Agron Kaja: Albert Mustafaraj, notari elegant që vështirë se do përsëritet

70
Sigal

PROFIL/ Notari vlonjat i Flamurtarit dhe i Partizanit, vjen me aromën e katërnotuesit absolut. Neglizhenca nuk i dha mundësinë e një garuesi europian

 

Nga Agron KAJA

Agron Kaja

Duke qënë një ish-notar i elitës, si e mbani mënd një shkrim, një emision apo një kronikë sportive që është folur për ju?

Unë nga natyra nuk jam shumë i afruar meditikisht, por kujtoj se kam dhënë dy intervista në Radio Tirana me gazetarin Ahmet Shqarri në vitin 1977. Ndërkohë që  shkrime në gazetën “Sporti Popullor” ka patur pas çdo gare, bashkë me foto.

Ju keni qënë vetëm notar, apo jeni marrë edhe me sporte të tjerë në ushtrim e trajning?

Jo jo, unë në karrierën time sportive jam marrë vetëm me notin, sepse në kohën kur unë garoja në not, nuk bëja dy sporte. Ishin të rrallë ata njerëz që bënin dy sporte, por në Vlorë sporti notit ishte më tërheqës dhe popullor.

E keni ndjerrë veten si pjesë e notarëve që kanë ditur të notojnë dhe të garojnë si kampionë?

Unë gjatë gjithë kohës që kam garuar, jam munduar të isha notar i nivelit të mirë. Kam garuar në disa stile, me bazë Katërnotim dhe trajnerët, shokët, miqtë dhe drejtuesat më kanë thënë se kam garuar bukur, dhe me cilësi.

Kur ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, në cilën moshë dhe si i kujtoni rrethanat?

Unë kam nisur të garoj me fëmijët në ekipin e pionierëve të Butrintit, në moshën 11 vjeçare. Ka qënë një kohë e bukur, sepse Saranda e kishte sport elitar notin. Na trajtonin me vlerësim shumë të madh. Do thoja se gjithë fëmijët në Sarandë notin preferonin.

Po karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur dhe si ka nisur?

Ekipi i parë në elitën e Notit Shqiptar ka qënë Flamurtari. Kam garuan në garën 4X50 m Katërnotim, në garat 100 m dhe 200 m Stil i Lirë, por kam garuar edhe stilin Shpinë. Ka nisur dhe u mbyll me Flamurtarin, dy vite edhe me Partizanin.

Garën e parë në karrierë, apo rekordin e parë që keni thyer, si e kujtoni?

Me të Rriturit kam garuar në Kampionatin Kombëtar në Durrës, në Katërnotim, si dhe në 100 dhe 200 m Stil i Lirë, në 50 m Shpinë me Pionierët në vitin 1973 në Sarandë. Kam rivalizuar në Shpinë me notarin shkodran Tonin Radovani, dhe me sarandiotin Vladimir Xhelili.

Cili ka qënë trajneri juaj i parë, a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?

Kujtoj Eduart Mehmetin, një nga trajnerët më të mirë për moshat e reja. Patjetër që ai mbeti një shëmbull në karrierën time, por edhe si personalitet, një mësues i edukimit fizik në Sarandë. Një seleksioner i shkëlqyer për moshat e vogla.

Ju keni garuar kryesisht në garën 4X50 m Katërnotim, cilët ishin rivalët në gara apo edhe në thyerjen e rekordeve kombëtare?

Rival në garën 4X50 m kisha Ilir Mehmetin dhe Ilir Meçen e Butrintit. Ne kur garonim, vetëm në finale ishim 8 konkurrentë. Në rekordet kombëtare unë ia mora Ilir Meçes, dhe mua ma thyeu rekordin Edmond Mema i Dinamos. Brënda një gare.

Keni garuar në pishinë, në det të hapur, apo në maratonë, ku e keni patur më të lehtë?

