41 vjeçar por nuk di të heqë dorë, Ibrahimoviç: Vuaj kur nuk jam në fushë, sa më i vjetër aq më i mirë jam

116
Sigal

Milan vazhdon të kryesojë tabelën e klasifikimit në Seria A, teksa është shumë afër të ngrejë lart Scudetton.

Një nga lojtarët e kuqezinjve, Zlatan Ibrahimovic, është i përqendruar për të rikthyer kuqezinjtë te ky trofe pas 11 vitesh. Edhe në herën e fundit, Milani u shpall kampion i Italisë po me Ibrahimovic në fushë.

Edhe pse 41-vjeç, Ibra shpesh herë ka theksuar se s’ka ndërmend të ndalojë për aq kohë sa shëndeti i tij i përgjigjet në fushën e lojës.

Por duket se dëmtimet e shumta që ka pasur këtë sezon kanë bërë që sulmuesi të mendojë seriozisht për të ardhmen e tij, teksa në një intervistë për “ESPN” ka sqaruat shumë çështje.

“Jam disi i frikësuar, nëse do të më duhet të ndaloj, atëherë çfarë do të bëj? Unë po përpiqem të shtyjë këtë gjë, duke luajtur dhe duke shënuar gola. Megjithatë, që të vazhdoj të luaj duhet të jem mirë fizikisht, duhet të jem në gjendje ta bëj këtë punë, duhet të argëtohem duke luajtur.

Nuk ka kuptim të luaj nëse vuaj shumë. Është më mirë të jesh realist dhe t’i thuash vetes “Kaq mjafton” dhe të nisësh një tjetër kapitull. Por nëse je i përqendruar te kjo gjë, nuk je i përqendruar për pjesën tjetër. Në mendjen time nuk është kjo gjë.

Nëse mendoj për tërheqjen nga futbolli, nuk do të jem në gjendje të ndihmojë shokët e mi të skuadrës dhe veten time për të bërë atë që dua. Lojtarët ndjekin të gjithë të njëjtin program çdo ditë. Unë e kam bërë këtë gjë për 25 vite. Në këtë aspekt je si një ushtar. Unë jam shumë pranë kësaj linje, por duhet pritur dhe pak”, ka theksuar fillimisht Ibra.

Suedezi gjithashtu e zgjat kohën e tërheqjes pasi në mendjen e tij është vetëm një objektiv. Fitimi i titullit kampion me Milanin.

“Akoma jo. “Ekipi po punon shumë, ne po bëjmë sakrifica të mëdha për të arritur qëllimet tona. Ekipi është ende i ri, por po rritet dhe po fiton më shumë përvojë. Jemi në krye të renditjes, duhet të qëndrojmë të fokusuar në atë që duhet të bëjmë dhe ta bëjmë në mënyrën më të mirë që mundemi. Në futboll nga një fundjavë në tjetrën mund të ndryshojnë shumë gjëra.

Mendoj se sa më i vjetër të jetë një njeri, aq më shumë eksperienc ka. Jam përmirësuar shumë përgjatë karrierës time nga lojtarë të tjerë që kam luajtur dhe nga trajnerët që kam pasur. Në moshën time është koha që të jap diçka për ata që vijnë pas.

Në dhomat tona të zhveshjes ka shumë lojtarë të rinj, unë përpiqem t’i ndihmojë të gjithë dhe të jem lider në mënyrën time si brenda edhe jashtë fushe. Kur jam në fushë kërkoj t’i ndihmojë, kur jam jashtë fushës përpiqem të jap gjithë ndihmën time”.

Por këtë vit Ibra ka qenë jashtë fushe shumë shpesh dhe kjo gjë e bën Zlatan që të vuaj.

“Natyrisht që jam pak i mërzitur pasi unë dua të jem në fushë çdo ndeshje. Unë dua të luaj çdo ndeshje, adrenalina që kam kur fute në fushë është e pabesueshme. Unë vuaj kur nuk jam në fushë”, përfundoi Ibra që mund t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur, ose mund të rikthehet në MLS.