A do të bëjë Kukësi “bingo” në “Selman Stërmasi”?!

576
Agron KAJA
Të dielën, për javën e 21-të të Kategorisë Superiore do të luhet në Tiranë një nga ndeshjet më të përfolura, Tirana-Kukësi. Mund të quhet edhe e trukuar pas përfundimit të saj, mund të kemi edhe një lënie të “bukur” nga bardheblutë, kjo mbetet për t’u parë, por ajo çka e bën të trilltë këtë ndeshje është fakti se, synimet e të dyja këtyre skuadrave janë të kundërta. Kukësi kërkon titullin e parë Kampion, pasi kryeson renditjen në 20 javë me 4 pikë para dy ndjekësve: Partizani e Skënderbeu, ndërsa Tirana kërkon fitimin e Kupës së Shqipërisë, ku në gjysmëfinale ka përballë pikërisht skuadrën kuksiane. Por, dyshimin e rezultatit të kësaj ndeshjeje e shton edhe deklarimi i trajnerit të Kukësit, Ernest Gjoka, i cili ditë më parë i ka hequr “kapakun” shishes së shampanjës. Duke e quajtur këtë një ndeshje për leverdi për të dyja skuadrat, Gjoka me finesë bëri llogaritë e pastra, port ë komplikuara, sipas tij. Pra, era doli nga shishja, edhe pse Gjoka ka deklaruar se në këtë sfidë ndikim do të kenë edhe tifozët, por kjo aleancë më shumë rëndon mbi Partizanin, skuadra kryeqytetase që ka “pushtuar” stadiumin “Selman Stërmasi”, të quajtur pronë e skuadrës së Tiranës, edhe pse ajo është pronë bashkiake, me përqindje menaxhimi më të lartë nga klubi bardheblu, pa harruar atë kontratën “triangolare” Halili-Veliaj-Demi. Pra, Kukësi në këtë ndeshje do të bëjë bingon e kryesimit, pa përfillur çdo rezultat që Partizani mund të marrë ndaj Teutës në Durrës, apo Skënderbeu në Korçë ndaj Laçit. “Nuk mund të sakrifikojmë në çdo kompeticion”, ka qenë kjo një pjesë e deklaratës së Anesti Gjokës në TVSH, e cila e ka “zbardhur” në distancë atë çka mund të ndodhë të shtunën në ora 17:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Natyrisht që kompromiset kanë qenë pjesë e çdo loje, në të gjitha fushat e jetës e të veprimtarisë njerëzore, por në këtë situatë të futbollit, ato më shumë shkojnë në logjikën e trukimit. Kukësit i duhet një trofe për këtë sezon, dhe kur llogaria e Gjokës bëhet live (me gjithë se me nënkuptim të hollë), na mbetet të themi se kjo është një “bingo” që do të luhet në “ruletën” e “Selman Stërmasit”. Por kujdes, se Partizanit e Skënderbeut ndoshta do t’u duhet që ta “survejojnë” këtë ndeshje, pasi, nëse ndodh kështu, ata janë të dëmtuarit e parë. 
Sigal