Më të lehtë e kisha garimin në pishinë, sepse deti ka edhe dallgë. Kujtoj që në Maratonë 7 km dhe më pas 10 km, kam fituar maratonën e parë kombëtare në Vlorë, me itinerar nga Turizmi në Skelë deri te Kalaja, vajtje-ardhje. Kur garonim në Maratonë lyheshim me graso në trup që të mos digjeshim në trup, nuk kishim kremra.

Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notar, dhe cilët ishin ekipet që përfaqësuat?

Nga viti 1973 që nisa garimin me të Rriturit, e mbylla në vitin 1985. Por në vitin 1986 më thirrën në një garë stafete ku unë hyra pa stërvitje. E nisa si pionier te Butrinti, vazhdona me Flamurtarin dhe dy vite isha ushtar me Partizanin.

Sa mbahet mënd në memorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notar i elitës?

Gara e fundit për mua ka qënë në ditën e inagurimit të pishinës në Vlorë, në vitin 1985. Kam garuar në stafetë 4X100 m, si edhe në garat 100 dhe 200 m Stil i Lirë. Këto gara i kujtoj me nostalgji, sepse ishte një mbyllje me sukses e karrierës.

Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit?

Në Vlorë, kushtet tona të përgatitjes dhe garimit në ujë, nuk i kishim të mira. Ndërsa në palestër kishim kushte shumë të mira, kryesisht gjatë stinës së dimirit ku bëhej përgatitja dimërore. Nuk ishte infrastrukturë gjithëstinore, vetëm në stinën e verës.

Kolegë e trajnerë janë shprehur se ju nuk përgatiteshit maksimalisht, pse kështu?

Unë gjatë gjithë karrierës sime nuk kam patur vlerësim maksimal. Të gjithë më thonin se nëse do ta rrisja vlerësimin, do kisha rezultate më të larta, kryesisht në katërnotim, ku stilet i kisha perfekt.

Ju garonit me kampionë si Skardilajd Shyti, sa ju nxiste ai në stërvitje dhe gara?

Ne Skardilajdin e kishim si shëmbull në stërvitje dhe gara. Unë jam shprehur shpesh dhe po e përsëris: Kur themi Skardilajdi, nënkuptojmë Notin, dhe kur themi Notin, nënkuptojmë Skardilajdin. Besoj se kjo thënie e ka kuptimin.

Pasi jeni larguar nga aktiviteti, e ndiqni ritmikën e garave të notit në Shqipëri?

Po po, madje që në lënien time dhe sot, e kam “mikrob” të keq. Në televizor më shumë ndjek notin, ndërsa në gara nuk kam qënë shumë shpesh, sepse kushtet e biznesit nuk më lejojnë angazhim. Gjithsesi, noti mbetet sporti numr një për mua.

E keni dëshirën, apo mundësinë, që ende ju të garoni, apo të trajnoni një ekip noti?

Unë kam bërë garë edhe dy vite më parë në Kupën “Ilir Gjebrea”. Ndërsa si trajner,  asnjëherë nuk e kam patur mundësinë, më shumë për efekt kohe, pasi biznesi privat më ka larguar fizikisht, por jo shpirtërisht.

Në këto vite dhe në këtë moshë, me se merreni sot ju Albert Mustafaraj?

E përmënda më sipër. Unë kam shumë vite që i jam përkushtuar biznesit tim privat dhe aty e gjej veten non stop. Nuk neglizhoj edhe familjen, argëtimin e sportin e notit. Takimet me kolegë të sportit të notit më sjellin kënaqësi.

Ka disa vite që funksionon SHKVN në Shqipëri, sa vlerë ka kjo për ju veteranët e Notit?

Kam qënë disa herë në takimet me Shoqatës së Veteranëve të Notit, madje edhe në gara. Veç të tjerave, kjo Shoqatë na sjell shumë kujtime, e besoj se Sadik Mema me të ndjerin Tan Mezini, na lumturonin kur na mblidhnin.

