korrik ka patur të veçantën e saj se ka qenë dita e krijimit të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, e cila për hir të realitetit e fitoi luftën me pushtuesit nazifashistë më 29 nëntor 1944. Ndërsa në vitin 2015 kjo datë përkon me një ngjarje kombëtare, por e sferës sportive. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në UEFA ka deklaruar se do të japë vendimin përfundimtar për trazirat që ndodhën në stadiumin e Beogradit më 14 tetor 2014 në ndeshjen eliminatore të Euro 2016, Serbi-Shqipëri. Për atë dhunë të paparë që u ushtrua ndaj futbollistëve tanë në fushën e lojës pas ndërprejes së saj prej dronit me Flamurin e Shqipërisë së Madhe, kjo gjykatë fillimisht e dënoi Shqipërinë me -3 pikë dhe 100 mijë euro gjobë, pse nuk hyri në fushën e lojës pasi u dhunua! Apelimi i këtij vendimi nga FSHF-ja bëri që kjo gjykatë ti thërriste mendjes dhe nga prilli në qershor, por UEFA me dy standardet e dyfytyrësisë së saj juridike e ka shtyrë marrjen e vendimit përfundimtar për më 10 korrik, datë kjo që do të shprehë se sa drejtësi bën një Gjykatë Sportive Evropiane. Këtu në gazetën “Telegraf” kemi shtruar një pyetje gjatë muajit prill të këtij viti, nëse UEFA është PRO apo KUNDËR dhunës, pas vendimit që i dha Rusisë tri pikët pas trazirave në ndeshjen me Malin e Zi. Ky ishte një rast me përmasa më të vogla se sa ai i Beogradit, por standardi juridik i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në UEFA e “ledhatoi” Rusinë, ndërsa po e mban “peng” Shqipërinë për 9 muaj. Në fakt, kjo periudhë kohore është e njohur si koha që një nënë qendron në shtatzani dhe më pas lind fëmijën, që për analogji, në 9 muajt pas ngjarjes së Beogradit, 14 tetor 2014 e deri në datën 10 korrik 2015, do të na “lindë” vendimi i vonuar i kësaj trupe gjyqësore sportive në futbollin europian. Çfarë mund të ndodhë më 10 korrik 2015? Edhe pse një përgjigje direkte do ta japin ata të KAS-it në Lozanë, këto radhë i përshkruajnë ngjarjet e ndodhura dhe ndëshkimet për pasojat e tyre shumë realisht, por ato nuk e fshehin anomalinë juridike (me apo pa dashje, me apo pa qëllim) të UEFA-s në standardet e saj fyese ndaj Shqipërisë. Për nga mënyrat e ndërprerjes, të dyja këto ndeshje kanë të përbashkëta, por kanë edhe një pikë ku padrejtësisht ndahen. E përbashkëta e parë është se në të dyja ndeshjet e ndërprera deri më sot, janë të përfshira dy skuadra të ish-Jugosllavisë me tifozeritë e tyre ultranacionaliste. E përbashkëta e dytë është se në të dyja këto ndeshje, objekt i dhunës dhe i ndërprerjes kanë qenë tifozët serbë e malazezë, pra këta ish-jugosllavë që kur ndeshen me skuadra të tjera, inferioritetin në fushë kërkojnë ta “balancojnë” me dhunë brenda e jashtë saj. Nga ana tjetër, në këtë logjikë sqaruese, për vendimin e Beogradit u bë shkak droni me flamurin shqiptar që fluturoi mbi fushën e lojës, ndërkohë që në Podgoricë shkak i ndërprerjes u bë dhuna e tifozëve vendas. Ky është dallimi qesharak për nga logjika juridike që UEFA ka përdorur për dy raste analoge në formë, por që në ekzekutimin e tyre kanë një ndryshim thelbësor për shkakun. Kësisoj UEFA ka dhënë vendimet e saj kontradiktore, realisht vetëm në dëm të Shqipërisë, dhe këtu dallon ndryshimi i tyre, që në titull e kam quajtur provë e drejtësisë së UEFA-s. Shqipëria nuk kishte pritshmëri për përgjigje pozitive më 17 prill e më 12 qershor, teksa KAS-i në Lozanë ka deklaruar se të premten e ardhshme më 10 korrik 2015 do ta mbyllë “telenovelën” e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Më shumë se një apel qytetar, të cilin ndoshta do ta bëjnë edhe kolegë të tjerë në mediat e tjera sportive, ose jo, në Shqipëri, një logjikë e thjeshtë duke e krahasuar vendimin e ndeshjes Mali Zi-Rusi, anon nga tri pikët e Shqipërisë. Dhe e fundit, si shqiptarë që e duam futbollin tonë kombëtar, duke e quajtur 10 korrikun si një datë historike me statusin pozitiv, le të shpresojmë që të premten Kombëtarja jonë e futbollit të ketë marrë përgjigjen normale juridike.
