Agim Çiraku: Veprimtaria “Noti nderon Kampionët”, starti i një viti për vazhdimësinë e progresit

548
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, ja synimet për vitin 2018 dhe emocionet e veprimtarisë sot me veteranët
Jemi në fillimin e vitit 2018, për të freskuar kujtesën e lexuesit, si ishte viti 2017 për sportin e notit në Shqipëri?
Për ne si federatë, viti 2017 ka qenë një nga më të suksesshmit në dhjet vitet e fundit. Jo vetëm se në programin vjetor kemi pasur shumë veprimtari kombëtare e Mbarëkombëtare, por se në të gjitha garat e këtij viti kishte thyerje të shumta të rekordeve kombëtarë.

Në programin e vitit të kaluar, kishit shumë veprimtari kombëtare, është kjo pjesë e progresit që ka bërë ky sport?
Natyrisht që programet dhe platformat në FSHN janë të orientuara nga progresi. Vetë rezultatet që janë arritur në veprimtaritë që u zhvilluan gjatë vitit të kaluar, dhe në ato ndërkombëtare ku kemi marrë pjesë me notarët tanë, progresi është evident.

Në të gjitha veprimtaritë e vitit 2017 (Kombëtare e Ndërkombëtare), notarët shqiptarë kanë thyer e përmirësuar shumë rekorde kombëtarë, çfarë tregon më shumë kjo dukuri për ju si President i FSHN-së?
Në pozicionin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, unë së pari ndjehem mirë që kam fatin të punoj me njerëz që e duan sportin e notit, që punojnë me shumë përkushtim. Edhe federata ka qenë më pranë këtyre veprimtarive, duke mos i lënë ato thjesht si evente argëtuese.

Për sa kohë që ju e drejtoni FSHN-në si President, e veçoni vitin 2017 si më të suksesshmin?
Duke qenë se ne në federatë sukseset i kemi quajtur sportivisht pjesë të punës e të detyrimeve tona në sportin e notit, vit pas viti kemi pasur shumë rritje. Si viti i kaluar, me ato rekorde kombëtare, ndoshta është i drejtë konstatimi juaj se ishte vërtet nga më të suksesshmit.

Kur do ta bëjë “sefte” noti për vitin 2018 me veprimtarinë e parë?
Në programin vjetor të FSHN-së, kemi planifikuar si veprimtarinë e parë Kampionatin Kombëtar të Fëmijëve, që do të zhvillohet në pishinën 25 m të Resortit “Te Stela”. Por nesër (sot), AN “Te Stela”, në bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Notit, organizojnë një veprimtari ku historia dhe realiteti do të bëhen bashkë në pishinë.

Çfarë synoni më shumë në këtë event “Noti nderon kampionët”, po bashkoni historinë e notit me aktualitetin e tij?
Jo vetëm kaq. Sepse është e domosdoshme që të kemi veprimtari të tilla. Ato kanë vlera të dyfishta, edhe na sjellin historinë në pishinë, por njëherësh u japin më të rinjve më shumë motiv për rezultate të larta. Në këtë veprimtari, AN “Te Stela” dhe trajneri Sadik Mema, kanë falënderimet më të mira nga federata dhe komuniteti i notit.

Nga AN “Te Stela”, është menduar që një pjesë e gjyqtarisë të përbëhet nga kampionë aktualë, meshkuj e femra, cili është mesazhi i kësaj nisme?
Kjo është edhe e veçanta që kanë menduar drejtuesit e AN “te Stela” për këtë event, pasi gjatë garave që do të zhvillojnë veteranët, një pjesë e gjyqtarisë do të jetë me kampionë dhe kampione aktualë. Besoj se mesazhi i kësaj nisme është i qartë, në shërbim të psikologjisë së progresit në sportin e bukur të notit.

Veç veprimtarisë me Shoqatën e Veteranëve, do të keni ndonjë organizim tjetër gjatë kësaj dite, zyrtarisht e para për notin shqiptar në vitin 2018?
Ne i shfrytëzojmë të gjitha veprimtaritë, edhe për të bashkuar mendime dhe ide me trajnerë e gjyqtarë. Gjatë muajit të kaluar i kemi zhvilluar të gjitha takimet zyrtare, për gjithçka që na takon ne si federatë për vitin 2018. Nesër (sot), do të ndërthuret historia me realitetin.

