Agron Kaja: FSHF-ja në “fazë përgatitore” me mediat

534
VEPRIMTARIA/ Institucioni i futbollit nuk “ndalet” me eventet, dje në bashkëbisedim me një grup gazetarësh sportivë iu kërkoi mangësitë, Duka i falënderon për ndihmën e bashkëpunimin
Në këtë periudhë dimërore të këtij fillimviti pa futboll zyrtar, FSHF-ja po bën të veçantën me veprimtaritë që ka organizuar. Kështu ka ndodhur, sepse pas takimit të një dite më parë për emancipimin e stadiumeve tona të futbollit, dje FSHF-ja ka organizuar një tjetër tryezë bashkëbiseduese me gazetarët sportivë, por jo të gjithë. Sipas vetë Presidentit të kësaj federate, zotit Armand Duka, këto janë takime me grupe të veçanta që synojnë më shumë “përplasjen” e mendimeve për të eliminuar sa do pak nga ato mangësi që futbolli reflektoi gjatë vitit kalendarik 2016. Por jo vetë, sepse për FSHF-në, viti i kaluar mbetet i suksesshëm. “Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, ju them se ndjehemi të respektuar me pjesëmarrjen tuaj sot në këtë takim, të cilin ne kemi gjykuar që ta organizojmë me disa grupe gazetarësh. Qëllimi ynë është që të marrim prej jush sa më shumë mendime dhe ide, që ta përsosim punën tonë në vazhdimësi, natyrisht duke kërkuar prej jush më shumë kritika për atë që nuk kemi bërë mirë, sepse për anën tjetër flet vetë realiteti”, kështu e çeli këtë takim Presidenti i FSHF-së, i cili më pas me stilin e tij të zakonshëm komunikues, i çiltër dhe i afërt me të gjithë e “dorëzoi” mikrofonin në tryezë. Por, pa ja dhënë linjën pjesëmarrësve që kishte ftuar, sepse Duka njëherësh uroi edhe për vitin 2017, që sipas tij, në këto 20 ditë të janarit, duket i ftohtë si mot, por i “nxehtë” në këndvështrimin e punëve që në institucionin që ai drejton janë duke u bërë. “Edhe pse ne jemi në 20 ditët e para të vitit 2017, në emër të FSHF-së do t’ju uroja edhe ju të mediave, më shumë suksese në punën tuaj. Ne kemi një rrugë të përbashkët që është futbolli, por duke bërë secili punën e tij, mendoj se kemi ndihmuar njeri-tjetrin për ta përsosur sa më shumë këtë sport magjik”. Duke e quajtur këtë periudhë pa aktivitet zyrtar në futbollin shqiptar si një “fazë përgatitore”, Presidenti i FSHF-së kërkoi nga të gjithë pjesëmarrësit jo vetëm momentet e mira, por më shumë aty ku media mendon se duhet përmirësuar më shumë puna në organizimin e futbollit në të gjitha kategoritë dhe nivelet. “Duke qenë një sport popullor, natyrisht që futbolli të imponon më shumë punë e përkushtim. Sinqerisht ju them se, prej jush presim më shumë mendime e vërejtje, për ato që ju shikoni se nuk janë bërë mirë prej nesh, dhe këtu veç detyrës që keni, do të kërkoja edhe një bashkëpunim më të afërt për ndryshim pozitiv. Kjo është një periudhë pa futboll zyrtar, e ne kështu duket sikur po zhvillojmë një “fazë përgatitore”, por në këndvështrimet e detyrave që kryejmë, me mendimin e mirë se gjithçka që i shërben punës të përsoset në vazhdimësi”. Hapësira e mendimeve në këtë tryezë ishte e madhe, por edhe konkrete, gjatë së cilës Armand Duka “nuk la radhë” pa dhënë përgjigje. Kështu ishte edhe kritika për mosnjohjen e kampionateve të kohës së Luftës 1938-1944. “Me miratimin e Asamblesë, FSHF-ja ngriti një grup pune për këtë problem. Në federatë nuk ka arkiva për kampionatet kombëtare që janë zhvilluar para luftës, pra nuk ka asgjë zyrtare që të vërtetojë se në periudhën 1938-1944, zyrtarisht është luajtur futboll në Shqipëri. Ne nuk e dimë se kush ka qenë organizator i aktivitetit, edhe pse është thënë se u luajt edhe nën mbikëqyrjen e italianëve apo edhe të skuadrave nga shteti fqinj”, theksoi në vazhdimësi Presidenti Duka, për ta mbyllur me humorin e tij, se: “Nuk vazhdojmë dot më tej me këto forma bashkëbiseduese, sepse nuk kemi buxhet kaq të madh”. Këndvështrimet e gazetarëve të pranishëm në këtë tryezë, sollën mendime e sugjerime, sa historike, aq edhe aktuale për futbollin shqiptar, por edhe mbresa e kujtime nga puna e tyre në marrëdhëniet me futbollin.
