Agron Kaja & Eduart Zhupa/ Presionet dhe dhuna nuk luftohen vetëm me deklarata! Po Liga Profesioniste, “gjallë” është pas kërcënimit të gjyqtarëve?! Ja skaneri i futbollit

93
Sigal

INTERVISTA/ Ish-futbollisti e trajneri i Dinamos, Eduard Zhupa, skanon futbollin shqiptar

Të gjitha skuadrat janë në alertin e synimeve

 Në Abissnet Superiore nisi faza e fundit e këtij kampionati, si e shikoni renditjen pas javës së 29-të?

Normalisht, Tirana dhe Partizani janë dy skuadrat që kanë ecur mirë dhe mendoj se njëra nga të dyja del kampione. Kalendari sa vjen dhe i vështirëson situatat për të gjitha skuadrat, e besoj se do ketë luftë në dy kahjet e renditjes.

Në këtë javë ndeshja Kastrioti-Bylis nuk u zhvillua pasi ishin kërcënuar arbitrat, çfarë “diçiture” i vendosni këtij rasti?

Besoj se të tilla raste nuk janë teknike për të folur si specialist, sepse janë juridike. Duhet të mësohet shkaku në rrugë ligjore për të dhënë një mendim të plotë. Të tilla raste nuk kanë ndodhur ndonjëherë edhe në Botë!

Përveç këtij rasti, çfarë veçoni më shumë në 28 javët e Superiores me 140 ndeshje të luajtura?

Edhe pse ka të tilla raste, mendoj se nga java në javë gara po bëhet më interesante. Nisur nga renditja në 28 javë, skuadrat janë ngjeshur shumë dhe mendoj se nga java në javë do të ketë surpriza, në krye e në fund.

Mund të themi se kjo renditje është në logjikën e ndeshjeve?

Patjetër që kështu është. Skuadrat kanë atë renditje në bazë të performancës së tyre në ndeshjet e luajtura. Ndërkohë që Partizani ka gjendje më të mirë nga skuadrat e tjera, pasi lojtarët e bankinës i ka shumë cilësorë, por ka edhe një stol të sigurtë.

Si e mendoni vazhdimësinë e tetë javëve të mbetura, do të ketë ndryshime në të dy kahjet e renditjes?

Çdo gjë mund të ndodhë nga kreu në fundin e renditjes. Por është pozitive dhe e bën interesante garën fakti se, për momentin nuk dihet kush do ta fitojë titullin kampion dhe kush do të zbresë direkt një kategori më poshtë.

Nga ndeshjet e javës së 29-të, cilën prej tyre e veçoni si më interesante, apo të vështirë?

Nisur nga kalendari i kësaj jave dhe synimet që kanë skuadrat, mund të thuhet se të gjitha ndeshjet janë të vështira. Por, Tirana-Egnatia, Laçi-Partizani dhe Kukësi-Vllaznia do të jenë tre kryendeshjet e kësaj jave. Edhe ndeshjet e tjera janë interesante.

Kategoria e Parë i luajti ndeshjet e javës së 22-të me një skuadër të përjashtuar nga gara, si e shikoni vazhdimësinë në katër javët e mbetura?

Duket një javë me ndeshje të forta. Natyrisht që tre kryesueset do ta kenë më të vështirë, edhe pse Skënderbeu e Dinamo luajnë në fushat e tyre. Asnjëra prej tyre nuk e ka të sigurtë rrugën drejt titullit, sikundër edhe për skuadrat në fundin e renditjes.

Nisur nga kjo renditje, ku mendoni se do të bëhet lufta më e madhe në 24 ndeshjet e mbetura?

Nisur nga formula që ka Kategoria e Parë dhe nga synimet e skuadrave, i vendosin të gjitha ato në gjendje “alerti”. Përjashtimi i Tërbunit nuk e ka lehtësuar garën për Luzin, Burrelin, Lushnjen e Turbinën. Edhe këtu do ketë surpriza.