Nisur nga programi që ju keni miratuar si federatë e notit shqiptar, për këtë vit do të ketë risi të tjera, veç atyre të vitit të kaluar?
Ndryshime në programin e vitit 2018 nuk do të ketë shumë, por do të veçoj se, do të kemi përsëri një Kampionat Mbarëkombëtar në muajin qershor në pishinë 50 m, si edhe një Takim Mbarëkombëtar në pishinë 25 m. Por, të gjitha veprimtaritë e tjera zyrtare do të zhvillohen periodikisht edhe këtë vit.

Për vitin 2018, cilat janë synimet e FSHN-së, në të gjithë treguesit e saj?
Synimet e FSHN-së janë shumë të qarta, kërkojmë vazhdimësi në progresin që kemi arritur vit pas viti. Dhe veprimtaria “Noti nderon Kampionët”, mendoj se do të jetë starti i një viti për vazhdimësi e progresit në të gjithë treguesit e këtij sporti.
Ne i shfrytëzojmë të gjitha veprimtaritë, edhe për të bashkuar mendime dhe ide me trajnerë e gjyqtarë. Gjatë muajit të kaluar i kemi zhvilluar të gjitha takimet zyrtare, për gjithçka që na takon ne si federatë për vitin 2018. Nesër (sot), do të ndërthuret historia me realitetin
AN “Te Stela”, institucioni i notit shqiptar
Natyrisht që ky nuk është vetëm një konstatim për këto radhë, por realitet i bazuar në gjithë ritmikën e veprimtarive dhe proceseve stërvitore që AN “Te Stela” zhvillon në çdo vit sportiv. Në këtë Resort me dy pishina dimërore të përmasave 25 m, përgatiten 60-70 notarë garues në çdo veprimtari kombëtare, ka rekordmenë që garojnë me sukses edhe në veprimtaritë ndërkombëtare, të gjitha këto edhe në sajë të kujdesit që tregojnë drejtuesit e këtij resorti, në veçanti zoti Stefan Pinguli. Për ta mbyllur me atë që duhet përmendur në fillim, Kryetrajnerin Sadik Mema, sikundër e shohim çdo ditë, duket se ai në sfidë me moshën, i ka falur gjithçka pishinës.
2 Ndërkombëtarë
Në kalendarin sportiv të FSHN-së për vitin 2018, është planifikuar të zhvillohet një Takim Ndërkombëtar në pishinë 50 m, dhe një në pishinë 25 m
KALENDARI SPORTIV 2018

AKTIVITETET KOMBËTARE
1. Kampionati Kombëtar Dimëror i Fëmijëve në pishinë 25 m, 17-18 mars 2018.
2. Kampionati Kombëtar Dimëror për të Rinj, të Rritur dhe veteranë në pishinë 25 m, 21-22 prill 2018.
3. Takim Ndërkombëtar i Notit në pishinën 50 m, 8-10 qershor 2018 në Durrës.
4. Kampionati Kombëtar i Fëmijëve në pishinën 50 m, 27-28 qershor 2018.
5. Kampionati Kombëtar i të Rinjve, të Rritur e veteranë në pishinën 50 m, 12-13 korrik 2018.
6. Kupa e Shqipërisë, 1-2 shtator 2018.
7. Maratona Kombëtare, 9 shtator 2018.
8. Takim Mbarëkombëtar i Notit në pishinën 25 m, 22-23 dhjetor 2018.
AKTIVITETET NDËRKOMBËTARE
1. Herceg Novi Meeting, 16-18 shkurt 2018.
2. Kampionati Ballkanik i Notit, 5-6 maj 2018 (Meshkuj-datëlindja 2000 e 2001, Femrat-datëlindja 2001 e 2002)
3. COMEN Swimming CUP, 16-17 qershor 2018 në Qipro (Meshkujt 14-15 vjeç, Femrat 13-14 vjeç).
4. Kongresi i federatës Evropiane të Notit (LEN), 2 qershor 2018 në Romë, Itali.
5. Lojërat Mesdhetare “Tarragona 2018”, 22 qershor – 1 korrik 2018.
6. Kampionati Evropian për të Rinj, 4-8 korrik 2018, Helsinki në Finlandë.
7. Kampionati Evropian “OPEN”, 3-12 gusht 2018 në Gllazgou, Skoci.
8. Lojërat Olimpike Rinore, 6-18 tetor 2018, në Buenos Aires, Argjentinë.
9. Kampionati i 14-të Botëror i Notit në pishinë 25 m, 308 dhjetor 2018, në Hangzhou, Kinë.
Sigal