Agim Çiraku, Presidenti i Notit Shqiptar: Noti nuk do të falimentojë, përtej vështirsive notarët do të kryejnë të gjitha aktivitetet

609
Sigal

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit në një intervistë për notin shqiptar në kushtet e pandemisë së Koronavirusit tregon dhe problemet e mbijetesës si biznes. Por nuk e diskuton mbijetesën e këtij sporti mbi bazën e pasionit.

Çiraku: Noti nuk do të falimentojë

I pari i sporteve të ujit në vend, përtej vështirësive, garanton kryerjen e të gjitha aktiviteteve, si ato verore, por dhe dimërore. Përtej kushteve të munguara të stërvitjes, Çiraku është i bindur se notarët do të japin më të mirën e tyre

Nga Gjergj  Vyshka

Noti shqiptar duket se është sporti më i goditur në vend nga pandemia Koronavirus. Jo thjeshtë për shkak të shtyrjes së garave dimërore, por sepse notarët nuk janë si sportistët e tjerë që mund të bëjnë stërvitje në shtëpi. Sepse u duhet pishina. Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, tregon për gazetën “Telegraf” se si ka ndikuar kjo pandemi tek ky sporti. Tanimë është fjala për të shpëtuar garat verore, që në kalendar parashikojnë kampionatin kombëtar të fëmijëve, kampionati kombëtar të të rriturve dhe të rinjve, Kupën e Shqipërisë për të rritur, si dhe turneun mbarëkombëtar të Durrësit. Çiraku tregon se nuk do të ketë thjeshtim të aktiviteteve. Madje edhe ato dimërore, të shtyra deri më tani, do të zhvillohen në një kohë të dytë për të realizuar të plotë kalendarin e vitit 2020. Një anë tjetër është forma e sportistëve, ndërsa i pari i notit shqiptar është i bindur se rezultatet nuk do të jenë në pritshmëritë e viteve të kaluara. Megjithatë… Pandemia e koronavirusit përveç distancimit do të sjellë dhe mungesën e shtrëngimit të duarve mes fituesve, apo dhe përqafimet në rast suksesi. E Çiraku, me dëshirë, apo pa dëshirë, shpjegon se noti është i detyruar t’i bindet këtyre rregullave. Kuptohet që nuk do të jetë në shkallën e indiferentizmit, por të ruajtjes së sportistëve nga njëri-tjetri. Noti nuk është vetëm sport, por dhe biznes në kushtet kur pishinat janë pjesë e resorteve, apo dhe hoteleve të mëdha. Madje një pjesë e mirë e klubeve dhe shoqatave, anëtare të Federatës Shqiptare të Notit, janë dhe private. Por Çiraku nuk e përmend fjalën falimentim. Përkundrazi. “Si të gjitha sportet e tjera, edhe sporti i notit do të ekzistojë e do të mbijetojë”, shpreh bindjen e tij presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku.

 

 Si ka ndikuar pandemia e Koronavirusit tek noti shqiptar?

 Pandemia që ka zënë gjithë Shqipërinë dhe mbarë botën natyrisht që ashtu si dhe në biznes ka ndikimin e vet edhe në sport, ndërsa i ka lënë pasojat e veta. Dhe pasojat e veta në sport janë në dy fusha: në fushën e stërvitjes së individëve. Sportistët, në veçanti ato të notit, kanë një veçori sepse duan pishinën për stërvitje patjetër. Dhe në këtë periudhë ato nuk stërviten dhe nuk kanë asnjë mundësi të vogël për t’u stërvitur individualisht. Dhe e dyta janë anuluar të gjitha aktivitetet që kemi pasur të programuara, si ato kombëtare, ashtu dhe ndërkombëtare. Janë anuluar të gjitha të paktën deri në fund të qershorit sipas njoftimeve që na janë bërë si nga organizmat ndërkombëtarë, ashtu dhe nga aktivitetet që kemi brenda për brenda, të cilat janë pezulluar me vendim të Këshillit të Ministrave.

Tanimë garat dimërore janë anuluar dhe teorikisht mbetet ato verore që nga Kampionati i fëmijëve, Kampionati i të rinjve dhe të rriturve, Kupa e Shqipërisë për të rritur, apo dhe turneu mbarëkombëtar që bëni si zakonisht në Durrës.

Do të ketë ndonjë thjeshtim të kalendarit të këtyre aktiviteteve?