Infrastruktura e notit në Vlorë

Kushte sot në Vlorë për notin janë mizerabël! Nuk ka një pishinë, pasi edhe ajo e vjetra është shkatërruar. Na kanë thënë se do ta rikonstruktojnë dhe do bëjnë një pishinë të re 50 m, më modern, por vetëm premtime

Tomor Dano

Sikur 50% të stërvitjes sime të bënte, Berti do kapte nivele europiane

Ish-kampioni Tomor Dano e kujton me respekt Albert Mustafarajn, si një notar i talentuar, të tillë edhe sot. “Robert Mustafaraj ishte një nga talentet e notit shqiptar. Dy talente të rralla  kishte Shqipëria kishte në atë kohë: Edmond Mema dhe Albert Mustafaraj. Kam  shumë për të kujtuar në ecurinë tonë të garave, dhe do veçoj një rast kur në 100 m Stil Shpinë, Berti e thyeu rekordin, më pas ia thyeu Skardilajdi, dhe po atë ditë unë ja u thyeva të dyve rekordin kombëtar. Për mua Berti ka notuar bukur. Sikur të bënte 50% të stërvitjes sime, do ishte një notar të niveleve europiane. Për Bertin kam mendimin si një “gjenial” në not. Ai edhe sot notin e do shumë ka qënë një notar i kompletuar. Drejtuesit e kanë harruar ta shpërblenin me një titull sportiv që ai e ka merituar. Hyn te notarë të mëdhenj”.

Në kujtesën e katërnotuesit kampion

1

Në vitin 1978 u përfol se do mblidhej ekipi kombëtar për një Ballkaniadë. Kampionati u zhvillua në Elbasan, ndërsa më pas në Durrës pashë që në Kombëtare ishte grumbulluar notari i vëndit të tretë. Unë në garën e Katërnotimit isha shumë para në distancë, rivalët i lija metra larg. Edhe në Durrës, por kombëtarja nuk u grumbullua për në Ballkaniadë në Greqi.

 

2

Pas lënies së sportit, nuk kam patur ndonjë gjë interesante, thjesht e lashë dhe më pëlqente më shumë që të shikoja gara, kryesisht në Vlorë. Kam shkuar shpesh për të parë gara noti, në kampionatet në Durrës e Tiranë. Më dukej shumë keq, në kuptimin e masivitetit dhe cilësisë, sepse pas vitit 1990 kishte nisur shthurrja. Tani ka angazhim, por infrastruktura është ende e dobët.

 

KONSIDERATA DHE VLERËSIME NGA KOLEGË

 

SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH

Mendoj se Berti hyn tek notarët e shquar të historisë së notit shqiptar

Nisiatori i përgatitjes së Profileve për ish-notarë kampionë e rekordmenë në notin shqiptar, Mjeshtri i Madh Sadik Mema, ka vlerësime të veçanta edhe për Albert Mustafarajn, si një ish-notar elite. Në këndvështrimin e tij, Berti mbetet një notar shumë elegant dhe teknik, që vështirë se do përsëritet në notin shqiptar. “Berti Mustafaraj kishte një trup me përmasa antropometrike të nivelit olimpik, shtatlartë dhe muskuloz. Mendoj se ai hyn tek notarët e shquar të historisë së notit shqiptar, ka thyer rekorde kombëtare për të rinj e të rriutur në katër notim, në stilin e lirë, në shpinë dhe në stafetat rekord të ekipit të Flamurtarit, kryesisht në stilin e lirë. Berti është pjestar i një plejade notarësh të famshëm të Flamurtarit, si Skardilajd Shyti, Tomor Dano, Veni Bode, Hysni Troqe e shumë të tjerë, por edhe si ekipi i femrave që dilte kampion për vite me radhë. Alberti ka qënë antar i ekipit kombëtar në tërësinë e karrierës së tij mbetet një notar shumë elegant, teknik që vështirë se do përsëritet në notin shqiptar. Por, ai ishte dhe mbetet edhe një shok, mik e njeri i mirë”.