Somario
Duke qenë një sport popullor, natyrisht që futbolli të imponon shumë punë e përkushtim. Sinqerisht ju them se, prej jush presim mendime e vërejtje, për ato që ju shikoni, se nuk janë bërë mirë prej nesh dhe këtu veç detyrës që keni, do të kërkoja edhe një bashkëpunim më të afërt për ndryshim pozitiv. Kjo është një periudhë pa futboll zyrtar, e ne kështu duket sikur po zhvillojmë një “fazë përgatitore”, por në këndvështrimet e detyrave që kryejmë
SEKRETARI I FSHSF-së
Ilir Shulku: Këndvështrimet tuaja, objekt për punën tonë
Duke qenë i pranishëm në tryezën bashkëbiseduese me gazetarët sportivë, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, e quajti këtë veprimtari të organizuar nga institucioni kua ai drejton, si një nga format më direkte për përsosjen e punëve me futbollin. “Të tilla takime, mendoj se na ndihmojnë shumë në punë tonë në FSHF. Ne mediat i konsiderojmë si një “pushtet” në futboll, dhe gjithçka që prej tyre serviret në shërbim të futbollit, natyrisht që bëhet objekt i punës sonë në vazhdimësi”. Por, sipas Shulkut, nuk mund të pretendohet që pas këtyre formave bashkëbiseduese, problematika që e shoqëron futbollin që nga krijimi i tij, do të marrë fund. “Nuk mund të pretendojmë se e gjithë problematika që po bisedojmë sot, apo gjithçka që ka futbolli, do të mbyllen. Ne jemi të ndërgjegjshëm se këto janë problem që përsosen në vazhdimësi, por asnjëherë nuk janë mbyllur që nga krijimi i futbollit e deri më sot. Në programin afatshkurtër, të punës sonë, gradualiteti në zbutjen e problemeve është prioritar”. 
KATEGORIA SUPERIORE
Zyrtarizohen datat e ndeshjeve për fazën e tretë
Ndërkohë që zhvillohej veprimtaria me gazetarët sportivë, në faqen zyrtare të FSHF-së doli kalendari i plotë i fazës së tretë të Kategorisë Superiore. Duke qenë se nisja u shty një javë për shkak të motit të keq, dje u zyrtarizuan datat e zhvillimit të ndeshjeve nga java e 19-të e deri te java e 26-të. Kështu, java e 26-të, që është e parafundit për fazën e tretë të Superiores, do të luhet më 17 mars, ndërsa më pas kampionati do të ndërpritet për t’ua lënë vendin ndeshjeve të Kombëtares. E vetmja dilemë mbetet stadiumi ku do t’i luajë Korabi takimet si skuadër pritëse. Aktualisht, stadiumi i Peshkopisë është duke u rikonstruktuar dhe pritet të jetë gati për duelin e 28 janarit përballë Laçit, megjithatë ende nuk është zyrtare që ekipi dibran do të luajë këtu në vazhdimësi. Gjithashtu është përcaktuar edhe programi i plotë i përballjeve për raundin e 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë, ndeshjet e të cilit do të luhen më 1 dhe 15 shkurt.
KATEGORIA SUPERIORE
RENDITJA/ JAVA E 18-të
Skuadrat Nd Pikë
1.Kukësi 18 36
2.Partizani 18 35
3.Skënderbeu 18 32
4.Tirana 18 27
5.Luftëtari 18 22
6.Vllaznia 18 21
7.Flamurtari 18 17
8.Teuta 18 16
9.Laçi 18 14
10.Korabi 18 11
NDESHJET/ JAVA E 19-të
Datë 27 janar 2017
Vllaznia-Kukësi 18:00
Datë 28 janar 2017
Korabi-Laçi 14:00
Skënderbe-Flamurtari 14:00
Teuta-Tirana 17:00
Datë 29 janar 2017
Luftëtari- Partizani 14:00
Sigal