 

          

 Skuadrat kanë atë renditje në bazë të performancës së tyre në ndeshjet e luajtura. Ndërkohë që Partizani ka gjendje më të mirë nga skuadrat e tjera, pasi lojtarët e bankinës i ka shumë cilësorë, por ka edhe një stol të sigurtë

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java e 29-të

Datë 15 prill 2023

Bylis-Teuta                              15:00

Erzeni-Kastrioti                       18:00

Datë 16 prill 2023

Laçi-Partizani              15:00

Kukësi-Vllaznia                      15:00

Tirana-Egnatia             18:00

Renditja

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Tirana                       28        50

2.Partizani                   28        48

3.Egnatia                     28        42

4.Vllaznia                    28        41

5.Erzeni                       28        37

8.Laçi                          28        36

6.Kukësi                      28        35

7.Teuta                        28        34

9.Bylis             27        29

10.Kastrioti                 27        28

Shënim: Ndeshja Kastrioti-Bylis

nuk u zhvillua, pasi u kërcënuan

me jetë arbitrat e kësaj sfide.

Kategoria e parë

Java e 23-të

Datë 15 prill 2023

Burreli-Flamurtari                   15:00

Skënderbeu-Korabi     15:00

Oriku-Turbina             15:00

Dinamo-Besa              15:00

Tomori-Apolonia                     15:00

Besëlidhja-Luzi2008   15:00

Renditja

Skuadrat                    Nd       Pikë

1.Skënderbeu  22        42

2.Dinamo                    22        41

3.Flamurtari                 22        39

4.Korabi                      22        35

5.Tomori                      22        33

6.Besa             22        31

7.Apolonia                  22        31

8.Luzi 2008                 22        29

9.Burreli                      22        26

10.Lushnja                  22        25

11.Turbina                   22        23

12.Oriku                      22        21

13.Besëlidhja  22        17

Shënim: Tërbuni është

përjashtuar nga gara me

vendim të Komisionit

të Displinës në FSHF

Kategoria e parë

Ivan Gvozdenoviç: Gara është e fortë për Skënderbeun.

Barazimi 0-0 me Flamurtarin në javën e kaluar, ka qenë një rezultat i mirë për trajnerin e Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç. Korça është e lumtur sipas tij me ecurinë e skuadrës dhe ai është optimist për vazhdimësinë në katër javët e mbetura. “Edhe unë, por edhe Korça jemi të lumtur për skuadrën. E mora drejtimin e Skënderbeut kur ishte 7 pikë larg kreut dhe sot kryesojmë, e kjo tregon se nga java në javë skuadra është përmirësuar. Barazimi në Vlorë na mbajti në kreun e renditjes dhe 1 pikë larg Dinamos”, kështu deklaroi dje për “Telegraf” trajneri i skuadrës korçare, ndërkohë që në llogaritë e tij duhet që të merren 12 pikët e mundshme deri në fundin e kampionatit. “Ne i kemi katër ndeshjet e radhës shumë të vështira, por i synojmë 12 pikët deri në fund. Gara është e fortë dhe Skënderbeu do ta përballojë si kryesues edhe sfidën e radhës ndaj Korabit, një nga skuadrat e forta të këtij sezoni në Kategorinë e Parë”.

Verdiktet e sezonit 2022-2023

-Skuadrat e renditura në vendin e parë dhe të dytë do të ngjiten automatikisht në Abissnet  Superiore.

-Skuadrat e renditura nga vendi i 3-të deri në të 6-të do të luajnë “play off” për të përcaktuar skuadrën që do të luajë me ekipin e vendit të 8-të në Superiore.

-Skuadrat e renditura në vendin e 11-të, 12-të, 13-të dhe 14-të do të zbresin direkt në Kategorinë e Dytë.