 

ILIRJAN KRESHPA, TRAJNER

Berti ishte një notar neglizhent, por super i talentuar

Trajneri pasionant i notit në Vlorë, Ilirjan Kreshpa, e ka të “vështirë” që me të komunikosh në emrin e tij të vërtetë. Dhe duke folur me emrin “Liro”, ai flet më lirshëm dhe prej tij mëson shumë nga historia e notit vlonjat, dhe atij kombëtar. Ndërkohë, konsideratat e tij për Albert Mustafarajn ishin të një trajneri, prindi dhe shoku. Liro edhe sot e quan Bertin si një nga notarët më të mirë në historinë e notit shqiptar, që pot ë kishte më shumë përgatitje, do kishte nivele më të larta garimi. “Unë flas me respekt për Albert Mustafarajn, si notar dhe si njeri i mirë. Berti erdhi nga Saranda në Vlorë kur ishte13 vjeç, pasi kishte garuar me pionierët e Butrintit. E kujtoj me nostalgji gjithë karrierën e tij, sepse ishte shumë i talentuar, një kampion i vërtetë. Garonte në katër stilet, ishte shumë i shpejtë në Stilin e Lirë dhe në Shpinë. Pra, ai ishte një notar shumë dimensional dhe super i talentuar. Nëse nuk do ishte neglizhent në stërvitje, rezultatet e tij do ishin shumë më të larta. Gjithsesi, nga unë rrjedhin fjalët më të bukura për Bertin notar”.

 

CV Sportive / ALBERT MUSTAFARAJ

Datëlindja: 25 qershor 1961 Vendlindja: Sarandë Vendbanimi: Vlorë

Arsimi: Të mesmen Profesioni: Drejtues mjeti motorrik Sporti i ushtruar: Not.  Starti i karrierës: Kujtoj vitin 1972 me Pionerët e Butrintit.

Starti në elitë: Në vitin 1974 Skuadra e parë elitare në karrierë: Në vitin 1974 me Flamurtarin Stili i preferuar në gara: Stil Shpinë, Katërnotim. Skuadra të tjera në karrierë: Butrinti 1971-1974, Flamurtari 1974-1985 dhe Partizani 1980-1982  Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1973 në Spartakiadën Kombëtare, me të Rinjtë dhe të Rriturit në të gjitha garat  Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1973, 50 m Shpinë  Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1986 në pishinën në Vlorë Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1979 në në Katërnotim 4X50 m  Fitues në gara: Gara Katërnotim 4X50 m, si dhe në 100 dhe 200 m Stil i Lirë Tituj e trofe si notar: Mjeshtër Sporti, Kampion në çdo garë që mori pjesë Aktualisht: Aktivitet privat

 

Rekordmeni i heshtur, me të dhëna europiane

Duke përgatitur profilin e ish-notarit kampion Albert Mustafaraj, më tërhoqi vëmëndjen jo vetëm CV-ja e tij e pasur, por edhe vlerësimet që kishin për të kolegë e trajnerë. Duke ju referuar vetëm thënieve të tyre, qartazi duket se kemi të bëjmë me një personalitet të notit shqiptar ndër vite. Sepse kur deklaron trajneri Ilirjan Kreshpa, se: “Nëse nuk do ishte neglizhent në stërvitje, rezultatet e tij do ishin shumë më të larta ”, atëhere kuptohet qartë se Mustafaraj ishte një nga talentet e notit shqiptar të kohës. Dhe kur i referohesh Mjeshtrit të Madh Sadik Mema, se: “…Berti Mustafaraj kishte një trup me përmasa antropometrike të nivelit olimpik…”, vërtetojmë titullin e këtij profili, se: “Alberti, notari elegant që vështirë se do përsëritet”. Me këto deklarime, por edhe duke e përshtatur me retrospektivën e viteve, në këto rradhë mbetemi te ideja se Albert Mustafaraj është një “Kampion i heshtur” i Notit shqiptar.