Vendimi i parë për Serbi-Shqipëri
Në vendimin e parë të dhënë në muajin nëntor 2015, KAS-i i UEFA-s dha një vendim sa të çuditshëm, aq edhe qesharak e të pabesueshëm për një trupë gjyqësore që bazohet në ligjshmëri. Serbisë ju njoh fitorja 3-0 ndaj Shqipërisë, por ju hoqën 3 pikë për trazirat që ndodhën pas minutës së 42-të kur ndeshja u ndërpre nga droni që fluturoi në stadium. Nga ana tjetër, çuditërisht Shqipëria u dënua me 100 mijë euro gjobë për dronin, njëherësh ndeshjen e humbi në tavolinë me rezultatin 3-0. Këtë padrejtësi që KAS-i e bëri fakt me vendimin e tij, FSHF-ja e apeloi dhe të premten pritet që drejtësia të vendoset realisht për atë çka ndodhi në stadiumin e Beogradit më 14 tetor 2014 në ndeshjen eliminatore të “Euro 2016” Serbi-Shqipëri.
Vendimi “urgjent” për Mali Zi-Rusi
Le të kujtojmë se vetëm 48 orë iu deshën KAS-it në Lozanë që të jepte vendimin për ngjarjet e dhunës në ndeshjen e Grupit G eliminator për “Euro 2016”, Mali i Zi-Rusi. Kështu, Rusia si pala e dëmtuar (absolutisht jo në përmasat e Kombëtares shqiptare në Beograd) i morri tri pikët në tavolionë, ndërkohë që Mali i Zi u penalizua me -3 pikë. Krahasimisht, një vendim i tillë duhej dhënë edhe për ndeshjen Serbi-Shqipëri, por gjithkush nga europianët e kthjellët që e ndjek futbollin e shtetit të tij, nga ky vendim kaq i shpejtë e ka nxjerrë një konkluzion paraprak për dy standardet e drejtësisë së UEFA-s. Dukshëm KAS-i tregoi me këtë vendim se i klasifikon shtetet anëtarë në UEFA si të vegjël e të mëdhenj, si potencial e më pak të tillë,
“EURO 2016”
RENDITJA/ GRUPI I
(Si është aktualisht)
Skuadrat Nd Pikë
1.Portugalia 5 12
2.Danimarka 5 10
3.Shqipëria 4 7
4.Serbia 5 1
5.Armenia 5 1
RENDITJA/ GRUPI I
(Si mund të ndryshojë)
Skuadrat Nd Pikë
1.Portugalia 5 12
2.Danimarka 5 10
3.Shqipëria 4 10
4.Serbia 5 1
5.Armenia 5 1
Ndeshjet e mbetura
4 shtator 2015/ 20:45
Danimarkë-Shqipëri 
7 shtator 2015/ 20:45
Shqipëri-Portugali
8 tetor 2015/ 20:45
Shqipëri-Serbi
11 tetor 2015/ 18:00
Armeni-Shqipëri
Sigal