-Skuadrat e renditura në vendin e 9- të dhe 10-të do të luajnë ndeshje finale “play out” me ekipet fituese të “play off”-it të Kategorisë së Dytë, Grupi A dhe B.

 

 Speciale/ Kërcënimi për eliminim fizik të arbitrave, shëmtia e futbollit me probleme

Deklarata e FSHF për ndeshjen Kastrioti-Bylis       

“FSHF dëshiron të informojë komunitetin e futbollit dhe opinionin publik se ndeshja Kastrioti-Bylis, e vlefshme për javën e 28-të të Abissnet Superiore, e planifikuar për t’u zhvilluar më datë 9 prill 2023, do të zhvillohet të mërkurën e datës 19 prill në stadiumin Elbasan Arena duke filluar nga ora 15:00. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur me zyrtarët e ndeshjes. Hetimet janë duke vazhduar dhe në të njëjtën kohë presim që gjithҫka të sqarohet sa më parë në mënyrë që gara të vazhdojë normalisht deri në fund. Klubi Kastrioti do t’i luajë të gjitha ndeshjet e mbetura deri në fund të sezonit në stadiumin “Elbasan Arena” për shkak se stadiumi “Kamza” nuk merret përsipër nga Policia e Shtetit”.

 Presionet dhe dhuna nuk luftohen vetëm me deklarata!

Kërcënime dhe tentativa për manipulime, kjo ka qenë kryefjala e disa prej sfidave të javëve të kaluara në Abissnet Superiore dhe në Kategorinë e Parë. Sepse ka disa javë, që ndeshje të veçanta në futbollin shqiptar janë luajtur nën efektin e dhunës, para e pas zhvillimit të tyre. Pas ngjarjeve në Pukë gjatë ndeshjes Tërbuni-Turbina në javën e 21-të të Kategorisë së Parë, një tjetër rast dhune erdhi në Abissnet Superiore, por në një version tjetër, në atë të kërcënimit. Edhe këtë herë inati ishte me arbitrat, para zhvillimit të ndeshjes Kastrioti-Bylis. Çfarë ndodhi? E fundit është se në FSHF e pranojnë që kanë marrë telefonata edhe drejtues të këtij institucioni. Gjithnjë me të njëjtin pretendim: “…Thuaju arbitrave ta mbajnë mirë, ose…”! Kjo është “kërkesa” që u është bërë drejtuesve në FSHF, një paralajmërim që ka edhe dy anë të medaljes. Së pari ka versionin e keq të kërcënimit në kryerjen e detyrës, e së dyti ka edhe vendin që e kanë bërë vetë këta arbitra me performancën që kanë treguar në ndeshje të veçanta, në të dyja këto kategori të futbollit shqiptar.

Për të rikujtuar se, në takimin Kastrioti-Laçi në minutën e 88-të të ndeshjes, kurbinasve iu anulua një gol i dyshimtë. Kjo solli polemika dhe pas një kundërsulmi krutanët shënuan golin e fitores dhe morrën tre pikët. Ndoshta drejtuesit laçianë mund të kërkojnë fitoren në tavolinë, sepse edhe vetë federata në deklaratën e saj e ka pranuar se ndeshja ka qenë e trukuar. Por FSHF-ja deri dje nuk ka mbajtur asnjë qëndrim ligjor rreth kësaj situate! Ndërkohë që në Kategorinë e Parë, në fundin e takimit Tërbuni-Turbina, arbitri u ndje i kërcënuar nga vendasit dhe e mbylli ndeshjen pa u luajtur disa minuta zyrtare, plus shtesat. E treta e vërteta erdhi si një paralajmërim i fuqishëm, dhe përpos ndëshkimit që duhet dhënë, tregon se arbitrat edhe pse janë ndjerrë vazhdimisht të kërcënuar dhe të frikësuar, nuk i kanë raportuar rastet në trupat gjykuese të FSHF-së. “… Të gjendur në këtë situatë, FSHF bën me dije se do të presë deri në fund zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme (para ndeshjes Kastrioti-Bylis), dhe më pas do të marrë vendimet e duhura për të siguruar ambientin e sigurt në panoramën futbollistike shqiptare”. Kështu e “mbyll” FSHF-ja fletën e parë të problemit.

