Agron KAJA/ Federatë e Peshëngritjes, apo federatë e stanozololit?!

499
Sigal

SKANDALI/ Plasin “bombat me doping” në zyrat e peshëngritjes shqiptare: S’ka kontroll mjekësor e disiplinë sportive

Kampionët tanë të peshëngritjes janë të dopuar! Kështu po shohim, po dëgjojmë dhe po lexojmë me keqardhjen më të madhe, jo vetëm si shqiptarë që dopingun e kemi fenomen të importuar, por edhe në këndvështrimin qytetar të mirëdashjes sportive. Pas shpalljes Kampione e Botës së Romela Begës në Kampionatin Botëror të Kazakistanit, si shqiptarë jemi ndjerë krenarë që kemi edhe një femër e cila kap majat botërore të peshëngritjes, por kur nga Federata Botërore e Peshëngritjes kjo sportiste rezultoi pozitive në testin e parë anti-doping, ndoshta menduam se deri këtu do të ishte e keqja, duke pritur testin B që Romela të pastrohej nga ky “virus”. Por kjo nuk ishte e thënë kështu, pasi ditë më vonë një bombë tjetër me doping plas në zyrat e peshëngritjes shqiptare. Edhe peshëngritësi Hysen Pulaku na qenka i infektuar pikërisht si Romela, por Pulaku këtë e kishte dopingun e dytë që përdor, pas atij të Lojërave Olimpike “Londër 2012”. Ndërkohë që, pa u shuar mirë habia për Pulakun, një bombë atomike e quajtur “Hiroshima Godelli”, bie nga horizonti në sfondin gri të medalistëve botërorë. Edhe Kampioni i dyfishtë i Botës, Daniel Godelli ka përdorur substancën e ndaluar stanozolol gjatë garave në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Almati të Kazakistanit. Dhe këtu habia merr fund e menjëherë hyn në funksion logjika për radhën e këtyre sportistëve që përdorin substanca të ndaluara, që në këtë rast është stanozololi, sepse kështu peshëngritja shqiptare po përjeton skandalin më të madh në historinë e saj. Në harkun kohor të vitit 2014, janë 4 peshëngritës që konstatohen me përdorim dopingu: Arbër Çerçizi, Romela Begaj, Hysen Pulaku e Daniel Godelli (pa marrë përgjigjen e testit B anti-doping). Gjithsesi, ky është një skandal kur një peshëngritës Kampion Bote rezulton që atë ta ketë fituar nën efektin e substancave të ndaluara. Goditje e rëndë kjo edhe për Shqipërinë sportive, e cila në dy muajt e fundit ka qenë e dyzuar mes dhunës e dënimeve disiplinore të pamerituara. Jo vetëm peshëngritësit, por edhe vetë Federata  Shqiptare e Peshëngritjes rrezikon përjashtimin, në rast se edhe pas testit B saktësohet versioni pozitiv. Vetëm një deklaratë që shpreh shqetësimin e saj për rezultatet e përdorimit të dopingut, nuk është qëndrim që të bën të besosh se kjo federatë e ka bërë punën e saj dhe është duke i mbështetur këta peshëngritës deri në testin B. Edhe më i rëndë bëhet ky skandal, kur dihet se është një Komision Anti-Doping që merr 20 mijë dollarë për funksionimin e tij, por që deri tani, ky më mirë është të thuhet Komisioni Pro-Doping. Kjo është e njëjtë si të thuash se një mjek që paguhet si i tillë, nuk di apo nuk do të vizitojë pacientët që në dukje japin imazhin e të pa sëmurit. Ndërkohë, shtetarët që i pritën kampionët në aeroport, natyrisht që nuk e kanë ditur se ata kanë qenë të infektuar, por nëse ata do të kishin krijuar kushtet më minimale të kontrollit antidoping, të stërvitshmërisë së kontrolluar dhe me disiplinë të lartë, kjo do të ishte gjëja e parë që këta shtetarë të kishin bërë në shërbim të këtyre kampionëve që javë më parë kapën majat botërore me rezultatet që arritën. Njëherësh, gjatë këtyre muajve të fundit kur janë zhvilluar gara të nivelit botëror dhe evropian të peshëngritjes, është vënë re se  kur ka mundësi mediatike, nga drejtuesit e FSHP-së bëhet ç’ është e mundur për t’u shfaqur në ekrane e në mediat e ndryshme herë si trajnerë dhe herë si ish, apo edhe si nostalgjikë të shtangës, ndërkohë që prapa tyre vjen historia tronditëse e dopingut. Por, që më parë se t’i fuste në garë këta peshëngritës, kjo federatë duhet që t’i fuste këta në kontrollin anti-doping, këtë ndoshta nuk e kanë menduar si detyrë primare. Dhe këtë nuk e kanë bërë mirë, ose nuk e kanë bërë fare, përderisa Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes i nxjerr këta peshëngritës pozitivë. Kësisoj, pse duhet të kemi të tillë njerëz që të turpërojnë kur nuk bëjnë detyrën? Dorëheqje e të gjithë drejtuesve e trajnerëve të peshëngritjes që lidhen me sportistët me doping, duhet të jetë akti qytetar më i parë që duhet bërë prej tyre, ndërkohë që, pas një ndjese kombëtare, një revolucion anti-doping duhet ndërmarrë nga shteti shqiptar, i cili ka përgjegjësinë e tij në këtë skandal. Na turpëruat çuna e goca (pas testit B)!

Çfarë është substanca e stanozololit

Kjo substancë, stanozololi, ndihmon në rritjen e masës muskulore, shtimin e rruazave të kuqe në gjak dhe forcimin e kockave. Përdorimi i kësaj substance klinikisht te njerëzit lejohet që prej vitit 1962, ndërkohë që prej vitit 1974 Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (CIO) e ka vlerësuar atë si një substancë të ndaluar për sportistët. Ky lloj dopingu nuk është një risi në botën e sportit, pasi në të kaluarën shumë sportistë kanë paguar pasojat e përdorimit të tij