26 milionë lekë për futbollin beratas

438
Sigal

Këshillit Bashkiak i Bashkisë Berat ka miratuar për futbollin në vitin 2019, shumën e 26 milionë lekëve të reja. Në mbledhjen e tij të fundit për miratimin e buxhetit të Bashkisë për vitin 2019 ka kaluar një për një edhe buxhetin e çdo institucioni në varësi të këtij institucioni, midis të cilave edhe sporti i futbollit. Në një prononcim për median Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Beratit, Nikoleta Manka: “Mbi bazën e punës së kryer nga ana e specialistëve të sportit në Bashki dhe kërkesave të FK. Tomori, më duhet t’ju konfirmoj se fillimisht në komisionin përkatës dhe më pas në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku ka kaluar buxheti i Bashkisë për vitin 2019 ka kaluar për miratim edhe shuma prej 26 milionë lekë të reja për klubin e futbollit”, është shprehur në qëndrimin e saj zyrtar kryetarja e Këshillit Bashkiak Manka. Nisur nga shifrat e mësipërme, duket se Bashkia e Beratit, krahasuar me vitin 2018, pothuajse ka qëndruar në të njëjtat shifra të përafërta investimi për futbollin, madje me një zbritje prej 1 milion lekë të reja, pasi viti që sapo mbyllet kishte si buxhet të planifikuar po nga Këshilli Bashkiak në shumën prej 27 milionë lekë të reja. Ajo që pritet me më shumë interes në vitin 2019 mbetet fakti, se si do të përdoret buxheti i vitit të ardhshëm nga ana e klubit, që megjithëse shifrat janë jo të vogla, sërish Tomori vazhdon me paraqitje modeste duke qëndruar në Kategorinë e Parë. Ndryshe nga sa është dëshira e sportdashësve të zjarrtë beratas dhe vetë historia e skuadrës që e kërkon Tomorin në Superiore ku dhe ka pjesëmarrjen e fundit plot gjashtë sezone më parë.