Por jo, nuk luftohet presioni, dhuna dhe manipulimet vetëm me deklarata. Këto janë format më të lehta kur nuk ke kurajon dhe forcën e duhur për t’i goditur. Kur ke ligjet në fuqi që i ndëshkojnë këto fenomene, çfarë duhet deklarata?!

Gjithçka e thënë në këto radhë, a nuk duken si shëmtia e një topkëmbe me probleme? Natyrisht që po. E tashmë topi duhet të kalojë në portën e ligjit, dhe kjo do edhe pak kurajo të nderuar arbitra, jo të friksoheni dhe të fshiheni. Juve po i “gatuani” problemet në fushë, dhe ju po kërcënoheni brenda e jashtë saj. Ai që del i humbur natyrisht që është futbolli, janë tifozeritë dhe zbehja e garës që po i drejtohet fundit të sezonit.

Nëse këto situata nuk do zgjidhen sipas rregulloreve e ligjeve, do na çojnë në situatat e futbollit në vitin 1997. Kërcënimi për eliminim fizik arbitrave, shëmtia e futbollit me probleme!

 Nuk luftohet presioni, dhuna dhe manipulimet vetëm me deklarata. Këto janë format më të lehta kur nuk ke kurajon dhe forcën e duhur për t’i goditur ligjërisht. Kur ke ligjet në fuqi, që i ndëshkojnë këto fenomene, çfarë duhet deklarata?!

 Ndodhitë në dy javë

Në Kategorinë e Parë

Datë 1 prill 2023

Tërbuni-Turbina 1-1

Në minutën e 67-të Metani ndërhyn ashpër ndaj Vatës, i cili mori një të çarë në fytyrë dhe 13 të qepura. Në minutën e 92-të goditet anësori Xhulio Mani dhe pas konsultës me kryesorin Stolaj, ndeshja u ndërpre kur duhej të luheshin edhe 7 minuta. Tërbuni përjashtohet nga gara.

Në Abissnet Superiore

Datë 9 prill 2023

Kastrioti Laçi 2-1

Federata pranoi zyrtarisht se ndeshja Kastrioti-Laçi është manipuluar, pasi sipas saj arbitri ka anuluar një gol të rregullt të kurbinasve në minutën e 88- të i detyruar nga kërcënimet me jetë. Në kushte të tilla, Laçi pra që e humbi këtë ndeshje 2-1, i lind e drejta të kërkojë fitoren në tavolinë.

Datë 10 prill 2023

Kastrioti-Bylis ???

Gjyqtari Juxhin Xhaja, i cili ishte caktuar për të drejtuar ndeshjen Kastrioti-Bylis u kërcënua me jetë dhe menjëherë bëri kallëzimin në polici. Por kërcënuesit nuk kanë ndaluar aty, ata kanë telefonuar drejtuesve të arbitrave në FSHF: “… Thuaju arbitrave ta mbajnë mirë, ose…”.

Po Liga Profesioniste, “gjallë” është?!

Pas skandalit të fundit me kërcënimin e arbitrit Juxhin Xhaja, shumëkush ka pritur që edhe një nga strukturat më të mëdha të futbollit shqiptar, Liga Profesioniste, të tregohej e tillë. Po ku është kjo ligë, a ekziston realisht? Nëse po, pse nuk flet, nëse jo, pse nuk e thonë! Ndoshta kjo heshtje e saj do të tregojë se de facto nuk ekziston, dhe nëse do të jetë kështu, kjo do të jetë një tjetër humbje gjatë rrugës në futbollin shqiptar. Gjithsesi, edhe si “kofini pas të vjelit” të del emri. Trego se ekziston.