 Ne kemi bërë disa mbledhje me kryesinë e Federatës Shqiptare të Notit dhe kemi vendosur parimisht që të mos i anulojmë të gjitha aktivitetet kombëtare që kemi pasur në dimër, por t’i shtyjmë në kohë. Ne do të mundohemi që të gjitha aktivitetet që kemi pasur gjatë dimrit t’i bëjmë pas korrikut e gushtit deri në fund të dhjetorit. Do të mundohemi ta realizojmë atë kalendar sportiv, që ne e kemi miratuar si Federatë, apo që natyrisht është miratuar edhe nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ndërkohë po tek veprimtaritë verore do të ketë prekje?

 Verore nuk diskutohet që do të bëhen dhe ato janë në periudhën korrik dhe gusht të paktën edhe sipas njoftimeve të paktën deri sot, aktivitetet do të hapen në korrik dhe gusht. Jemi në pritje të një njoftimi të dytë, por besoj se do të hapen në korrik e gusht. Ato nuk diskutohen që do të bëhen, por dhe aktivitete të tjera të cilat ne i kishim për periudhën e dimrit do t’i lëmë në tetor-nëntor-dhjetor. Do t’i zhvillojmë. Me aq mundësi sa kemi, por do të mundohemi t’i zhvillojmë të gjitha.

Mungesa e stërvitjes ndikon në formën sportive. Aq më tepër që ju e theksuat vetë mungesën e pishinës. Atëherë cilësisht rezultatet do të jenë nën pritshmëritë e juaja?

 Teorikisht sportistët nuk do të jenë në formën e mirë, pra atë që ne kemi pritshmëri, sepse u bënë gati dy muaj, që ata nuk stërviten dot në pishina. Praktikisht atë do na e tregojnë garat kombëtare, që do të zhvillohen në korrik e gusht. Do të shohim se çfarë rezultatesh do të japin, por është pak e vështirë, sepse ata e kanë humbur kontaktin me ujin. Sporti i notit, ashtu sikurse e thash në fillim të intervistës, ka një veçori, që duhet të jetë vazhdimisht në kontakt me ujin. Dhe sportistët tanë këtë kontakt e kanë humbur. Sportet e tjera ndoshta e kanë mundësi të stërviten në palestra të vogla, nëpër shtëpi. Kurse noti do patjetër pishinë, gjë e cila është e bllokuar në këtë periudhë.

Këmbëngulet shumë në distacimin social. Por në sport është ai shtrëngimi i duarve kur je fitues, apo kur vjen një fitore, shoqëruar me përqafim. Do ta heqi sporti si gjest?

Besoj se disa kufizime nga kjo gjendje që kalon vendi ynë edhe mund të hiqen…

… si do të ruhet distancimi në not?

 Distancimi është i thjeshtë, ndërsa do të mbahet 1 metër e gjysëm sikurse është, apo sikurse ka vendosur Organizata Botërore e Shëndetit, apo dhe strukturat mjekësore në Shqipëri. Problemi është se çfarë do të bëhet me shtrëngimin e duarve, apo gjestet e tjera. Unë besoj që në shumë veprime, që kanë gjeste miqësore në sport, apo shtrëngime duarsh, do të ketë kufizime për aq kohë sa ky virus do të jetë zhdukur. Dhe pastaj me të parë e me të bërë…

 Atëherë do të jemi indiferentë edhe në sport?

 Kam përshtypjen se, po e përsëris disa herë, disa gjëra do të kufizohen. Nuk do të jetë indiferentizëm, por do të jetë ruajtje. Do të ruhen sportistët nga njëri-tjetri, nuk do të jetë ai afirmitet, kolektivitet ajo dashamirësi siç kanë pasur sportistët, apo siç është shquar sporti në përgjithësi për këto veçori. Do të ketë pak distancim dhe kjo është normale në këtë situatë që ne po kalojmë.

Noti në vetvete është biznes. Pishinat pjesë e resorteve, apo hoteleve. Bashkë me hotelet e turizmit, humbet dhe noti si biznes?

 Normal që humbet edhe noti si biznes. Ne përveç klubeve, që mbështeten nga Bashkitë, janë dhe shoqatat private, të cilat ata normal që mbahen me stërvitjet, notarët, pishinat. Normal që edhe këto si të gjitha bizneset do të kenë humbjet e tyre. Edhe shoqatat e notit do të kenë humbjet e tyre.

Së fundi, mundet deri në firo apo të mosekzistencës?

 Nuk e besoj, sepse sporti i notit, mbi të gjitha, është pasion. Duke qenë edhe pasioni brenda nuk besoj se sporti i notit do të falimentojë. Nuk bëhet fjalë për falimentim, bëhet fjalë për një tkurrje të vogël që normalisht do të jetë, sepse edhe prindërit do të kenë meraqet e veta për t’i çuar nëpër pishina, apo në stërvitje të ndryshme. Por do të ekzistojë. Kjo si të gjitha sportet e tjera, edhe sporti i notit do të ekzistojë e do të mbijetojë.