Agim Çiraku: Vlerësimi i vlerave nuk humbet kurrë, tashmë noti funksionon gjatë gjithë vitit

569
Nga Agron MEMA
VEPRIMTARIA/ Promovohet libri i Xhoxhi Vasilit “Mozaik noti në Sarandë”, Bashkia, KOKSH-i e FSHN-ja e vlerësojnë si “Kartë identiteti”
Përtej një promovimi libri
Të jesh në një kuvend sportistësh dhe për më tepër të sportistëve rekordmenë, është një kënaqësi e brendashkruar me sensibilitet nostalgjik. Kjo ka ndodhur në promovimin e librit të studiuesit sportiv Xhorxhi Vasili: “Mozaik noti në Sarandë”. Një takim përmallues mes atyre legjendave që bënë histori në sportin e notit. Përqafime e përlotje, vëllazërim që po ta kishin politikanët, sa mirë do ishim. Noti i Sarandës, me rekorde dhe suksese, tani ka një kartë identiteti të tijën, falë studimit disavjeçar të Xhorxhi Vasilit. Tek i sheh që puthen e përqafohen të përmalluar, jashtë ç’do xhelozie, bëhesh vetë xheloz, se si ka mundësi që këta rivalë në vite, sot përqafojnë njëri-tjetrin, duke i dhënë një plotkupueshmëri garës: ajo ka vlerë vetëm kur garon. Nuk ke si të mos ndjesh emocion në përjetim të momenteve të tilla, dhe kur këto ti krijon mjedisi i lokal “LINDI” me Genc Sulo e Blerina Sejko, dy pinjollë të familjeve notare të Sarandës. Madje Genc Sulo, vet notar, është nip i të madhit Agim Sulo, sportisti që solli për herë të parë titullin “Mjeshtër Sporti” në Sarandë, por edhe Blerina, bashkëshortja e Gencit, është e bija e notarit Alush Sejko, i cili është nderuar me certifikatën e FSHN-së. Jo vetëm kaq . Këtyre dy bashkëshortëve u takon falënderimi, sepse nuk kursehen kurrë për vendosjen e ambienteve të tyre për aktivitete në shërbim të përkujtimit dhe retrospektivës historike. Në këtë takim morën pjesë shumë personalitete sportive të notit, që nga presidenti KOKSH-it, por vlerësimi më i madh ka ardhur nga pjesëmarrja dhe fjala e presidentit të FSHN-së, zotit Agim Çiraku. Një fotomontazh i duarartit Aranit Balani, ka sjellë tek të pranishmit një panoramë historike të notit të Sarandës. Një përshëndetje entuziaste e presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar, gjithashtu i ka dhënë vlera takimit, ndërsa Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, ka deklaruar se tashmë me ritmikën e zhvillimeve, në notin shqiptar nuk ka stinë të kushtëzuara. “Tashmë noti funksionon gjatë gjithë vitit, dhe për këtë përpiqemi edhe për Sarandën, në bashkëpunim me kryebashkiaken Florjana Koka, dhe kjo marrëveshje do të ketë një reflektim konkret. Noti është në sport masiv dhe garimi lidh brezat, ky është edhe një vlerësim për studiuesin Xhorxhi Vasili”, kështu deklaroi Presidenti i notit shqiptar, Agim Çiraku, i cili më pas ka nënvizuar se ka biseduar me autorin e librit, zotin Vasili, për të gjitha peripecitë e tij në këtë produkt që sjell sot. “Mendoj se, përtej marketingut, noti shqiptar me këtë botim nuk ka humbje. Dhe për mua si President, nuk e kuptoj detyrën time vetëm tek zhvillimi i veprimtarive, sepse do ishim të mangët në lidhjen e ngushtë të trashëgimisë. Si Federatë, ne do të stimulojmë nisma dhe realizime të tilla”. Ndërkohë, Presidenti Çiraku ka shpërndarë edhe certifikata mirënjohëse në emër të FNSH-së, për notarët që kanë bërë emër në historinë e notit të Sarandës dhe Shqipërisë, si ata që jetojnë, dhe për të tjerë pas vdekjes. Ndërsa Kryebashkiakja e Sarandës, Floriana Koka, e vlerësuar nga FSHN-ja për ndihmesën e sajë në drejtim të sportit, e sidomos të notit, ka falënderuar autorin Xhoxhi Vasili dhe Presidentin Çiraku. “Në emër të bashkisë, ju falënderoj ju zoti Çiraku, si President i FSHN-së dhe nga kjo veprimtari ju premtoj, se do të ketë investime në drejtim të notit”. Nga ana e tij, autori i librit “Mozaik noti në Sarandë”, Xhorxhi Vasili ka përshëndetur, pas shpërndarjes së certifikatave vlerësuese të FSHN-së, Bashkisë dhe KS”Butrinti”, për personazhet kotribuese të notit që i lartësuan emrin Sarandës dhe Shqipërisë. Të bësh histori dhe të mbetesh në histori! 
Përtej marketingut, noti shqiptar me këtë botim nuk ka humbje. Dhe për mua si President, nuk e kuptoj detyrën time vetëm tek zhvillimi i veprimtarive, sepse do ishim të mangët në lidhjen e ngushtë të trashëgimisë


Sigal